Përshtypjet e një shqiptari që ka njohur Muamar Gadafin

0
101

Gjinishi – Gadafi  

Nga: Lorenc Vangjeli

Përshtypjet e një shqiptari që ka njohur kolonel Gadafin në ditët e tij me shkëlqimin e pushtetit dhe si e sheh tashmë rënien e diktatorit libian. Paralele të jashtëzakonshme mes njeriut që sundoi Libinë dhe qeverisjes së doktor Berishës në Tiranë. Ermir Gjinishi dëshmon të vërtetën e tij: Autokratët janë të gjithë Gadafë

Kur dhe në çfarë rrethanash e ke njohur kolonel Kadafin? Cilat kane qenë përshtypjet e para të një njeriu që vinte nga një diktaturë komuniste për një njeri që ishte zot absolut në vendin e tij dhe armik me gjithë Perëndimin e SHBA-në?

Ishte tetori i vitit ’91 kur shkova në Tripoli për studime. Tripoli ishte një qytet i madh, krejt ndryshe nga Tirana, me 1 milion banorë. Libianët ishin shumë miqësorë. Natyrisht që edhe infrastruktura nuk krahasohej me ne. Ishte kryeqyteti i një shteti që renditej në 10 vendet më të mëdha të botës në eksportin e naftës. Si një qytet mesdhetar Tripoli kishte të ndërthurura në arkitekturën e tij atë romake, osmane, arabe dhe moderne. Ajo që më ra në sy, që në ditën e parë ishin portretet, banderolat e posterat me fytyrën e Gadafit, që vareshin kudo. Diku si ushtarak, diku si beduin, si traktorist, si kalorës, si inxhinier, me role pa fund; gjithë muret e Tripolit ishin ekspozita e kolonelit.

Në kanalin shtetëror televiziv në të shumtën e kohës fliste vetëm Gadafi ose flitej për të, sidomos në edicionet e lajmeve që fillonin e mbylleshin me të, njëlloj siç ishte TVSH-ja jonë, e cila formatin e lajmeve thuajse nuk e ka ndryshuar, e mban edhe sot si “relike”. Kjo mjaftonte që të kuptoje fare qartë që Gadafi ishte autokrat, diktator si ish-diktatori ynë, por që Libia nuk ishte aq e varfër si Shqipëria jonë, por libianët ishin po aq të shtypur sa ne. Në takimet e tij, nëpër kongreset popullore, gjithë kohës fliste vetëm për politikën ndërkombëtare, për imperializmin amerikan, për kolonizatorët evropianë dhe për popujt e shtypur të botës. Këtu më dukej vetja sikur isha në Shqipëri, por në një Shqipëri ku flitej arabisht. Fjalët e tij ishin vrer dhe urrejtje pa fund për pjesën më të madhe të botës. Natyrisht që notat pozitive për Rusinë, Fidel Kastron, Titon etj, shfaqnin qartë orientimin politik të kolonelit.

I pëlqente shpesh të krenohej për ditët e revolucionit “Fatah”, më tepër se heroizmi i popullit libian kundër fashizmit italian. Në fakt, të gjithë diktatorët e kanë luajtur fort kartën e nacionalizmit, por në faqet e historisë mbeten shkatërrimtarët më të mëdhenj të kombit të tyre. Me delirin e madhështisë, Gadafi hiqej si shpëtimtari revolucionar i popullit libian dhe garant i përparimit të vendit. Kuptohej qartë se për të historia e Libisë fillonte tek ai.

Gadafi ishte Libia, Libia dukej se ishte Gadafi. Ai ishte mbi ligjin e institucionet, i paprekshëm. Kush fliste apo mendonte ndryshe nga koloneli, i bëhej jeta e vështirë ose i ndërpritej. Për herë të parë Gadafin e kam parë aty nga viti ’94, gjatë një takimi me studentët në Tripoli. Gadafi kishte gjetur armiq të rinj, pas embargos që ishte vendosur mbi Libinë. Protagonizmi kriminal i Gadafit e kishte futur Libinë në listën e vendeve terroriste për shkak të financimeve, që i bënte grupeve terroriste kudo nëpër botë, dhe për këtë, atij i duhej të gjente “armikun”, i cili këtë herë ishte OKB-ja.

