ANDREA STEFANI, 25 Dhjetor 2012
Andrea StefaniSapo është njoftuar se kunati i ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, ka përfituar nga amnistia e miratuar edhe me votën e ministres në fjalë. Kunati i Bregut, i përfolur në publik edhe për lidhje me eksponentë të mafies italiane, ishte i akuzuar për organizimin e lotarive të palejuara. Por bazuar në ligjin për amnistinë, shpallur në nëntor të këtij viti, prokuroria i ka kërkuar gjykatës pushimin e çështjes penale për kunatin e ministres. Bazuar po në ligj, gjykata e ka pranuar kërkesën e prokurorisë. Pra gjithçka është bërë me ligj. Por a mund të nxjerrim, bazuar në praktika “të ligjshme” si kjo, një provë për ekzistencën e shtetit ligjor në Shqipëri? Jo vetëm opinione kritike brenda vendit, por edhe studime ekspertësh të huaj e kundërshtojnë këtë.
Një studim mbi Shqipërinë, kryer kohët e fundit bashkërisht nga tre qendra studimore në Sofje, Mynih dhe Uashington, ka konkluduar se disa incidente në vitet e fundit (skandalet e rrugës Durrës-Kukës, videoskandali “Meta”, 21 janari, zgjedhjet e 2009-s dhe ato të 2011-s) kanë hedhur pikëpyetje serioze mbi ndarjen e pushtetit gjyqësor dhe pavarësinë e tij prej ndërhyrjeve të politikës. Po sipas këtij studimi, “Në vend të konsolidimit të demokracisë, Shqipëria ka përjetuar një zhvendosje drejt kontrollit të thuajse të gjithë pushteteve dhe një përdorimi të gjerë të proceduralizmit jo demokratik… një keqpërdorim të ligjeve dhe institucioneve për qëllime politike dhe personale”.
***
Kjo që sapo ka ndodhur me kunatin e ministres Bregu, është një tjetër hallkë në zinxhirin e provave të pervertimit të shtetit ligjor, i dhunimit të frymës së tij që është barazia e shtetasve para ligjit dhe ndëshkimi i çdo veprimtarie kriminale. Është një tjetër shembull i tendencës që ka qeveria e Sali Berishës për të minuar luftën e shtetit ligjor kundër korrupsionit qeveritar duke shfrytëzuar, citojmë përsëri studimin e sipërpërmendur, “keqfunksionimin e institucioneve si dhe nga përdorimi i përqasjeve legalistike dhe procedurale”. Nuk është rastësi që nga një pushtet që, sipas Kushtetutës, duhet të ndëshkojë me ligj edhe korrupsionin apo dhunimin e ligjit edhe nga njerëz në pushtet dhe të afërmit e tyre, drejtësia dhe prokuroria janë kthyer në mbrojtëse “me ligj” të tyre. Produkt i kësaj kapje të drejtësisë është edhe dukuria e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri që po shqetëson jo pak sot edhe ndërkombëtarët.
***
PD ka hyrë në vitin e 8 të qeverisjes dhe përkundër betimeve të Berishës për tolerancë zero në luftën kundër korrupsionit, ai ka vazhduar të thellohet në sferat e larta të pushtetit. Dhe nuk është e vështirë që, edhe me sy të lirë, të kuptosh se pasuritë e qeveritarëve e kanë burimin në këtë korrupsion në rritje. Por përkundër këtij perceptimi publik në zgjerim, konfirmuar edhe nga “Transparency Interantional”, shohim që institucione si ai i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë (ILDKP) nuk kanë arritur të dërgojnë asnjë ministër, kryeministër, president apo deputet përpara drejtësisë për pasuri të akumuluara padrejtësisht.
Rastësisht? Aspak, dukuria është provë e pervertimit të sistemit ku institucione të ngarkuara me Kushtetutë nga sovrani për të kontrolluar qeveritë dhe denoncuar korruptimin e tyre, janë shndërruar në mbrojtëse të qeverive dhe korrupsionit të tyre kundër vullnetit të sovranit popull. Dukuria është produkt i drejtpërdrejtë i autokratizmit që ka dhunuar ndarjen e pushteteve. Nuk është aspak rastësi që në vend se të bëjë të mundur nisjen e një hetimi lidhur me akuzat e opozitës për pasuritë e fëmijëve të kryeministrit, të akumuluara me ritme të çuditshme për varfërinë e Shqipërisë, ILDKP publikon një deklaratë ku pohon se pasuritë e fëmijëve të kryeministrit “janë të ligjshme”.
