Nga Faktor Plus
Aktorët më të rëndësishëm politikë në vend, që mbikëqyrin sistemin e drejtësisë dhe reformat në të, vunë gishtin sot te problemi më i madh që ka bllokuar reformat në sistemin e drejtësisë, mungesën e bashkëpunimit politik mes dy palëve. Në Konferencën e organizuar nga projekti evropian për drejtësinë, EURALIUS, presidenti Bamir Topi, por dhe ambasadori i BE në Shqipëri, Helmut Lohan, bënë apel për një bashkëpunim sa më të shpejtë mes palëve politike në vend për të tejkaluar bllokimin e reformave.
Por thirrja e tyre është një zë në shkretëtirë dhe thuajse e padobishme. Duke qenë se Presidenti i Republikës, Kryeprokurorja e vendit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian janë autoritetet më të larta dhe përgjegjëse në njëfarë mënyre për reformat në drejtësi, ata nuk mund ta mos e shikojnë më realisht problemin që ka bllokuar këto reforma. Reformat në drejtësi, por dhe në çdo aspekt tjetër të shtetit ligjor në vend, do të jenë të bllokuara, për aq kohë sa vendi do të jetë në krizë politike. Bojkoti parlamentar i opozitës nuk është një faktor që mund të anashkalohet. Pa u zgjidhur çështja e krizës politike, çdo problem tjetër do të jetë i pazgjidhur.
Në këto kushte, energjitë e aktorëve kryesorë politikë dhe diplomatikë duhet të orientohen te gjetja e një plani për të zgjidhur krizën e besimit politik në vend dhe jo te konstatimi se kriza politike po pengon reformat. Që kriza politike pengon reformat, është e qartë dhe s’ka nevojë të vihet alarmi për të, pasi ajo është pasojë. Shkaku qëndron te mungesa e një plani për ta zgjidhur këtë krizë.
Kështu, Presidenti i Republikës, por dhe diplomatët e lartë perëndimorë në vend, duhet të harxhojnë më shumë energji për t’i bindur palët të shkojnë drejt një plani për zgjidhjen e krizës politike.
Qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk ka ofruar asnjë plan për zgjidhjen e krizës, por e ka konsideruar ogurzi vendimin e opozitës. Nëse qëndrohet në këto pozicione, nuk do të ketë perspektivë për të zgjidhur krizën politike.
Status-quo-ja e krizës politike do të brejë pak nga pak sistemin politik në vend dhe do të degradojë institucionet, përfshi dhe ato të drejtësisë. Mënyra se si po mbyllen çështjet më të nxehta korruptive në vend, siç është Dosja Basha, Dosja Fazlliç dhe Dosja Mediu, ku përfshihen në mënyrë indirekte kryeministri Berisha, djali dhe vajza e tij, tregon se sa të interesuar janë zyrtarët e shtetit shqiptar që të kontrollojnë drejtësinë dhe të ruajnë krizën politike si arsyetim për të shtuar presionin mbi drejtësinë. Në këto kushte, çdo përpjekje për reformë në vend, sidomos në drejtësi, është e kota.
Në radhën e punëve është kriza politike në vend dhe gjithë kontributi duhet të adresohet për ta zgjidhur atë. Përvoja ka treguar se dy partitë kryesore mund të bashkëpunojnë fare mirë dhe të shesin shtrenjtë bashkëpunimin e tyre në reformat ligjore. Por, para se të shkohet te bashkëpunimi, duhet të krijohet një klimë mirëbesimi mes tyre, dhe presidenti Topi, ambasadori Lohan dhe aktorë të tjerë të jetës politike dhe diplomatike duhet të harxhojnë energjitë e tyre në këtë drejtim.