Përshtypje emergjente nga libri: ‘Biografi e paautorizuar e Adem Demaçit’

0
73

— libër nga Shkëlzen GASHI

Pak fjalë përgjithësuese për librin

Struktura dhe i gjithë teksti i librit “Adem Demaçi – biografi e paautorizuar” përbëhet nga një gjuhë narrative e superzakonshme dhe mjaft gravituese. Me ca fjala të gegërizuara a la kosovarçe nga shqiptimi oral kosovar si për shembull, në vend të “shtëpia” e shkruan “shpia”, “Serbia” me “Sërbia”, e të ngjashme, por që na mbanë vazhdimisht përgjatë gjithë leximit në kurreshtje ekskurzioniste. Me disa lexues të këtij libri që pata mundësi të ndërveproj së komentuari, kanë një përshtypje disi unike: libri lexohet me një frymë! Vllau im më tha: Avni, goxha moti s’kam lexuar libra përveç literaturës së domosdoshme universitare, por këtë libër pasha Zotin e kam lexuar nga mëngjesi e deri në mbrëmje!

Adem Demaçi

Dhe unë nuk jam përjashtim nga ky konstatim psiko-emotiv gjatë të të lexuarit të këtij libri. Librin të them të drejtën nuk e bleva, por e mora huazim nga një mike ime dhe tani e kam gënjyer se më ka humbur, ndërkaq unë e kam vendosur në sirtarin tim bibliotekar dhe s’ka mundësi assesi t’ia kthej. Për një arsye të vetme: jam kënaqur së lexuari dhe nuk do të blej libër të ri për ta kujtuar këtë kënaqësi leximi! Tek e fundit, të vjedhësh libra është disa e falshme përkundër plotësimit të një kushti a priori etik: kur ta vjedhësh një libër, mëkati falet nëse e keni lexuar, e jo vendosur për zbukurim në dollap apo nëse e keni shitur për të luajtur bastore!!!

Të arrish ta shkruash librin në këtë mënyrë, formë, stil, gjuhë, përmbajtje, kronologji, e të ngjashme dhe ta bësh për vete lexuesin e ta tërheqësh detyrueshëm për të mos u shkëputur nga leximi total libror, qoftë edhe brenda një dite të vetme, qoftë kjo edhe indoktrinuese, ia vlen të merret vërtetë seriozisht!

Pak fjalë për të pakënaqurit e këtij libri

Të gjithë ata që më kanë rastisur t’i takoja dhe kundërshtojnë botimin e këtij libri, sakaq pak zëra dëgjova se dëshirojnë edhe bojkotin e këtij libri, mendojnë se autori Shkëlzen Gashi e ka tradhtuar apo mashtruar vetë protagonistin biografik të librit, pasi që vetë Gashi kishte thënë publikisht se z. Demaçi i kishte kërkuar se, “para se ta botoni, do të duhej të më konsultoni përsëri për pëlqimin tim biografik…” (lexo: tekstualisht). Po ashtu, këta kundërshtarë që spontanisht i çakërdova në dialog rreth këtij libri thonë se, Xeni (lexo: Shkëlzen Gashi) ka treguar nguti djaloshare për guxim, duke u munduar të identifikohet me ikonën më të guximshme nacionale të gjysmës së dytë të shekullit XX e këndej (lexo: Adem Demaçi), duke e krahasuar me hir apo pahir vetveten me dikë në nivel të lartë simbolik e psikologjik në pikëpamje të karakterit të guximshëm nacional shqiptar. Duke u rrekur analogjikisht në inkoshiencën e tij me një personalitet me nam nacional e global, ka dashur që në “afërsi” të një “personazhi të madhërishëm antropologjik” siç është Demaçi me gjithë ato vepra guximi e çmimi, të realizojë bonuse psikologjike autoriale.

Duke u krekosur ka krijuar një ekuivalencë psikologjike me guximin e Demaçit duke pandeh se, nëse Demaçi ka pasur guxim ta kundërshtojë një makineri megagresive siç ishte regjimi jugosllav, atëherë edhe unë kam guxim ta kundërshtoj këtë personazh kur është fjala që të mos botohen disa gjëra që i ka thënë edhe vetë ai. Pra, goditet “metaguximi” i Xenit nga introjektimi psikologjik karakterual i guximit të provuar praktikisht të Bacës Adem për dekada me radhë. Ky “spiriunci” (lexo: ngjyrosje cilësore negative nga pezmi për shpërfaqjen e tij të guximit për t’u krahasuar me guximin e Demaçit në cilësi dhe intensitet emotiv e karakterual) del e na trumbeton padëgjueshmërinë ndaj Bacës Adem!