Gjithnjë mendjemadh, i egër e arrogant, me një vetëkënaqësi të dukshme. Gjithmonë i ka pëlqyer vlerësimi superlativ i vetes. Vetëshpallej herë si lider i të gjithë arabëve, herë si lider afrikan e herë si lider fetar madje edhe si lider revolucionar botëror. Në personalitetin e tij bashkoheshin shumë cilësi të njeriut inferior. Herën e fundit e takova Gadafin para një viti në Babul-lAzizije, në bunkerin rreth 7 kilometra katrorë ku ishte fshehur këto ditë.

I plakur, me një zë të ngjirur, por sillej njëlloj. Mbajti një fjalim si të ishte një lider fetar i përmasave botërore. Në Tripoli kishte filluar të shfaqej dhe portreti i Sejfit, djalit që pregatitej të trashëgonte fronin, i cili virtualisht hiqej si njeriu i reformave të mëdha, por realisht, përveç ndërtimeve, Libia kishte mbetur po në atë llum politik. Libianët vazhdonte t’i ndiqte mallkimi i Platonit: “Një prej dënimeve për mospjesëmarrjen në politikë është se përfundon të qeverisesh nga inferiorët”. Të gjithë inferiorët bëjnë të njejtin gabim kur kanë pushtet, e mbushin boshllëkun intelektual me forcën e pushtetit që degradon në dhunë e krim.

E njihte Shqipërinë dhe për çfarë interesohej të dinte për të?

Gadafi si tip, fliste për gjithçka dhe për çdo shtet. Imagjinoni se çfarë saktësie mund të gjesh në fjalët e tij. Njerëzit që kanë këtë mënyrë komunikimi, e kanë më të vështirë të fshehin injorancën se sa të tregojnë mënçurinë. Natyrisht fliste edhe për Shqipërinë, për diktaturën komuniste. Eshtë interesante se si diktatorët përdorin argumente të një diktature si vetja dhe i servirin si kundërargument tek populli i tyre, për të krijuar kontrastin. Sigurisht që Libia nuk ishte komunizëm në ideologji, por kishte po të njëjtën marrëdhënie tiranie si komunizmi me popullin.

Kam përshtypjen se në mungesë të marrëdhënieve të mira me shtetet e BE-së, gjithmonë është përpjekur të krijonte miqësi me shtetet e vogla si ne, për t’i lançuar përpara syve të libianëve si të mëdha, për shkak të pozicionit gjeografik. Shqipërinë i pëlqente ta citonte si një popull musliman autokton, me natyrë të bukur, por “pikë të dobët” në rajonin tonë kishte ish-Jugosllavinë ku edhe ka studiuar.

Si gjykoni, çfarë e ka kushtëzuar më së shumti atë individ në metamorfozën e tij, të ngjashme me shumë diktatorëve të tjerë, që vijnë në drejtimin e një vendi si shpresë dhe largohen si ankth?

Inferioriteti është armiku më i madh i një pushtetari. Tek Gadafi kjo ndjesi lidhet me origjinën e prindërve e tij. Atë e ka ndjekur nga pas e kaluara e tij e dyshimtë, të cilën nuk e mbulonte dot në sytë e libianëve. Zyrtarisht ai është i biri i Ebuminiar El-lGadafit, por ajo që flitej nën zë në Libinë e djeshme ka filluar të dalë në horizont. Po dalin të dhëna nga personalitete të larta të qeverisë kombëtare të tranzicionit se Gadafi është biologjikisht me origjinë italo-hebre dhe Ebuminiari është vetëm adaptuesi i tij.

Edhe në Izrael këto ditë kanë dëshmuar në media të njejtën gjë disa izraelito-libianë. Kuptohet që njerëz të tillë kanë ngarkesa emocionale që ndikojnë direkt në sjelljen e tyre dhe në qëndrimin që mbajnë me të tjerët. Egocentrizmi, joshja që të ofron pushteti kohëgjatë është rrezik për të gjithë njerëzit. Në psikologjinë e tyre krijohet sindroma e bindjes, se vetëm ata janë të aftë të udhëheqin. Vuajnë nga deliri i madhështisë. Zhvishen nga humanizmi njerëzor dhe pushtohen nga pangopësia djallëzore dhe siç thotë gjermani i madh Gëte: “Uria shpie në grep dhe peshqit më të mëdhenj”.

