Përse shqiptarët nuk reagojnë as pas protestave më vetëdjegie

0
36

TemA, 13 Tetor 2012

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, psikologja Erika Melonashi, ka shpjeguar se shqiptarët po mbyllen në guaskën e tyre të individualizmit dhe nuk po reagojnë as pas protestave me vetëdjegie.

“Në kontekstin e reagimit (apo mosreagimit) të shoqërisë shqiptare në lidhje me rastin e Gjergj Ndrecës, mund të thuhet se fatmirësisht (ose fatkeqësisht) nuk jemi shoqëria e vetme që tregojmë indiferentizëm ndaj ngjarjeve të tilla. Historia ka treguar se shpjegimi i aktit të imolimit me arsye si çrregullimet mendore, ose ndrydhja e dimensioneve të ngjarjes në nivel individual dhe jo kolektiv janë cilësuar si dy arsyet primare.

Përsa i përket çështjes së parë, duhet pranuar se rastet e çrregullimeve mendore që çojnë në djegie të individit mund të ekzistojnë, por ka një dallim të rëndësishëm mes këtyre rasteve dhe imolimit të mirëfilltë. Kështu, në çastet e çrregullimeve mendore nuk mund të identifikohet një motiv konkret dhe i dukshëm, i cili ka lidhje me një kauzë sociale. Përsa i përket aspektit të dytë, duhet theksuar se akte si imolimi kanë efekt mbi shoqërinë vetëm në ato raste kur fokusi i vëmendjes zhvendoset nga individi drejt kauzës dhe komunitetit. Pra, momenti kyç është kur komuniteti sensibilizohet për rolin e vet në këtë ngjarje dhe për arsyet me natyrë jo vetëm individuale, që kanë çuar individin drejt një akti ekstrem”, pohon psikologja.

Gjithashtu ajo thekson faktin se shoqëria shqiptare po i largohet solidaritetit.

Për fat të keq duhet pranuar se reagimet e shoqërisë shqiptare ndaj këtij akti reflektojnë një komunitet, i cili po humbet gjithmonë e më shumë vlerat kolektive dhe po mbyllet në guaskën e vet të individualizmit. Duke lënë mënjanë çfarëdolloj ngjyrimi politik, është tërësisht e domosdoshme që shoqëria shqiptare të rishikojë vlerat dhe parimet mbi të cilat po qëndron dhe të pranojë pjesën e vet të përgjegjësisë, qoftë edhe në akte të tilla ekstreme të imolimit”, nënvizon Melonashi.

Ajo citon një sociologun Michael Biggs, ku për periudhën 40 vjeçare (1963-2002), numri i rasteve të imolimit ka arritur në 3000 vetë.