PËRSE SHQIPTARËT VOTOJNË

0
34

EVA LONDO, 11 Shkurt 2013

Në pompozitetin e festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, publiku shqiptar për një muaj të tërë u krodh në klimën festive, duke lënë mënjanë hallet e përditshme. Ata u përkëdhelën nga të gjithë: qeveritarë, politikanë, aktorë, këngëtarë, piktorë dhe kushdo tjetër që kishte mundësi të kontribuonte në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Por, përveç kësaj, ishte dhe një mundësi për të gjitha këto subjekte kontribuuese në këto festime të promovonin veten e tyre, punën, artin e tyre. Dhe aq më tepër, kjo i shkoi për shtat qeverisë. Në këtë atmosferë që zgjati deri në fundvit, tek po kaloja në bulevard, një pankartë e madhe e vendosur në Pallatin e Kongreseve më ktheu mbrapsht në fëmijërinë time, atëherë kur besonim dhe këndonim se “jeta jonë e lumtur në Shqipëri nuk ka shoqe askund në botë”.

Njësoj kështu, kjo pankartë njoftonte me germa të kuqe, “Vendi më i lumtur në Shqipëri”. Nuk kanë asnjë rëndësi elementet e tjera plotësuese të pankartës, që sa për informacion njoftonin për shfaqjen e një aktori të njohur të humorit, sepse ajo që më shënjoi ishte gërricja e kujtesës dhe impakti që ky mesazh la në memorien time, duke i shtuar kësaj edhe gjithë pompozitetin festiv për 100-vjetorin, që ngjante me bujën e madhe të shoqëruar me demonstrimet, paradat apo marshimet që po njësoj u jepeshin në komunizëm festave të rëndësishme kombëtare.

Sikurse u duk, publiku u entuziazmua maksimalisht nga kjo klimë dhe PD-ja, që i ra shorti të qeveriste në periudhën më oportune, e posedoi këtë event fatlum maksimalisht, madje në një mënyrë autokratike dhe përfitoi shumë, sot, në mendjet e shqiptarëve dhe që për pak muaj do të tregojë edhe efektin e vet në vota elektorale. Pompoziteti i festimeve dhe shpenzimet e kryera për të nga ana tjetër paralajmërojnë dozat e marketingut politik me të cilin do të bombardohet publiku shqiptar me afrimin e zgjedhjeve. Por në çfarë mase shqiptarët ndikohen nga evente e taktika të tilla për të marrë vendimet politike për zgjedhjet? Në fund të fundit, përse shqiptarët votojnë?

Për të kuptuar këtë duhen bërë kërkime jo vetëm në procesin politik dhe në sistemin elektoral apo në taktikat politike që përdoren për të nxitur sjelljen, por edhe në bazën historike të brumosjes së popullit shqiptar dhe modelit të jetesës.

Sistemi komunist, që u instalua dhe u përthith shumë shpejt në Shqipërinë e varfër dhe me një popullsi në masë të konsiderueshme analfabete dhe të përqendruar në zonat rurale, në fakt tjetërsoi dhe më tej përforcoi karakterin e shqiptarit që të konvenonte me logjikën propagandistike dhe interesat politikë. Sistemi imponoi modele të tjera sjelljesh, të cilat u adaptuan nga shoqëria, edhe pse nuk përputheshin me karakterin e saj, duke shënjuar tipologjinë e re të saj. Për këtë arsye, ardhja e demokracisë ishte si një çlirim, shfryrje e indinjatës ndrydhëse 50-vjeçare që i impononte njerëzit të silleshin ndryshe nga karakteristikat gjenetike të popullsisë. E megjithatë, ndrydhja e egër u reflektua edhe në mënyrën sesi shqiptarët, skeptikë dhe pa iniciativë, sollën ndryshimin e sistemeve.

Jo vetëm liria e munguar, por edhe demokracia e anatemuar u lartësuan në sloganin epik të protestave për rrëzimin e sistemit komunist. Slogani për “Liri-demokraci”, ishte apeli i shqiptarëve të dhunuar psikologjikisht. Valëvitja e flamurit të antikomunizmit u tejkonsumua në fushatat elektorale të Partisë Demokratike dhe kishte një fuqi themelore në fitoret e saj dhe liderit Sali Berisha, i cili u projektua si imazhi i luftës kundër komunizmit dhe kalorës i demokracisë. Me gjithë imazhin e këtij të fundit, thelbi i vendimmarrjes së shqiptarëve qëndronte vota ‘pro’ kujtdo që luftonte në emër të antikomunizmit. (Në këtë logjikë u ndërtua fushata kundër projektkushtetutës së vitit ’94 e propozuar nga Presidenti Berisha, në të cilën u paralajmërua rreziku i kthimit të një diktature të re dhe një monarku tjetër me emrin Sali Berisha. Por kjo shkarje politike nuk i kushtoi shumë në imazh Berishës dhe partisë së tij, përveç rrëzimit të projektkushtetutës.)