Hiqen sikur kanë çliruar botën por janë pikërisht këta që po ia marrin frymën botës. Mendojnë të ndryshojnë botën, por asnjëherë për të ndryshuar veten. Pozicionimi i tij politik përkrah vendeve të lindjes, udhëheqësit e të cilave qëndruan gjatë në pushtet, pa dyshim që ka ndikuar tek ai. Rënia e sistemeve të lindjes me të cilat ai ishte aq i lidhur nuk ja cënoi vlerësimin që kishte për ta.

Nuk i quajti kurrë të dështuara ato rregjime, por bënte fajtor Perëndimin për përmbysjen apo transformimin e tyre. Koloneli erdhi në pushtet me një grusht shteti dhe e quajti revolucion popullor. Udhëheqës të tillë kanë qëndruar gjatë në pushtet. Në Libi sovrani ishte fasadë. Formimi i tij ishte ushtarak dhe në shumicën e rasteve ushtarakët janë rrëzuar nga pushteti me kosto të lartë për popullin e tyre. Meqenëse vijnë në pushtet me plumb e gjak e kanë të vështirë të largohen paqësisht me votë.

Shumëkush nxiton të thotë se Shqipëria nuk është Libi dhe zoti Berisha nuk është Kadafi, por ju realisht, a shihni paralele mes dy rasteve? Kam parasysh edhe gjuhën pothuaj identike që kanë përdorur të dy, zoti Berisha mbas demonstratës që u mbyt në gjak në 21 janar dhe Kadafi me nisjen e protestave në Libi?

Natyrisht që Shqipëria nuk është Libi, por ne si një pjesë e konsiderueshme e vendeve të rajonit vuajmë nga “gadafizmi”. Nuk është nevoja që këtu të kemi Gadafin për të qenë Libi. Autokracia, despotizmi dhe kulti i liderit në demokraci është gadafizëm. Autokratët dhe diktatorët kanë fytyra të ndryshme, por të njëjtën formë sjellje. Ka plot paralele të ngjashme midis Kryeministrit Berisha dhe Kolonelit libian. Kolonel Gadafi i zhduku të gjithë shokët me të cilët përmbysi sistemin e mbretit Idris, sot në PD nuk është më asnjë nga themeluesit e saj.

Ndoshta Çurçilli kishte të drejtë kur thoshte se komunisti antikomunist është më i keq se një komunist. Ne i dhamë fund komunizmit në 90-ën, por jo mendësisë së tij. Akoma dhe sot forca e pushtetit shtyp forcën e ligjit. Tentakulat e atij sistemi po i vuajmë edhe sot në këtë demokraci të brishtë me institucione të deformuara, me një drejtësi të përçudnuar, ku vesi trajtohet si virtyt dhe virtyti si ves. Të dy janë bërë liderë në ndërrim pushtetesh dhe duan të qëndrojnë gjatë ngase i duket se këta e ndryshuan sistemin dhe këtyre u përket dhe vetë sistemi.

Një miku im më thotë gjithmonë se ne kemi dy republika, Republikën e Kryeministrit Berisha dhe Republikën e Shqipërisë. Sa herë preken interesat e të parës, shkatërrohet e dyta për të shpëtuar të parën. Kjo u pa në 97-ën. Pushteti i mbrapshtë i asaj kohe për pak na çoi në luftë civile, këtë kërkon dhe Koloneli të arrijë në Libi. Avionë shqiptarë u urdhëruan të bombardonin popullin e tyre, por refuzuan dhe morën azil në Itali njëlloj si pilotët libianë që refuzuan urdhrërat e kolonelit dhe u ulën në Maltë.