Tjetër arsye e mundshme për ta kundërshtuar këtë libër është ngjyrosja politike e pamohueshme për disa personazhe të jetës sonë institucionale, të cilat pjesë leximi patjetër që kanë impaktet e tyre politike dhe elektorale për imazhin e disa figurave të PDK-së, LDK-së, etj., të cilët aktualisht kanë edhe pushtetin shtetëror. Si duket ka ndikuar prototipi anektodik shqiptar që sugjeron se në interesin nacional ndonjëherë nuk është e “vërteta shkencore”, por “e vërteta politike pragmatike nacionale”. Çfarë do të thotë kjo? Nëse ndonjë figurë e njohur e Qeverisë së Kosovës ka qenë katodë kontribuese mbi vlerat e luftës, atëherë serbët e shohin si “terrorist” dhe u atribuojnë tipare mafioze udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kjo do të ndikonte negativisht në imazhin e liderëve kosovarë. Pra, “dreqi yt është më i mirë se një melaqe e huaj!!!”.

Në këtë kontekst të etnopsikologjisë zemëruese dhe endo-nacionaliste (sikur endogamia, ku antarët e bashkësisë sociologjike imponojnë rregullat e martesës brenda bashkësisë, e kundërta e ekzogamisë), rezulton se gabimi i Xenit nuk ishte aq joshkencor apo objektiv, por politik. Për ç’arsye politik? Tani në proceset e ndjeshme politike të shtetit të Kosovës, ne i dimë ca gjëra të hidhura për personalitetet që drejtojnë shoqërinë kosovare, por që duhet t’i mbulojmë për shkak të inateve dhe fqinjëve agresiv, e sidomos për shkakin kryesor se, Serbia gjithmonë ka dashur t’i njollosë vlerat e UÇK-së, duke i emërtuar si terroristë, mafiozë, etj. dhe do të gëzohej Serbia sikur të kuptonte se vetë shqiptarët kosovarë po e kuptuakan tash me këtë libër madje edhe zyrtarisht se, vetë Adem Demaçi si ikonografi e shqiptarizmit të guximshëm, po u shpjegon popullit të vet se ish-komandantët e zyrtarë të UÇK-së, janë hapur mafiozë. Ky libër sipas disa linçuesve të zëshëm të botimit në fjalë, nuk ka pasur qëllim shpërndarjen e të vërtetës së jetës dhe veprimtarisë së Adem Demaçit, por për të farkëtuar ngritjen e librit në senzacion medietik, kontravers dhe komercial.

E së fundi, për t’i rritur vlerat e veta personale vetë autori i kësaj biografie. Të tjerë që mund të gjesh në mospajtim me këtë libër është se, Shkëlzen Gashi do të duhej – sipas tyre – të gjente më shumë burime informacioni për sjelljet, pikëpamjet, mendimet, idetë, veprat, etj., të Bacës Adem, sesa vetëm dokumentacionet dhe deklaratat e gjurmuara nga goja e Demaçit.

Për të marrë informacione për biografinë e një personaliteti, nuk duhet dëgjuar vetëm aspektet publicistike të thëna në jetën medietike, por edhe dialogjeve private e të pakontrolluara miqësore ndërmjet bashkëshoqëruesve të tij, fletëlëshimeve gjyqësore e zyrtare, shoqëruesve të Bacës Adem në burgje, personaliteteve politike që janë përmendur dhe postuar me foto në libër, etj. Kjo biografi do të duhej plotësuar jo vetëm nga metodologjia e rrëfimit personal biografik, as vetëm të shënimit të deklaratave të kohës e shtypit për gjërat që kanë thënë Demaçi, pra introspeksioni duhej plotësuar edhe më shumë nga narracionet e personazheve të tjerë, metodën krahasimtare të deklaratave të atyre për të cilat flet Demaçi, e jo qendërsim të lartë të të thënave të subjektit biografik.

Tipologjia e kundërshtarëve të librit

Ka qenë një përshtypje e përgjithshme nga kultura e thashethemave të oralit kosovar se, fundamentalistët rugovistë, nuk e kanë çmuar asnjëherë sa duhet Bacën Adem për shkak të opinioneve dhe qëndrimeve jo të favorshme të Demaçit mbi politikën rugoviane dhe Rugovën, sidomos pas vitit 1995. Jo vetëm nuk e kanë vlerësuar, por edhe e kanë gjykuar ashpër për sjelljen e tij kundrejt ish-presidentit Rugova. Madje, disa thonë se, kush e lexon këtë libër, nëse është lexues i pasionuar rugovian, atëherë do ta nënvlerësojë edhe vetë librin kushtuar Bacës Adem. Nga kjo na del tipologjia e lexuesve të cilët mund të mos e pëlqejnë këtë libër:

