Përse nuk duhet zgjedhur sërish rruga e bojkotit

0
54

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Opozita shqiptare, e cila bëri betimin në parlament, po lë të kuptohet se do të dalë sërish në rrugë nëse shumica parlamentare nuk reagon ndaj kërkesave të tyre. Ky nëntekst ka ngritur tensionin në qeveri, dhe duket se ka zbehur dukshëm entuziazmin nga hyrja e opozitës në parlament. Ky gjest po ashtu ka rihapur debatet mes kritikëve të zotit Rama brenda PS dhe mbështetësve të tij. Në të vërtetë raporti i opozitës me parlamentin, pra beteja e saj gjashtëmujore jashtë parlamentit, ngriti vëmendjen ndërkombëtare dhe kombëtare ndaj procesit të transparencës së zgjedhjeve. Dritëhijet e kësaj beteje qëndrojnë vetëm te momenti kur opozita vendosi të ndërpresë bojkotin.

Edhe pse u pa dukshëm që aleatët ndërkombëtarë të socialistëve rekomanduan hyrjen në Kuvend, fakti që vendimi u mor një javë para një afati të debatueshëm për djegien e mandateve, lë të nënkuptohet një shmangie të qëllimshme të këtij debati nga zoti Rama, dhe dëshirën për të mos u ballafaquar me pasojat e shantazhit të Berishës. Duket qartë se zoti Rama nuk kishte sigurinë e duhur për t’i hyrë kësaj beteje, qoftë edhe sikur sot të deklaronte se do të hynte në Kuvend më 15 mars, pra dhjetë ditë pas kalimit të afatit të shantazhuar prej Berishës, për ta bërë më të plotë fitoren e tij. Duke qenë politikan pragmatist dhe pa shumë dëshirë për të rrezikuar, ai vendosi të përdorë këshillat publike të aleatëve të tij në Perëndim për t’i dhënë fund betejës jashtëparlamentare. Ky është një gjest që përputhet tërësisht me mandatin dhe kompetencat e tij si kryetar i votëbesuar i asaj force politike.

Tashmë që kjo betejë mori fund, kërcënimi i sërishëm me bojkot është i pakuptimtë. Është i pakuptimtë, pasi së pari tashmë dalja nga parlamenti nuk quhet më bojkot, por mungesë pa arsye në punë, pra nuk është më çështje politike, por administrative. Është e palogjikshme që kjo gjë të zgjasë sërish gjashtë muaj dhe pas gjashtë muajsh të vijë sërish zoti Svoboda në Tiranë dhe të këshillojë hyrjen në Kuvend. Betejë jashtëparlamentare ishte ajo që nuk përfillte mandatet. Të drejtën për ta peshuar atë vendim e ka vetë Partia Socialiste dhe tashmë që ajo mori vendimin që të mos përballet me pasojat e shantazhit të Berishës për mandatet, nuk ka pse bën sërish gjestin e të fortit, duke kërcënuar me dalje nga Kuvendi. Beteja jashtëparlamentare e opozitës dha frytet e veta dhe tashmë ne duhet të shikojmë sa fryte do të japë beteja parlamentare e opozitës.

Hyrje-daljet e opozitës në Kuvend mund të ndodhin, ashtu siç mund të ndodhin gjeste bllokuese të seancave apo braktisje të tyre. Këto janë forma të njohura të betejave parlamentare. E vetmja fjalë që nuk u shkon më për shtat socialistëve është fjala bojkot. Mirë apo keq, ata e përdorën atë mjet politik si presion dhe nuk është se nuk morën rezultat. Tashmë që nuk patën kurajë që edhe formalisht ta kalonin datën 6 mars qoftë dhe për disa ditë, nuk ka arsye të tregojnë sërish muskujt për bojkot, pasi sërish do të na duhet të dëgjojmë arsye të tjera pas gjashtë muajsh për rrogat e djegura apo heqje të mandateve, të cilat në këtë rast, pra gjashtë muaj pas hyrjes në Kuvend, janë qartazi të djegshme.

Nëse opozita ka forcë për të kërcënuar pushtetin, ajo ka rrugën, ka protestat ndoshta dhe deri në rrëzimin e qeverisë. Ajo është forcë reale e një force politike dhe jo aksionet gjashtëmujore jashtëparlamentare, të cilave Berisha tashmë ua di fundin: mbyllen gjithmonë një javë para mbylljes së gjashtëmujorit.