Përse ndihem e fyer nga zonja Topalli

0
22

Nga: DESADA METAJ, 13 Nentor 2010

Pashë dje zonjën Topalli me një grup ish-të përndjekurish të diktaturës, të cilët mbanin nga një gotë plastike me “Coca-Cola” në dorë dhe nguteshin të falënderonin zonjën Topalli që u kishte sjellë më në fund lirinë për të lëvizur pa viza. Për herë të parë, diçka ma ligështoi gëzimin tim të natyrshëm. Tani e tutje, jo vetëm unë dhe zonja Topalli, që kemi viza në pasaporta, por dhe shqiptarët e thjeshtë do të kenë mundësi të udhëtojnë pa viza.

U ndjeva keq për çfarë përfaqësojnë në të vërtetë ata burra fisnikë, që janë gati të bëjnë teatër në emër të lirisë dhe çfarë ka bërë realisht zonja Topalli, jo për lirinë që ata e kanë fituar vetë, por për përpjekjet e tyre reale për të fituar lirinë nga diktatura. Midis kalvarit të tyre për liri dhe teatrit të zonjës Topalli për lirinë, ka një humnerë të madhe, e cila nuk mbushet as me gota plastike dhe kronika të montuara për ekrane, as me të qeshura dhe gëzime false dhe as me demagogji para fushatave.

Të përndjekurit nga diktuara në Shqipëri, por sidomos kundërshtarët aktivë të atij regjimi, janë nga njerëzit e pakët në këtë vend, që kanë marrë vetë vendime personale të mëdha në jetë për t’u përleshur me diktaturën, në emër të lirisë. Shumë prej tyre ishin të qartë se nuk do ta preknin lirinë dhe ashtu ndodhi.

Kështu ka ndodhur me gjyshin tim dhe ndoshta ndonjë gjysh të Jozefinës. Kështu ka ndodhur ndoshta edhe me prindërit e atyre burrave, që rrinin në këmbë të ndrojtur para saj. Kështu ka ndodhur me rreth 500 mijë shqiptarë, që u bënë viktima diskrete të atij regjimi dhe 2 milionë të tjerë, që u bënë lëndë e parë e atij eksperimenti mizor. Problemi që ata kanë sot nuk është të përdoren si ilustrim sa herë i duhen zonjës Topalli, edhe kur ajo i ka punët keq me partinë, edhe kur i ka punët keq me Kuvendin, edhe kur i ka punët keq me opinionin publik në vend.

Problemi i tyre është se ata nuk i kanë kërkuar dhe as u shkon mendja t’i kërkojnë ndonjë gjë pushtetit privat të Jozefina Topallit në këtë vend, thjesht nga ideja se nuk presin gjë prej saj. Por ata presin së paku një gjest të sinqertë nga ky pushtet, një gjest që mos t’i lidhë ata as me Piramidën që duhet shembur, as me vizat që duheshin hequr, as me statusin që duhej marrë dhe as me dosjet që duheshin hapur.

Ata kanë nevojë për një gjë të thjeshtë dhe njerëzore, për një vend që mund t’ia vëmë si të duam emrin, për një gjë së paku simbolike, që ata ta kenë si Mekën e tyre, ku të shkojnë dhe të derdhin dy pika lot për atë gjëmë që kanë kaluar. Ata kanë nevojë për një vend ku të flasin me botën e tyre të humbur e vëllezërit dhe motrat e tyre të vrarë dhe të përdhunuar nga regjimi, ku të kenë mundësi të luten për poshtërimin që u është bërë dhe të shpresojnë se drejtësia një ditë do të vihet në jetë. Le t’ia vërë zonja Topalli apo pushteti i saj si të dojë emrin këtij vendi.

Le ta quajë Monument, Obelisk, Muze, Institut, le të jetë ky një mal apo fushë, një përrua apo buzë liqeni, por duhet medoemos një vend ku ata të jenë në qetësinë e tyre, për të komunikuar me të shkuarën e tyre të hidhur, për të mos e harruar atë. Unë personalisht, që nuk e kam përjetuar të plotë diktaturën, kam nevojë të shkoj aty dhe të ndez një qiri për gjyshin tim, hallat e mia për babin e tyre, të afërmit e mi për njerëzit që nuk i kanë më. Të jetë një vend, ku qetësinë sublime të përkujtimit mos të na e fyejë askush, as ju zonja Topalli, që mendoni se të përndjekurit ju duhen për t’ju shpëtuar nga hallet e sotme që keni, në vend që ju t’u duheni atyre për të lehtësuar hallet që ata kanë trashëguar nga e kaluara.

Unë, zonja Topalli, nuk dua ta shikoj me sy Piramidën e Enver Hoxhës dhe për mua është mirë ta kishit shembur me kohë, pa harxhuar dhe ato 5 milionë euro që keni hedhur aty. Unë, zonja Topalli, nuk kam asnjë brengë nëse hiqni çdo gjyqtar të komunizmit dhe çdo prokuror të asaj kohe.

Unë, zonja Topalli, nuk kam asnjë dëshirë të përfshihem në debatin që ti provokon shpesh, me një pamje femërore për të ardhur keq, me një pakujdesi të dukshme në veshje, shpeshherë të patolerueshme për një zonjë, të cilën e kam votuar të gjitha herët.

Edhe pse më ke fyer intelektin sa here që je shfaqur në aktivitete jo politike apo ke drejtuar lëvizje qytetare femërore, për të cilat je kujdesur të shmangësh gratë e duhura dhe të bësh protagonisten mes një tufe grash të varfra, që më shumë se për kancerin e gjirit, kanë nevojë për një vend pune apo për ta ruajtur atë, sërish ta kam falur.

Edhe pse më ke fyer qytetarinë, ndërsa tribunave të Kuvendit apo gjetkë i ke pritur me zhargone dialektore burrat në sallë, të kam falur. Kurrë nuk më ka ardhur keq për fjalimet patetike në Parlament, për gjuhën varfanjake të të shprehurit apo përpjekjes për t’u treguar si zonjë e fortë kur në fakt s’ke qenë e tillë.

Të gjitha t’i kam falur deri më sot! Por teksa m’u shfaqe në këtë takim qesharak me të përndjekur politikë, që janë pjesë e dhimbjes sime dhe familjes sime dhe ku bëje kujdes që ekranet të transmetonin faktin se ata të falënderonin Ty për lirinë që do të kishin për të lëvizur, nuk munda më të fal. Sepse ju zonja Topalli nuk mund të më fyeni në genin tim familjar.

Nuk mund të përdorësh më ata mijëra njerëz, të cilët besuan tek liria dhe dhanë frymën për të qenë të lirë. Nuk mund të fyeje kujtimin e atyre që u vranë në kufi, dete e liqene, për të kapur një dritë lirie me një gotë plastike “Coca-Cola” në dorë, në një aktivitet banal dhe të organizuar keq, pa përgjegjshmërinë politike që përfaqëson dhe mbi të gjitha, pa zemër. Kjo është e tepërt!