Përse qante kot Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan?

2
40

Kimete Berisha, 16.05.2015

Këtu, trupi im është pa dashuri, o Zot!” A e patë se si qante Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan! Ashtu qahet, kollaj, dhe me elegancë, dhimbshëm dhe trishtueshëm, krejt si Dylan Thomas.

Nuk i përbinte lotët, siç i përbijnë meshkujt shqiptarë që (për krenari) u vjen inat të qajnë edhe në zorin më të madh, e prandaj edhe e kanë shpikur idiomën “vaji i burrave është kënga”. Presidenti turk qante pa i ndodhur asgjë e keqe, qante për qejf, për dashuri ndaj Zotit, qante për një poezi, dhe nuk i linte lotët të rrjedhnin, por i fshinte para se ata të grumbulloheshin në bishtin e syrit të tij të zi.

Dhe, ti nuk e dije se a po qan Presidenti Erdogan, apo po do të qajë. Ata lotë që nuk ia pamë i fshihte dhe i fshinte me mindil të kaltër mavi, derisa përulej lehtë dhe i mbante të dy duart në faqe, si shenjë e një pikëllimi të thellë. Kur njerëzit jetojnë gjatë së bashku, i marrin zanatet e shoqi-shoit, dhe gati bëhen kipc i njëri-tjetrit. Prandaj, njejtë siç qante Presidenti, si e programuar qante me të njejtat gjestikulacione edhe gruaja e tij, e cila po ashtu, e prekur thellë nga poezia e vajzës shqiptare, i parandalonte lotët e saj të rrjedhnin me mindil mavi.

Ku mos me qajt! Kur filloi ceremonia e hapjes së xhamisë në kalanë e Prezës, vajza shqiptare në gjuhën turke, dhe në emrin e të gjithë shqiptarëve, Presidentin turk e quajti “Presidenti ynë, Prijësi ynë“. President i Shqipërisë është Bujar Nishani (e di vajza), ama President shpirtëror i myslimanëve shqiptarë është Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan.

E duan, E adhurojnë. E ndjejnë. Se i ka magjepsur. I ka bërë për vete. U jep shpresë. Pse jo mbasi mundet! Dashuria i takon atij që e fiton, dhe lufton për të. Vajza shqiptare recitonte një vjershë në gjuhën turke. Dhe, nëpërmjet vargjeve poetike ankohej para Presidentit turk se si “minaret në shtetin shqiptar janë pa zë” (a bërtasin gomerët arabë në ato minare, a nuk bërtet kush?!).

E ankonte Shqipërinë si një vend pa dashuri, me vargun “Këtu trupi im është pa dashuri”.
Ajo kërkonte nga Zoti dhe nga Presidenti turk mjaltë ose zgjoje bletësh, ashtu diçka. Nuk e kuptova (dhe shumë do të doja ta kuptoj) çfarë deshi të thotë kur tha: “Ose ndaje vendin e mbetur pa askënd, ose mos na lë pa çoban“.

Nëpërmjet vargjeve poetike vajza kërkonte që Shqipëria të mos mbetet pa luftëtarë të xhihadit: “Mos e lë pa luftëtarë sheshin e xhihadit, o Allah“- tha (vajza në mënyrë paqësore?!). E kur përmendet xhihadi, krejt bota trishtohet, trishtohemi edhe ne, anipse e dimë se xhihadi është obligim i myslimanëve (me K’uran’). Nuk trishtohen vetëm Kryeministri dhe Presidenti shqiptar, të cilët kanë lejuar që një vajzë e vogël ta “shpall” Shqipërinë “shesh i xhihadit” (e ka shpallë Sytari ashtu, që e mbushi këtë vend me xhamia, se ai e drejton medresenë në Shkodër, ku e ka mësuar poezinë vajza shkodrane…).

Nga ajo poezi, unë e veçoj vargun, që mua më pëlqeu shumë, kur vajza iu drejtua Zotit e i tha: “Ti mos na lërë neve pa Ty“. Presidenti turk është një dashamir i madh i poezisë dhe qan shpesh kur dëgjon poezi, në rast nevoje Presidenti Erdogan është në gjendje të shkruaj edhe vet poezi, dhe të recitojë, gjithësesi.

Kështu, një herë e rrezikoi lirinë e tij vetëm për një varg poetik. Në vitin 1997, në qytetin Siirt, Presidenti turk e recitoi një poezi të shkruar (në fillim të shekulli 20-të) nga aktivistja pan-turke Ziya Gökalp, për shkak të së cilës u dënua me 10-të muaj burg. Poezia, sherri i së cilës Presidenti Erdogan qëndroi katër muaj në burg (Prill-Korrik 1999), thoshte: “Xhamitë janë kazermat tona, kupolat janë helmetat tona, minaret janë bajonetat tona dhe besimtarët janë ushtarët tanë“. Këto vargje Erdogan i “qiti” prej vetes, se nuk ishin vargje në poezinë origjinale të autores.

P.S. Po dua të them: Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili me dinjitet të madh, e mbrojti pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në Beograd, nuk ia doli (me të njëjtin dinjitet) ta mbrojë shtetin shqiptar në Tiranë.

Nuk ke se si e mbron Kushtetutën nga adhurimi popullor i masave të gjëra të shqiptarëve myslimanë ndaj Presidentit Erdogan. Presidenti shqiptar, për të mos ia humbur disponimin Presidnetit turk, shkoi shumë larg, e fshehu nga sytë e tij edhe shpatën e Skënderbeut. Kaq e madhe është karizma e Presidentit Erdogan!