Përse të gjithë duan të takojnë Shkëlzenin?

0
21

Mero Baze

Mero Baze, 30.10.2009

Pashë një grua të tronditur në një kronikë TV, e cila fliste për një pronë të saj në kufirin me Gardën e Republikës, ku, sipas saj, një kompani ndërtimi e Rrahman Selmanllarit ishte duke ndërtuar. Pavarësisht në ç’fazë është ky projekt ndërtimi, ishte interesant fakti që gruaja e moshuar me shumë sinqeritet tha se “ne u ankuam te Shkëlzeni, e takuam atë, ai na premtoi se do na ndihmonte më vonë, por tani mos krijonim probleme” etj. E njëjta histori ka ndodhur dhe me të ndjerin Trebicka.

Njësoj si në rastin e kësaj gruaje dhe Trebicka u spostua nga grupi i Selmanllarit nga biznesi në Gërdec dhe atë e çuan sërish te Shkëlzeni. Ortaku i Selmanllarit i siguroi takimin dhe ai po ashtu u “sqarua” me Shkëlzenin për problemin e tij. Po kështu i ka ndodhur dhe një ish-zëvendësministri që ishte dhe biznesmen ndërtimi. Në përpjekje për t’u sqaruar me Selmanllarin për një kontratë ndërtimi po nga zona e Liqenit, ai përfundoi në takim me Shkëlzenin dhe më pas përfundoi dhe më keq.

Përse gjithandej, sa herë shfaqet Selmanllari, njerëzit duan të takojnë Shkëlzenin?

Përgjigjja është e thjeshtë. Selmanllari është thjesht një mbulesë e bizneseve të tij. Ai është garanti real dhe “bosi” në hije i bizneseve të tij.

Është kjo arsyeja që gjithkush që ka një problem me këtë biznesmen, si gjithë biznesmenët e tjerë shqiptarë, nuk tenton ta zgjidhë me të, por me Shkëlzenin. Pra, në këtë rast nuk ka funksionuar vetëm legjenda urbane rreth Shkëlzenit, por mbi të gjitha ka funksionuar vetë Shkëlzeni që shkon nëpër takime dhe sqaron njerëzit që kanë konflikte me Selmanllarin. Kjo është një skemë tipike e bizneseve që ka ndërtuar familja Berisha. Njësoj si në rastin e Fazlliçit, i cili është një karikaturë boshnjake, që përdoret prej vajzës së Sali Berishës si mbulesë për bizneset e saj, Selmanllari po përdoret dhe natyrisht po përdor Shkëlzenin si mbulesë të bizneseve të tij.

Kryeministri Berisha ka pasur dy rrugë për ta përballuar këtë realitet, t’i linte fëmijët e vet të mbroheshin publikisht ose t’ia linte drejtësisë. Ai nuk po bën asnjërën prej tyre. Po bën të tretën, po i mbron vetë fëmijët nga gjithë faktet e pakundërshtueshme që po u dalin si sekserët e pushtetit të tij në Shqipëri.

Kështu dolën fakte të qarta që Shkëlzen Berisha loboi kontratën e Gërdecit, duke kapur Mediun, duke tentuar ta bënte direkt me vendim qeverie dhe më pas e arriti atë përmes formës ligjore që i ofruan. Faksi i Aldo Bumçit për Shkëlzen Berishën vërtetohet nga tri sekretare para prokurorisë. Atë e provojnë dy sekretaret e Ministrisë së Drejtësisë, që është nisur nga faksi i tyre dhe nga sekretarja e Ministrisë së Mbrojtjes. Fakti që shënimi është me shkrimin e Bumçit apo dikujt tjetër, është një detaj që s’i hyn në punë kujt, kur vetë Bumçi nuk kundërshton dot faktin që i ka dorëzuar faksin me shënim sipër sekretares për t’ia nisur Shkëlzen Berishës.

Po ashtu u provua se Selmanllari është ortaku real i fabrikës së Gërdecit me Delijorgjin, është personi që ka spostuar nga biznesi i paketimit Trebickën, dhe është njeriu i afërt i Shkëlzenit. Është provuar se baxhanakët, kunetërit, vëllezërit e tyre, burrat e tezeve e të hallave ishin të punësuar në një grup special që bënte punën natën në Gërdec dhe ishin të gjitha lidhje të Shkëlzenit dhe Selmanllarit. Me kaq fakte Shkëlzen Berisha, jo vetëm që do ishte i thirrur nga prokuroria, por duhet të ishte i pandehuri kryesor për Gërdecin. Vetëm Sali Berisha nuk do t’i quajë faktet fakte, dhe vetë shpall për fakte gënjeshtrat e tij.

Vetëm një kryeministër i pafytyrë mund të shpikë që, kur vajza e tij i kërkon një klienti për një licencë që do ta firmosë babai i saj 3 për qind të vlerës së investimit, dhe që në rastin konkret i binte 30 milionë euro, e quan këtë faturë normale. Vetëm një kryeministër si Sali Berisha mund të quajë dikë trafikantin më të madh të naftës dhe pastaj ta nxjerrë në tribunë me gruan e tij për ta pastruar dhe për ta quajtur bamirës. Vetëm një kryeministër si Sali Berisha mund të quajë dëshmitë para prokurorit të falsifikuara, vetëm pse implikojnë djalin e tij dhe mund të quajë “fakt” thashethemin më të rëndomtë që shpik vetë ndaj kundërshtarëve.

Pra, ky kryeministër nuk ka më asnjë raport me të vërtetën, dhe asnjë raport me institucionet e shtetit shqiptar. Ai po qeveris vendin me “Kodin e Familjes” dhe për të askush nuk mund të veprojë në këtë vend, nëse s’ka interesa. Shikoni si flet për akuzat e medies. Përpiqet që çdonjërën prej tyre ta lidhë me ndonjë interes. Shikon ëndrra që media ka dashur t’i marrë vajzës së tij ARMO-n, djalit të tij celularin e katërt, mbesës së gruas paratë e ISKSH, fisit të gruas tenderët e matësve elektrikë etj. Pra, për të nuk ekzistojnë më parimet, nuk ekzistojnë më institucionet, nuk ekzistojnë më njerëzit që luftojnë për të vërtetën. Për të ekzistojnë djali, vajza, paratë, koncesionet, privatizimet, gjobat, dhe çdo gjë tjetër që ia prish këtë ëndërr, ai e shpall të paligjshme.

Për këtë arsye ajo grua fisnike nga familja Demi e thoshte me sinqeritet, se ishte ankuar te Shkëlzeni për grabitjen e tokës, por ai s’i kishte dhënë shpresa. Dhe e thoshte me dëshpërim, me makth, sikur kishte humbur gjyqin në Gjykatën Kushtetuese. Kishte humbur shpresat se kishte konsumuar gurin e fundit të pushtetit, djalin e kryeministrit. Ky është shteti real i Sali Berishës.

**********************
Mero Baze / 16.05.2009