
Nga Mero Baze
Ndihmës zëvendës/sekretar i Shtetit Thomas Countryman, duket se futi në normalitet mënyrën se si duhet të tejkalohen problemet e prodhuara dhe të sajuara nga 21 Janari, me dhënien fund prej Berishës të teorisë së puçit të shtetit dhe dorëzimin e dy të dyshuarve të parë për vrasës nga garda, e cila veproi nën komandën e tij. Shihet qartë po ashtu se ai është përpjekur të ndalë retorikën e opozitës për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale, e artikuluar pas klimës vrastare për një shoqëri demokratike që u krijua nën paranojën e Sali Berishës për grusht shteti dhe luftës kundër institucioneve të pavarura. Ky sukses diplomatik i zyrtarit më të rëndësishëm amerikan për Ballkanin na qetëson nga pasojat, por na rikthen në mesditën e 21 janarit, në momentin kur demonstrata ende nuk kish nisur dhe vrasjet ende nuk ishin kryer. Pyetja thelbësore që vazhdon të bëhet është e thjeshtë, a ishte artificial apo natyral zemërimi i 21 Janarit apo ishte një imitim i skenarëve tuniziano-egjiptianë? A është frymë politike në shoqërinë shqiptare ai zemërim dhe a duhet gjetur një zgjidhje politike për të?
Dinamika e ngjarjeve tona nuk imiton Tunizinë apo Egjiptin për arsyen e vetme se ne jemi një vend evropian me infrastrukturë politike të zhvilluar, me institucione dhe parti politike. Ne kemi shpëtuar nga pasojat dhe dinamika e atij skenari pikërisht pse kemi opozitë. Fakti që ne kemi opozitë, bën që të rritet përgjegjshmëria dhe gjaku i katër qytetarëve të vrarë të mos errësojë arsyen dhe t’i vihet zjarri Shqipërisë. Fakti që ne kemi opozitë bëri që pasojat e paranojës së Sali Berishës pas 21 janarit të fikeshin nga diplomacia perëndimore. Ashtu sikurse theksoi dje diplomati amerikan, ne nuk jemi vendi i vetëm evropian që bëjmë demonstrata të dhunshme, nuk jemi vendi i vetëm evropian me skandale korrupsioni, nuk jemi vendi i vetëm evropian me probleme zgjedhore, por natyrisht jemi nga vendet e vetme evropiane që nuk dimë t’i zgjidhim pasojat e këtyre defekteve serioze. Në këtë pikë eliminimi i pasojave nga fanitjet paranojake të Sali Berishës ka rëndësi jo aq për rrezikun që ato paraqesin, se sa për ushtrimin e një gjimnastike demokratike të institucioneve tona në raste të ngjashme më vonë. Sali Berisha, edhe pse autosugjestionohet me idetë e veta paranojake, kur e prodhon këtë ide është i qetë. Ai thjesht donte të krijonte një problem pas 21 janarit që Perëndimi të merrej me zgjidhjen e tij dhe të harronte vrasjet. Tashmë ky problem u zgjidh dhe bashkë me to po heton dhe vrasjet. Ndaj është koha që opozita të merret me problemin e saj që nis para 21 janarit dhe që është përfaqësimi real i zemërimit të shoqërisë shqiptare dhe të nxjerrë prej saj produktin e vet politik.
Debati është nëse Shqipëria i ngjan Tunizisë apo Egjiptit në zemërimin e saj? Arsyet janë të njëjta. Rrotull Mesdheut po shemben regjimet e korruptuara dhe në këtë pikë ne ngjajmë në shkaqet përse protestojmë. Por ne kemi ndryshim thelbësor nga kultura politike e atyre vendeve, pasi ne kemi një infrastrukturë formale politike perëndimore, dhe kemi dy blloqe politike solidë në pushtet dhe opozitë. Pra zemërimi jonë është i përfaqësuar. Ne jemi vend me opozitë. Për këtë arsye opozita jonë nuk duhet të bjerë mbi të gjithë në kurthin e moskontrollit të zemërimit popullor. Ajo nuk ka pse ngatërrohet në terma të tillë. Ajo as e kontrollon dhe as e prodhon zemërimin popullor, ajo duhet ta përfaqësojë atë dhe të marrë gjithë përgjegjësitë për zbutjen e tij përmes aksionit politik. Përpjekja për ta larguar atë nga administrimi i presionit të shoqërisë për zgjidhje politike të krizës, është në të vërtet një skenar tunizian. Kjo është po ashtu më e rrezikshme se sa fanitja e Sali Berishës për puç shteti, pasi nëse Berisha vazhdon të bëhet qesharak me paranojën e vet, njerëzit vazhdojnë të bëhen agresiv me perspektivën e munguar të tyre. E vetmja zgjidhje që shfryn zemërimin dhe jep shpresë janë protestat. Kjo bën diferencën tonë me vendet arabe. Opozita nuk ka asgjë në dorë për të ndryshuar jetën e qytetarëve nëse nuk proteston bashkë me ta dhe nëse nuk përfaqëson zemërimin e tyre. Pavarësisht mënyrës se si do t’i organizojnë protestat, pavarësisht nëse do t’i bëjnë çdo të premte apo çdo ditë, opozitarët e këtij vendi duhet të mos humbasin të vetmin mekanizëm që kanë për të prodhuar politikë.
Përpjekja për ta larguar opozitën nga protesta, më shumë se sa për t’i dhënë qetësinë e duhur një pushteti të inkriminuar dhe të korruptuar, është një përpjekje për të delegjitimuar opozitën dhe për ta defaktorizuar atë. Kjo do të vriste përfundimisht shpresën dhe do na kthente në kushtet klasike të skenarit tunizian, ku populli doli në rrugë pa pasur fare opozitë dhe ende nuk zgjidhin dot çështjen e administrimit të boshllëkut që la ikja e regjimit. E vetmja mënyrë që ne mos t’i ngjajmë Tunizisë apo Egjiptit është që në këtë betejë qytetarët e zemëruar të kenë opozitën e tyre institucionale. Ndihma e madhe që po jep diplomacia amerikane dhe ajo evropiane për të krijuar një kulturë të gjykimit të pasojave pas protestave të tilla si 21 janari është një garanci e re për shtetin ligjor dhe për ata që vrasin për arsye politike qytetarë të pafajshëm. Kjo nuk ka të bëjë fare me arsyet përse njerëzit duhet të dalin në rrugë. Pas 21 janarit mund të ketë dhe një arsye më shumë për të protestuar kundër Berishës me atë që bëri, por dhe pa atë, asnjë arsye nuk ka rënë nga para 21 janari. Por mbi të gjitha nuk ka rënë dhe nuk duhet të bjerë opozita. Kjo është një siguri e madhe dhe një diferencë e madhe që bëjmë me Tunizinë apo Egjiptin, ku dinamika e ngjarjeve nxori jashtë loje diplomacinë, institucionet dhe vetë opozitat e dobëta të atyre vendeve jo të lira.







