Nga Mero Baze
Sali Berisha reagoi dje i shqetësuar pasi opozita i ka përgojuar vajzën si një nga aktoret e blerjes së mandatit të Tiranës. Me sa kuptoj bëhet fjalë për deklaratën e deputetit Balla, i cili akuzoi Argita Berishën se ka pritur një gjyqtare në zyrë dhe ka paguar për t’i grabitur opozitës mandatin e Tiranës. Më tej vijnë shifra marramendëse që shkojnë nga 500 mijë për trupin gjykues në 40 milionë euro për infrastrukturën e blerjes së votave në Tiranë. Nuk kam ndërmend të komentoj besueshmërinë e tyre.
Nga gjithë kjo histori deri diku mund të besoj që një gjykatëse me emër allaturka ka shkuar në zyrën e Argitës një ditë para votimit dhe kjo më duket shumë e rëndë nëse ka ndodhur. Historia e pareve, e mijëra eurove dhe miliona të tjera, janë histori të panevojshme për tu treguar nëse flasim për një regjim. Diferenca mes regjimeve dhe qeverive të korruptuara është se regjimet i zgjidhin problemet me forcën e frikës dhe kthimin e institucioneve në shërbëtore të pushtetit, ndërsa qeveritë e korruptuara i zgjidhin çështjet aq sa mundin me lek.
Të më falin opozitat, por unë mendoj se Sali Berisha i zgjidh çështjet me shumë pak lek në dorë, për të mos thënë me asnjë lek në dorë. Në natyrën e regjimeve dhe të udhëheqësve të plotpushtetshëm si Berisha, pagesa për një mercenare si Meribani apo Sashenka është fyerje. Është fyerje edhe pse mund të kenë ndodhur pagesa nga të tretë për t’iu servilosur Berishës. Çështje të tilla të mprehta të pushtetit Berisha nuk i zgjidh me pare, por me inkriminim dhe leje për të qenë përjetësisht i inkriminuar pa të hyrë gjemb në këmbë.
Në këtë kontekst, mua më duket vulgare akuza që Argita e ka thirrur në zyrë Meribanin dhe ka ndarë lek me të, por më duket e tmerrshme skena nëse Argita e ka thirrur në zyrë Meribanin, t’i ketë thënë kujdes nesër dhe ajo ka bërë atë që ka bërë. Kjo e dyta është një diferencë e madhe me të parën. Nëse Sali Berisha ka paguar para, ka mbaruar. Nëse ai është detyruar të japë lek për Tomën, Sashenkën e gjithë shushkat dhe shushkot e Kolegjit, ai është dorëzuar. Unë mendoj se ky është optimizëm i parakohshëm i opozitës.
Sali Berisha është ende në fazën që nuk i paguan shërbëtorët e tij, por i përdor, i inkriminon dhe pastaj i lë të vjedhin, të marrin miliona, më shumë se sa fantazia e deputetit Balla për zyrën e Argitës. Shikojeni racën e gjyqtarëve që bënë gjyqe politike kundër Fatos Nanos në fillim të viteve 90-të, shikoni ata që dënuan gazetarët apo ata që po përdoren sot kundër meje dhe kolegëve të mi. Një tufë horrash që bëjnë shërbime politike dhe pastaj bëjnë kërdinë. Gjin Gjoni më dënon mua 200 milion lek në fshehtësi dhe pastaj liron një trafikant turk droge, i cili s’i ka për gjë 1 milion dollar, po e le të ikë siç e la Gjin Gjoni.
Shikoni djalin e Liri Belishovës, një gjyqtar që ka dënuar gazetarë anti-Berishë në fillim të viteve ‘90-të për t’i bërë qejfin Berishës dhe ka mbijetuar duke bërë para dhe pazare. I mjafton një gjyq që të mbrojë një bandit të pushtetit, që qëllon mbi gazetarët që të bëhet i përkëdheluri i pushtetit dhe të ketë leje të bëjë para me pazare pa fund. Në këtë linjë Sashenka, Toma apo Meribani, me këtë që bëjnë nuk kanë marrë para, ose kanë pranuar dhurata të papërfillshme, por ata kanë marrë licencën e gjyqtarit të paprekshëm të regjimit, që do bëjnë ç’të duan, do bëjnë kërdinë mbi qytetarët dhe mrekulli për krimin duke u pasuruar.