– Radikalët rugovistë, për të cilët çdo person, qoftë ky edhe me ndikim të jashtëzakonshëm në rrjedhat gjithëkombëtare e politike në historinë më të re të Republikës së Kosovës, që ka kundërshtuar apo edhe satirizuar veprimtarinë politike të ish-presidentit Ibrahim Rugova, apo që kanë qenë edhe anti-rugovist, madje vetëm për ca momente politike të pas ’95-tës, ose gjatë viteve ’97 – ’99, ose për përshkrimin e akteve të UÇK’së si “dorë e zgjatur e UDB-së ose Serbisë!”, janë sentimental dhe nuk arrijnë dot të gjykojnë drejtë dhe në mënyrë objektive librin e Shkëlzen Gashit;

– PDK-istët, AAK-istët, të cilët i shohin liderët e PDK-së dhe AAK-së, si Hashim Thaçin e Ramush Haradinaj si personalitete me integritet të lartë moral e politik dhe me një trashëgimi të pasur çlirimtare. “Hashim Thaçi është mafioz i kulluar sepse ai po ngritet kundër VETËVENDOSJE!-s, e cila po lufton t’i mbrojë interesat e këtij populli. Ramush Haradinaj është i ndotur me lloj-lloj mafiozësh…” (f.205) . Deklarata e printuar e Demaçit në këtë libër nga Gashi, e cila është deklaruar pas 10 shkurtit 2007, për shkak të karakterit të ndjeshëm politik dhe vrasjes së rëndë të Xheladinit dhe Balaj, tregon për një faksimile të vështirë deskriptive e negative mbi këto personazhe të jetës politike aktuale në Kosovë.

– Nacionalistët shqiptarë emotiv të Kosovës, të cilët nuk dëshirojnë të tregojnë të “vërteta shkencore historike”, por të “vërteta politike”, me theks të veçantë ruajtjen me ngulm të vlerësimeve pozitive për të gjithë individët që kanë background nga lufta heroike çlirimtare. Këta do ta kundështojnë librin kur kuptojnë se një djalosh i ri, apo që shprehen me atribuime të sojit >, ka tradhëtuar Bacën Adem dhe ne duhet ta “tradhëtojmë” me bojkotimin e këtij libri. Pse keni shkuar në promovimin e librit të tillë? A e dini se keni shkuar për ta mbështetur “Judën” e Bacës Adem që është piemont i vlerave kombëtare? Pse keni marrë pjesë në promovimin e librit që mashtroi pabesisht vetë njeriun për të cilin bën fjalë autori?! Pse nuk i ka hequr ato pjesë që i ka thënë Baca Adem nga libri, pavarësisht së vërtetës së fjalëve të tij, sepse ai (lexo: Baca Adem) e ka ditur se nuk është mirë për “kohën” dhe për interesin kolektiv kombëtar të Republikës së Kosovës të editohen disa vlerësime për disa momente dhe figura të sotme politike kosovare? A më i mençur është Shkëlzen Gashi apo Adem Demaçi se cilat gjëra duhet botuar e cilat jo?!!! Pra, janë disa nga këto pyetje që dalin nga ky pezëm i panevojshëm emocional të disa syresh prej nesh, përkitazi për botimin e paautorizuar biografik, “Biografi e pauatiorizuar e Adem Demaçit”.

Portreti i Demaçit

E pranoj se shumë informacione i kam marrë nga ky libër dhe më është bërë më e qartë periudha e zhvillimeve politike të historisë më të re kosovare. E pranoj se Adem Demaçin e vlerësoj jashtëzakonisht më shumë sidomos pas leximit të këtij libri dhe deklaratave të tij tepër të guximshme për kohën dhe tepër këmbëngulëse e antikonformiste me frymën e kohës së ashpër të ish-regjimit jugosllav e serb. E pranoj se nuk kam lexuar që moti një libër të lezetshëm të autorëve shqiptarë, informues, simpatik, tërheqës, të lehtë për ta konsumuar. E pranoj se pak libra të autorëve vendorë i kam lexuar aq shpejtë me gjithë këto faqe. E pranoj se libri ka një dizajn dhe format bukurosh teknik dhe me ngjyra që të gërhatin në orbitën e tyre. E pranoj se rrallë mund të shoh personalitete me këtë CV si e Bacës Adem.