Demokratët përdorën taktika për të demonizuar komunizmin dhe kështu ndërmorën shumë aksione politike për të treguar zhdukjen e farës komuniste në çdo sferë që përbënte rrezik. Ata projektuan dhe ekzagjeruan rrezikun komunist, duke u vendosur përballë kësaj ‘lufte’ të padukshme, të papërcaktuar dhe të qetë, duke e penetruar në memorien sociale dhe duke e shndërruar në njëfarë ‘frike’.

20 vjet më pas, flamuri i antikomunizmit valëvitet sërish në selinë e PD-së, duke u rikthyer fuqishëm si një prej kauzave të saj ndaj kundërshtarit të vet, në përbërje të së cilës gjenden bllokmenët e rinj, bijtë e etërve komunistë. Këta të fundit, sipas demokratëve që gjithë zell mbajnë radhën për të denoncuar sjelljet komuniste të PS-së, po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, sikundër etërit e tyre izolacionistë. Dhe me një retorikë të fortë kundër politikave izoluese dhe bllokuese të Partisë Socialiste, të cilët nuk po votojnë tri ligjet që proklamohen të jenë vendimtaret e vetme në ecurinë e integrimit, PD-ja duket se po punon për të adresuar aspiratën e radhës të shqiptarëve, të cilët që në krye të erës demokratike thërrisnin se “e duam Shqipërinë si e gjithë Europa”. E ndërsa Partia Demokratike erdhi në pushtet si ndërtuese e sistemit të ri demokratik, etapa e dytë e misionit të saj publik është integrimi i vendit. Dhe në të dyja etapat e punës së saj, armiku më madhor që është vënë sërish në eficencë marketuese është komunizmi dhe rreziku për të, i cili është prezent në Partinë Socialiste.

PD duket se po tematizon pushtetin (1) duke përforcuar edhe imazhin e saj si kontribuuese në proceset e demokratizimit të vendit në linjë edhe me sloganet që e udhëhoqën në rrugëtimin e saj drejt pushtetit dhe (2) duke internalizuar te njerëzit frikën ndaj komunizmit. Nëpërmjet këtyre taktikave për internalizimin e frikës dhe militarizimin e mendjes, komunizmi është kthyer si një kujtesë negative në memorien kolektive të shqiptarëve vulnerabël, çka duket rezultative për këdo që e përdor. Dhe kjo taktikë që po përdor Partia e Demokracisë nuk është aspak e ndryshme nga ato taktika që përdorte sistemi komunist për të internalizuar te shqiptarët frikën kundër imperializmit amerikan dhe shovinizmit grek etj., që gjithmonë kërcënonin vendin.

Por, diskursi politik gjithmonë pozicionohet përballë atij ekonomik. Rrotacioni i sistemeve në vitet ’90 u shoqërua edhe me njëfarë rritjeje ekonomike, çka krijoi një perceptim pozitiv mbi demokracinë dhe efektet e saj në mirëqenien sociale. Kjo gjë solli një prirje dhe motivoi elektoratin të dilte në mbrojtje të demokracisë. Kështu, frika ndaj antikomunizmit do të ishte simboli që motivonte vendimmarrjen e dëshiruar, dhe pavarësisht se shqiptarët ishin të mësuar ndaj mësymjeve të autoritetit, në logjikën dhe ndërgjegjen e tyre, nëpërmjet të gjitha teknikave të mundshme të propagandës, demokracia tashmë ishte për ta simboli i mirëqenies ekonomike dhe arsye e fortë e vendimmarrjes elektorale. Dhe megjithëse në 22 vitet e demokracisë shqiptarët kanë parë shumë mospërputhje ideologjike të partive, konflikte të dhunshme, kolapse katastrofike etj., në historinë e zgjedhjeve shqiptare duket përherë një prirje për të kërkuar rrotacion politik, atëherë kur situata ekonomike është dëshpëruese, sikurse ndodhi në ‘91-in, ’97-n, apo 2005-n. Kjo nevojë përforcohet po të konsiderojmë konsumin politik të partisë në qeverisje.

