Përse PD-ja nuk mendon si Basha dhe Olldashi?

0
43

Nga Mero Baze, 13 Korrik 2013

Ka dy qasje në fushatën formale të kandidatëve brenda PD-së. E para është qasja e dy kandidatëve ndaj besimit që duhet të ngjallin për të rikthyer PD në pushtet pas katër vitesh, dhe e dyta, qasja që kanë mbështetësit e tyre për garën.

Të dy kandidatët janë tmerrësisht të kufizuar në të drejtën për të bërë fushatë, pasi nuk u lejohet të kenë mbështetës publik, nuk u lejohet të debatojnë, nuk u lejohet të kenë staf publik, nuk u lejohet të propozojnë ekipin në hije të PD-së, nuk u lejohet të kenë akses në listat e votimit, nuk u lejohet të flasin për qeverisjen e PD-së apo problemet e saj etj. Ata kanë leje vetëm të thonë që Sali Berisha është i pazëvendësueshëm dhe që kundërshtari i tyre tashmë në pushtet është një figurë e zezë.

Por kufizimi më i madh në fjalorin e tyre është pamundësia që kanë të vizatohen si lider, qoftë dhe të PD-së. Aq të kompleksuar janë nga historia e qeverisjes kriminale të Partisë Demokratike, sa jo vetëm që nuk distancohen prej saj, por përpiqen t’i kthejmë në sistem vlerash gjëra të rënda, për të cilat një njeri duhet të ikë jo nga politika, por dhe nga sytë e qytetarëve të lirë. E kam fjalën për 21 janarin. Dëgjova Sokol Olldashin të përgjigjej për qëndrimin e tij ndaj kësaj vepre kriminale të kryeministrit dhe ish- Ministrit të Brendshëm dhe nxitoi të paraqitej si një alternativë më kriminale se ajo e Berishës dhe Bashës. Është fjala për vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm, të pambrojtur, të paarmatosur dhe të parrezikshëm, që po rrinin me duar në xhepa para kryeministrisë në një protestë normale politike. Është fjala për tetë fëmijë jetimë të lënë nga Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.

Është fjala për një precedent të rëndë të një regjimi që u rrëzua mes të tjerash se vrau. Është fjala për një qëndrim, i cili ndan në mënyrë të prerë lirinë nga diktatura dhe demokracinë nga regjimet autokrate të korruptuara. Nuk presim ndonjë qëndrim nga Lulëzim Basha për këtë çështje se ai është autor i krimit dhe një ditë dikush do t’ia tregojë vendin për atë që ka bërë, edhe sikur drejtësia të dështojë. Qëndrimi i Sokol Olldashit në këtë pikë mund të bënte diferencën në faktin se Partia Demokratike nuk do ta konsideronte si sistem të vlerave të saj vrasjen politike. I kompleksuar ngaqë nuk është i përzgjedhur i Familjes, i qartë se do të dalë nga kjo garë me 30 përqind të votave, i frikësuar se kjo garë mund t’i kushtojë dhe karrierën e mëtejshme në PD, ai ka bërë një gabim fatal, duke tentuar të kthejë në vlerë faktin që paraardhësi i tij, bashkë me rivalin e tij, kanë vrarë.

Është pak a shumë ajo që vizaton Spartak Ngjela për gjyshin e tij në burgun komunist të Spaçit, që edhe pse i burgosur nga Enver Hoxha dhe viktimë e luftës së klasave, donte që në burg të vazhdonte lufta e klasave. Donte doemos që Ai lart, Enveri, ta merrte vesh që ky nuk ia kishte pasur me hile. Edhe Sokoli, me sa duket si i gjyshi, edhe pse po zbohet nga partia, kërkon t’i thotë Atij se nuk ia ka me hile dhe nuk ka për t’i dalë kundër as për vrasjet. Është si një betim mafioz për padronin nga ushtarët e tij të dëshpëruar. Por është mbi të gjitha një shenjë reale, që nga kjo garë nuk do të lindë asnjë vizion për PD-në e re, por do jetë një repart bodigardësh për krimet e Familjes.