E pranoj se nuk e kisha njohur më parë aq shumë Adem Demaçin. E pranoj se asnjë libër më parë nuk më ka intriguar më shumë për ta njohur Demaçin sesa ky libër. E pranoj se vllau im nuk lexon aq libra dhe se ky libër i ka lënë mbresa të thella ndjenjore dhe më çukitka gjersa jam duke shkruar këta rreshta fjalish se, “Tepër bre më ka rrënqethur libri dhe Bacën Adem fare nuk e paskemi njohur më parë!”. E pranoj se të të shkruarit e biografisë është çështje e vështirë dhe asnjëherë nuk duhet ndalur me pak burime informacionesh, por vetëm një strukturim i tillë informacionesh na bën legjitim në kognicionin ndaj Demaçit. E pranoj se ka vërejtje, kritika dhe përngutje të autorit kur nuk e ruajti modestinë të krahasohet me antikonformizmin e Demaçit dhe tërheqjen analoge të guximit të tij me të të përmendurin në fjalë gjatë promovimit se, “Nëse Adem Demaçi nuk i dëgjoi urdhëresat e ndalesat, as unë nuk do t’i bindem diktatit të tij për heqjen e disa elementeve të thëna!”(lexo: tekstualisht). E pranoj se qysh e di unë, edhe UNIKOMBI e ka përkrahur UÇK-në atëbotë, e jo vetëm siç shkruan Shkëlzeni: “PPK-ja është e vetmja parti politike që e përkrah publikisht UÇK-në dhe që…” (f. 139).

Rëndësia e librit

Ky libër do të jetë referencë e rëndësishme për të diskutuar për zhvillimet politike të periudhës së fundit në Kosovë. Nxitja e diskursit dhe debatit mbi rolin e figurave të veçanta politike kosovare, e veçmas të Demaçit, Rugovës, etj., do të jetë e mirëserardhur nga nxjerrja në dritë e këtij libri të Gashit. Do të ketë dobi të jashtëzakonshme ky libër meqë do të shërbejë si nxitës i të të shkruarit të biografive të të tjerëve, e veçmas të një personaliteti pa të cilin nuk mund të kuptohen shumë momente politike pas viteve të ’90-ta e gjer në vitet e fillimshekullit XXI, siç ishte ish-presidenti pacifist, Ibrahim Rugova. Libri do të ketë efekte pozitive për të hapur disa tema e nëntema të cilat janë përmbyllur episodikisht dhe sporadikisht për shkak të rrethanave sensitive nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë viteve të paraçlirimit dhe postçlirimit. Do të shërbejë si dokument i vlefshëm për të rropatur me idetë dhe qasjet e ndryshme që kishin subjektet politike në Kosovë për të ardhur gjer në këtë pozicion politik për Kosovën si shtet të pavarur.

Me këtë libër, portreti e Demaçit del sa kontravers, por edhe më tepër me cilësi hiperpozitive, kombëtariste, personalitet tej-unik, vizionar, obsesivo-shqiptarist, i palëkundur në regjimin e tmerrshëm për idetë e tij, me cilësi të rralla të guximit të asaj kohe të mosguximit, me aftësi të jashtëzakonshme për mbijetesë dhe për të gjetur shpresë për të jetuar, me ndërtim personaliteti që nuk mund të shumëzohet lehtë as me klonimin e mjekësisë bashkëkohore, me asete kombëtare heroike specifike…Përkundër ideve të Konfederatës së Vogël, të Mesme, të Madhe, “Ballkania”, që nuk ishte përkrahur as nga opinioni i gjerë, idetë e Demaçit të ngashënjejnë akoma kur matet me kutin e kohës. E pranoj se është vështirë të gjesh një qëndrim të tillë sikur të Bacës Adem në aso kushtesh dhe fiksimin për paqe e qytetari, madje përmendje të avokatisë popullit serb dhe minimin e stereotipizimit mbi përgjithësimin e serbëve si të këqij dhe ndarjen e popullit nga regjimi qeverisës. Në kohën kur nacionalizmi shqiptar duhej arsyetuar relativisht edhe në tipare hakmarrjeje, pikëpamjet e Demaçit për ruajtjen e gjakëftohtësisë ndaj serbëve civilë, janë për t’u admiruar. Dhe vetë fakti i marrjes së çmimeve ndërkombëtare për paqe flet për një fakt të pamohueshëm të vetive të karakterit të tij: paqedashës dhe me qëndresë të pashoqe.

”Të mëdhenjt duhet t’i njohim për t’i çmuar.” Rasti i Demacit e provon këtë sentencë time. Botimi dhe leximi i librit të Gashit më nxiti ta shkruaj këtë sentencë. Kah ta sjellësh, aplaudim për Xenin edhe kur ta kritikojmë edhe kur e këshillojmë për urtësi dhe jo eufori! Xeni nuk është “djelmoshat e rrezikshëm”. Nëse nuk më besoni mua, kundërshtarët e librit të tij le ta pyesin Halil Budakovën!

* Nëse gjeni emocionalitet në këtë shkrim, mirënjohja i takon leximit të librit simpatik dhe qëndresës së jashtëzakonshme nga jeta e personalitetit të Bacës Adem.