Ndërkohë që sot, të dhënat zyrtare për situatën ekonomike po na injektohen me doza optimizmi, realiteti i familjeve shqiptare është i pashpresë. Rritja ekonomike e pretenduar nuk po prodhon as punësim, as të ardhura dhe për më keq kjo rëndon në familjet me të ardhura të ulëta, duke vështirësuar jetesën dhe duke rritur hendekun ekonomik e social. Përkeqësimi i treguesve ekonomikë që karakterizojnë zhvillimin e qëndrueshëm, që veçanërisht gjatë vitit 2012 ishte në vlerat më të ulëta që prej vitit 2009, realisht është faktor ndikues i vendimmarrjes elektorale.

Duke kuptuar apo jo se procesi i formimit të opinionit publik dhe vendimmarrja politike sjell më shumë reagim popullor kur paraqiten problemet ekonomike, duket se PD-ja ka intensifikuar retorikën ideologjike duke iu rikthyer luftës kundër komunizmit, rrezik që paraqitet të vijë nga PS-ja, elementët brenda saj apo politikat që aplikon. Kjo duket si një taktikë për të zbehur problematikat reale, duke improvizuar kështu probleme të jashtme, më shumë në rrafshin ideologjik dhe psikologjik. E me gjithë akuzat, duket se taktikat që PD-ja në qeverisje po aplikon, janë njësoj komuniste sa ato që aplikoheshin në sistemin e vjetër, që ata rrëzuan; nëpërmjet improvizimit të armiqve imagjinarë, promovimit të një realiteti optimist, manipulimit të informacionit, imponimit të rregullave të lojës etj.

Në një analizë më të thellë, edhe brenda partive politike kryesore duket të reflektohen mentalitete autokratike, borgjeze, prepotente e komuniste, ashtu sikurse është e qartë se ato nuk pasqyrojnë filozofinë politike përkatëse. Pavarësisht kësaj, shqiptarët e ndjeshëm ndaj ideologjisë janë ndarë në përkatësi politike të ndikuar më shumë ndaj kësaj të fundit, ndërsa ndikimi nga çështjet si element i vendimmarrjes elektorale më shumë ka filluar të ndihet në dekadën e fundit, çka duket edhe në rritjen e numrit të votuesve të lëkundur. Për më tepër, intensiteti i problematikave tradicionalisht ka gjeneruar pjesëmarrje të lartë të votuesve në zgjedhje, si një mundësi për të kontribuar në ndryshim, me gjithë sistemin elektoral të debatueshëm dhe të ndryshueshëm, që më tepër ka komoduar partitë politike sesa përfaqësimin e publikut. Nga ana tjetër, rezultatet e votimit kanë krijuar një perceptim negativ për efektshmërinë e votës dhe besueshmërinë ndaj zgjedhjeve, çfarë ka ndikuar në sjelljen e elektoratit ndaj procesit elektoral nëpërmjet mospjesëmarrjes.

Megjithatë, situata e tensionuar politike, natyrisht intensifikon në sasi, por edhe përmbajte taktikat elektorale që do të përdoren në zgjedhjet e afërta, çka parathotë se fushata elektorale, e cila ka nisur, do të jetë mbresëlënëse, por edhe agresive. Referuar ndikimit të strategjive të komunikimit të aplikuara deri më tani, shqiptarët paraqiten vulnerabël ndaj bombardimeve psikologjike që tentojnë të orientojnë sjelljen. Duket se sjellja e nënshtrimit të mendjes, është internalizuar te shqiptarët, si pasojë e intensitetit, nivelit të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së propagandës komuniste (madje si pasojë e kësaj, shqiptarët konsiderohen të jenë një popull i politizuar).

Kompleksiteti i taktikave politike që po lançohen mbi publikun dhe do të intensifikohen në vijim, kërkon nga shqiptarët ushtrimin e logjikës dhe racionalizimin e argumenteve të përshtatshme, me qëllim që zgjedhjet e tij politike të bëhen mbi bazën e kënaqësisë dhe dobishmërisë që përfiton prej tyre. Kjo zgjedhje duhet të balancojë interesin personal që reflektohet në gjendjen e tij ekonomike, apo në situatën e përgjithshme sociale përballë bombardimeve ideologjike, ndonjëherë amorale, që vijnë nga kandidatët për pushtet, që shpeshherë i konsiderojnë votuesit si irracionalë dhe të nxitur nga qëllime dhe dëshira momentale.