Doktori dhe Koloneli janë të dy ruralë dhe kjo i mundon dukshëm dhe bëjnë të pamundurën për të mos u dukur të tillë. Doktori del në TV me I-Pad, kurse Koloneli me shkop golfi. Institucionet e Libisë ishin banda të Gadafit. Në fillim të viteve 90-të shërbimi libian zhduku Al-lSadrin, një personalitet Libanez, siç zhduku SHIK-u i Berishës Remzi Hoxhën. Të dy kanë personalitet të dyfishtë. Gadafi fliste gjithë ditën kundër Izraelit, madje i quante tradhtarë ata që bashkëpunonin me të, nga ana tjetër ishte furnizuesi i parë me naftë i Izraelit.

Berisha akuzonte opozitën shqiptare si tradhtare e antikombëtare dhe nga ana tjetër shkelte embargon dhe i shiste naftë Serbisë. Kanë alergji nga godinat e sistemeve të kaluara dhe i prishin, ngaqë kanë komplekse me të kaluarën e tyre. Kolonel Gadafi prishte godinat e kohës së Mbretërisë, Berisha kërkon të prishë piramidën. Edhe Koloneli edhe zoti Berisha flasin shpesh për sistemin e kaluar, por që të dy kishin funksione të rëndësishme, njëri si sekretar partie, tjetri si Gjeneral ushtrie. Që të dy vetëmburrjen e kanë pjesë të patjetërsueshme të katakterit.

Muamar Gadafi me Çavezin në krah dilte ne televizionin libian the thoshte: Libia dhe Venezuela janë dy vende që njohin vetëm fitore. Zoti Berisha me ish-kryeministrin Kinez në median tonë deklaronte se PK e Kinës dhe PD e Shqipërisë njohin vetëm progres. Gadafi shpesh përdorte fenë dhe klerikët për të forcuar pushtetin e tij, zoti Berisha, me ndërhyrjen e segmenteve pranë tij, e ka kthyer K.M.Sh-në në nëndegë të selisë së partisë tij.

Koloneli qeveriste Libinë bashkë me familjen e tij, Berisha shpesh është akuzuar në media se bën të njëjtën gjë. Të dy tentojnë të trashëgojnë pushtetin tek njerëz që u besojnë dhe që u përputhen karakteret.. Koloneli po pregatitej t’ja delegonte pushtetin të birit Sejfit, zoti Berisha, siç përmendet shpesh në media po pregatit si trashëgimtar djalin e tij politik, zotin Basha.

Kulmi i ngjashmërisë ndërmjet tyre padyshim është 21 janari. E njëjta sjellje. Të dy përdorën dhunën dhe armët për të shtypur demonstruesit. Pati të vrarë e të plagosur. Pati fjalime identike: Gadafi në ditën e tretë të protestave në Bengazi tha: “Ka qenë një konspiracion shumë i rrezikshëm, por unë dua t’u them se Libia nuk është Egjypti apo Tunizia”. Berisha tha se puçistët kanë dashur të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe duhet thënë se kanë bërë pak dëm. Por ata harrojnë se Shqipëria nuk është Tunizia.

Ditën tjetër Koloneli vazhdoi: “Janë me dhjetëra mijëra vetë që janë nisur drejt Tripolit, sepse duan që të mbrojnë kryeqytetin, Libinë, Gaddafi-n. Nuk kam pse të mbaj sekrete. Janë me mijëra autobuzë që janë nisur nga rrethinat për të ardhur këtu”, zoti Berisha tha: “Me mijëra mesazhe më erdhën dhe të gjithë ishin të gatshëm që të mbronin demokracinë kundër puçistëve”.

Në të dy rastet kemi po të njëjtën gjuhë. Koloneli i quante demostruesit libianë minj, rrugaçë, kokëpalarë, kriminelë, rrugaçë dhe fliste për një konspiracion puçist, e njëjta gjuhë kërcënimi u përdor dhe nga Kryeministri Berisha. Në këtë pikë duhet thënë se zoti Berisha me thikat me helm dhe çadrat pistoletë ia kaloi Kolonelit në fantazi. Për të mos e zgjatur në një gjuhë despotësh dhe grahmat e fundit janë të ngjashme.