Dhe vëreni! Edhe në deklaratën e tyre publike, në përgjigje të akuzave të opozitës, fëmijët e kryeministrit sjellin si provë të ligjshmërisë së pasurive të tyre deklaratën e ILKPD! Po ashtu ata kërcënojnë se do të dërgojnë në gjykatë akuzatorët. Nëse do të isha një shtetas që ka akumuluar një pasuri prej rreth 100 mijë dollarësh në vit vetëm me mësimdhënie, kur një mësues mund të marrë, në rastin më ekstrem kur është me gradë profesor, të themi vetëm nja 20 mijë USD, do të druhesha të kërkoja mbrojtje në gjykatë. Por kjo nuk ndodh me njerëzit në pushtet dhe të afërmit e tyre. Pse? Sepse në shtetin ligjor të Berishës, krimi gjen mbrojtje “me ligj”, me proceduara, me kurthe ligjore në gjykatë. Sepse jo pak gjykatës janë të gatshëm të mbrojnë “me ligj” korrupsionin e njerëzve me pushtet. Të tjerë, që mund të mos e kenë këtë gatishmëri, ndodhen para presioneve të tilla që nuk mund të bëjnë ndryshe.
***
Pervertimi qëndron në prirjen e sistemit të drejtësisë jo për të ndëshkuar krimet e qeverisë, por për t’i paraqitur të ligjshme ato. Zgjedhjet e kaluara kanë dëshmuar qartë prirjen e institucioneve si KQZ apo Kolegji Zgjedhor, për ta paraqitur “të ligjshme” manipulimin apo grabitjen e votave nga partia në pushtet. Nën maskën e respektimit të procedurave (në fakt një proceduralizëm jo demokratik) gjykatat kanë pezulluar gjykimin e një skandali si ai i rrugës Durrës-Kukës ku, sipas akuzës, besohet se janë grabitur mbi 200 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Me shenjtërimin e procedurave por braktisjen e së drejtës, në gjykata po zvarritet procesi i tragjedisë së Gërdecit ku janë përfolur si të ngatërruar në fshehtësi qeveritarët më të lartë, vetë kryeministri dhe djali i tij, si dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Zvarritja e këtij procesi është një tjetër provë e frikshme e pervertimit të sistemit dhe e triumfit të kurtheve ligjore mbi drejtësinë. Gjykatat këmbëngulën të mos marrin parasysh ekspertizën e FBI në rastin e videoskandalit të Ilir Metës si dhe të masakrës së 21 janarit.
Si rrjedhojë e këtij “skrupuloziteti” procedural, një politikan si Ilir Meta, që u pa nga të gjithë shqiptarët, me zë dhe figurë, të abuzojë me pushtetin vazhdon t’u flasë po shqiptarëve për shtetin ligjor dhe integrimin! Nuk do qe aspak çudi që gjykatat të konkludojnë se edhe më 21 janar, demonstruesit u vranë me rikoshetë dhe se fajtore për vrasjen e tyre është opozita që i solli para plumbave. Një avokati e qeverisë e sugjeruar publikisht kohë më parë nga vetë kryeministrit Berisha. Dhe nuk do qe aspak çudi gjithashtu, të shikonim prokurorin e ri Llalla të angazhuar në hetimin e organizatorëve opozitarë të dhunës që u bë “shkaktare” për vrasjen e demonstruesve. Nuk do jetë çudi, sepse kjo ndodh kur sistemi pervertohet dhe institucionet e së drejtës në vend se të zbatojnë vullnetin e sovranit të mpiksur në Kushtetutë, zbatojnë vullnetin e kryeministrit, kur nuk mbrojnë drejtësinë, por padrejtësinë në pushtet kundër drejtësisë.