Ata i plotësojnë të gjitha kushtet, pasi nuk kanë më ndërgjegje gjyqtari, kanë besimin e pushtetit dhe janë në listën e personave të pandëshkueshëm të regjimit. Kjo vlen më shumë se 500 mijë euro. Turku i drogës që u lirua akuzohet për nja 200 milionë euro trafik. Vrasësit që hyjnë e dalin në burgje si në kamp pushimi vlejnë miliona. Argita nuk ka nevojë të paguajë. Nëse është e vërtetë që e ka thirrur në zyrë, unë jam i dëshpëruar pasi regjimi është i fortë dhe kërcënues për shërbëtorët e vet. Nëse ka mbërritur puna të paguajë për të mbijetuar, nuk e zë dimri.
Ndaj në këtë pikë opozita duhet të bëjë kujdes për të mos folur edhe për regjim, edhe për pazarxhinj të rëndomtë. Edi Rama dhe opozita e tij kanë përballë një regjim dhe duhet të sillen si opozitë e regjimit dhe jo si opozitë e një qeverie thjesht të korruptuar, ku çdo gjë është jashtë kontrollit. Opozita e një regjimi duhet të jetë serioze në vrasjen e frikës nga regjimi, i cili është mekanizmi i vetëm nënshtrues që ai ka.
Sali Berisha tremb ende, dhe duke trembur ai prodhon një kastë të korruptuar institucionesh. E vërteta e madhe është se Sali Berisha tremb me vajzën, tremb me djalin, tremb me gruan, tremb me mbesat e gruas dhe mbesat e nipat e vet, tremb me Familjen e tij dhe kjo s’duhet kursyer. Por ai tremb për të mposhtur shoqërinë, tremb për të poshtëruar institucionet dhe për t’i shpërblyer pastaj me kockat e korrupsionit që po bren vendin.
Mos e nënvleftësoni kaq shumë duke e bërë burracak që paguan. E vetmja gjë që ai bën është se ndan shpërblime në emër të pushtetit duke i lejuar të bëhen të gjithë pis si ai dhe Familja e tij. Opozita e këtij regjimi duhet të vrasë pikërisht këtë ndjenjë frike, duhet të ngrejë moralin e kësaj shoqërie pikërisht në këtë pikë. Nëse dhe ajo flet për para, për shuma, për honorare, ajo nuk ka thënë kurrë të vërtetën, pasi ato janë më shumë se ç’thotë ajo, por jo siç thotë ajo.
Kjo na çon në një situatë ku gara bëhet tek shuma dhe të gjithë flasin se kush paguan më shumë. Nëse mbërrijmë në këtë situatë, pra nëse e perceptojmë shoqërinë si një masë e cila nuk beson tek ndershmëria, por tek ata që paguajnë më shumë, atëherë opozita bëhet e panevojshme. Ashtu si në një shoqëri pacifiste, nuk vlejnë luftërat, ashtu si në një shoqëri të korruptuar nuk vlejnë të ndershmit, ashtu dhe në një politikë ku bëhet garë për të blerë pushtetin, nuk vlen opozita.
Por unë mendoj se nuk jemi tek ky rast. Jemi përballë një regjimi dhe opozita vlen të sillet si opozitë e regjimit, si një opozitë që do të vrasë frikën, do kthejë moralin në politikë dhe do tu kthejë lirinë dhe atyre që ka poshtëruar regjimi i Familjes Berisha. Nëse heqim dorë nga fakti që kemi përballë një regjim, garën me pare nuk e fitojmë dot.