Mora shembullin e 21 Janarit, dhe më keq akoma qëndrimin ndaj vrasjeve të katër qytetarëve, pasi kjo është një çështje që bën diferencën mes një njeriu të lirë dhe një njeriu peng tek krimet. Nuk përmenda Gërdecin, rrugën e vjedhur të Kombit, vjedhjen e votave në Tiranë dhe fenomene të tjera që rrënuan praktikisht pushtetin e PD dhe nxitën urrejtje popullore kundër saj. Është fyese për shqiptarët të dëgjojnë tani figura të PD-së të thonë se humbi nga arroganca me elektoratin apo nga parfumet e ministrave. Edhe pse është shumë fshatare si parti, nuk besoj se njerëzit mërziten nga parfumet dhe as bëjnë revolucion pse janë ministra mendjemëdhenj. Shqiptarët dolën masivisht në zgjedhje kundër tyre se vodhën dhe nuk u dënuan, vranë dhe nuk u dënuan, prishën zgjedhjet dhe nuk u dënuan, dhe deshën të na e shisnin këtë si vlerë. Kush nuk kupton atë që ka ndodhur, nuk do të ngrejë kurrë më kokën në politikën shqiptare.

Por në kundërshtim me qasjen koreano-veriore të dy kandidatëve, mbështetësit e tyre poshtë janë më seriozë në mbrojtjen dhe kundërshtitë e tyre. Edhe pse dukej vulgare paksa, ndoqa replikat e Fahri Balliut dhe Elvi Fundos me njëri- tjetrin. Fariu është një mbështetës i Lulëzim Bashës. Ka marrë prej tij 130 milion euro punë publike për ndërtimin e mbikalimit të Tiranës, rrugës Levan- Vlorë dhe Fratar- Tepelenë, pa pasur asnjë traktor sovjetik në pronësi dhe pa asnjë lidhje me këtë biznes. Ndoshta drejtësia do të merret me abuzimin e tij dhe do ta ndajë ndoshta ca kohë nga kunata që përdori në këtë histori, por kjo është çështje tjetër. Elvi Fundo është këshilltari për shtyp i Ridvan Bodes, militant i thekur i PD-së, nga ata që rrinë në oborr të PD-së dhe kur PD i zë me gurë.

Në debatin mes tyre kishte qëndrime shumë më të sinqerta. Balliu për shembull e akuzonte Fundon se duke mbështetur Olldashin, ata donin të ndryshonin Partinë Demokratike dhe të vinin në krye të saj njerëz të tyre. Fundo nga ana e vet bënte akuza shumë më serioze. Guxonte dhe thoshte se Balliu është njeriu që ka ndërtuar fabrikën e Gërdecit, që ka bërë korrupsion me tekstet shkollore apo tenderët e rrugëve, dhe që ka qenë lidhje e vejtur e Sigurimit. Ky debat është ku e ku më intelektual dhe i vërtetë, edhe pse me terma vulgarë, se gjuha e hekurosur e Olldashit dhe Bashës, që përpiqen t’i japin garanci Sali Berishës për krimin që i ka bërë Shqipërisë dhe vetë Partisë Demokratike. Ky është debat më real, pasi prek arsyet reale pse humbi PD-ja. Ajo parti u zbua nga pushteti me urrejtje pikërisht për ato tematika, për Gërdecin, për tenderët e rrugëve, për shkatërrimin e universiteteve dhe të gjitha këto, duke qenë se njerëzit e pushtetit kanë dashur të vjedhin.

Njerëzit poshtë janë më realistë dhe të përgjegjshëm se ata që tentojnë t’i përfaqësojnë. Është kjo arsyeja që Sali Berisha u tërbua dhe e shkarkoi menjëherë këtë militant të PD-së nga detyra, prej së cilës do ikte në shtator. Është kjo arsyeja pse Sali Berisha edhe pse bën sikur është dorëhequr, nuk i lejon kandidatët të debatojnë për njëri- tjetrin, të kenë mbështetësit e tyre, të kenë stafet e tyre dhe qëndrimet e tyre kritike për qeverisjen e PD-së. Është kjo arsyeja që ka gjetur dy manekinë, njërin që e ka përdorur për të vjedhur dhe për të vrarë, dhe tjetrin për të mbuluar vjedhjet dhe vrasjet. Ky i dyti në fakt ta shpif më shumë pikërisht për rolin që ka marrë.