
Rexhep Meidani, 22.01.2010
Një iniciativë e “çuditshme”. Kisha dëgjuar diçka më parë për një iniciativë apo projekt regjistrimi sipas “vullnetit të lirë” etnik e fetar të popullsisë në Shqipëri, por, duke e konsideruar si propagandë qeveritare, nuk e kisha besuar. Diku kalimthi kisha ndeshur edhe disa reagime kundërshtuese, si ato të z. S. Godos dhe z. P. Xhufit, por përsëri nuk më ishte dukur e mjaftueshme për ta vlerësuar atë si një iniciativë me potencialitet e probabilitet të lartë realizimi, sidomos në variantin e saj “të lirë” të vetëdeklarimit. Aq më tepër kur një gjë e tillë, aspak e nevojshme dhe e detyrueshme në rrafshin integrues evropian, në thelbin e vet nuk duket se do të rezultojë ndopak efektive e realiste, madje, akoma më keq, ka shanse që të mishërojë një regjistrim me shkallë të lartë deformimi, manipulimi e rrezikshmërie. Por, mesa shihet, nuk flitet më për “propagandë”, por për një proces të dukshëm të tejkalimi të saj…
* * *
Shkrimi në “Panorama”. Në gazetën “Panorama”, të datës 18 janar 2010, në faqen 9 ishte përfshirë dhe një shkrim-koment me titull “Regjistrimi i popullsisë, gati pyetësori”. Aty, radhiteshin dhe disa grupe pyetjesh. Kështu, në pyetësor në lidhje me pyetjen: “Cili është grupi etnik të cilit ju i përkisni?, alternativat e përgjigjeve ishin si më poshtë: 1. shqiptar, 2. grek, 3. maqedonas, 4. rom, 5. malazez, 6. vlleh, 7. egjiptian, 8. preferoj të mos përgjigjem dhe 9. të tjera. Ndërsa, për pyetjen “Cili është besimi juaj fetar?, alternativat e radhitura për përgjigje ishin: 1. mysliman – sunit, 2. bektashi, 3. i krishterë- ortodoks, 4. i krishterë- katolik, 5. asnjë besim fetar, 6. preferoj të mos përgjigjem, dhe 7. të tjera.
Po ndalojmë, fillimisht, në komentet mbi pyetjen e dytë. Në të vërtetë, çështja e besimit mund të shfaqet apo lidhet pjesërisht me disa tregues të jashtëm, si emri-mbiemri (për breza më të vjetër), tradita e praktika fetare, edukimi e sjellja konkrete në familje apo bashkësi, etj. Sidoqoftë, për besimin nuk ka ndonjë origjinë të trashëgueshme apo kritere realisht objektive për dallimin e saj. Madje, edhe sikur të jetë i dokumentuar “pagëzimi” apo “synetllëku” në fëmijëri, në njërën fe, kjo nuk pengon askënd që më vonë të vetëdeklarohet, të ndjekë apo të praktikojë një fe tjetër. E thënë ndryshe, në lidhje me përkatësinë konkrete fetare, apo sjelljen agnosticiste (deri ateiste) pozicionimi subjektiv kohor apo “liria e vullnetit”, jo vetëm ka ndikim të drejtpërdrejtë, por është dhe përcaktues. Dhe, në këtë praktikim apo pozicionim të ri nuk nevojiten dokumente të mëparshme. Gati njëlloj si për anëtarësimin apo përkatësinë elektorale!…
Ndërsa, në lidhje me pyetjen e dytë, përmbajtja reale e përgjigjes është përgjithësisht e dokumentuar, pra dhe objektive. Ajo shpreh varësinë dhe historinë kombëtare apo etnike të individit, paraardhësve, prindërve e rrethit të tij familjar (“gjakut”); pra, normalisht lidhet me regjistra e dokumente zyrtare, që vetëm në raste të veçanta mund t’i “shmangen” realitetit. Atëherë si mund të pranohet zyrtarisht një përkatësi etnike e vetë-deklaruar, pa u shoqëruar me dokumentet përkatëse të origjinës etnike!? Për më tepër, vetë-deklarimi bëhet akoma më problematik dhe aspak realist, kur ai shfrytëzohet për qëllime shoviniste, politike-ekonomike apo etnike-territoriale; sidomos kur interesat jetësore (materiale e monetare, ato të lëvizjes së lirë, etj,) bëhen mjaft të ndikueshme te popullsia e varfër shqiptare. Në këtë kuptim, një regjistrim i tillë ka shumë mundësi që jo vetëm mos i shërbejë të vërtetës, por mund ta deformojë e dëmtojë seriozisht atë. Bile, po qe se na u dashkan të dhëna të tilla duhet të presim akoma, kur situata të rezultojë fare ndryshe pas disa vitesh, sidomos me përfundimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Një problem tjetër në këtë pyetësor është dhe lista e përkatësive etnike të reshtuara (të paktën sipas shkrimit në gazetë!). Në vendin tonë, sipas një studiuesi e përfaqësuesi të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, akademikut A. Puto, si minoritete të njohura nga shteti kanë qenë: minoriteti grek (në jug të vendit), minoriteti maqedonas (në lindje në zonën e Prespës) dhe minoriteti malazez (në veri, në afërsi të Shkodrës). Ndërsa, tre grupime të tjera si ai egjiptian, arumun (vlleh) apo rom, janë thjesht bashkësi (me disa karakteristika specifike, në njërin rast: ngjyra, zakonet, por jo gjuha; në rastin tjetër: zakonet, traditat, gjuha, por jo faktori subjektiv) të integruara brenda popullsisë shqiptare, që nuk plotësojnë kriteret për të pasur apo nuk e arrijnë “statusin” e minoritetit si pakicë kombëtare.
Në analizën e tij, A. Puto, midis të tjerash, thekson se: “…Vëzhgimet që janë bërë në terren kanë nxjerrë se, për sa i përket numrit, ato mund të përcaktohen si vijon: minoriteti grek 58-60 mijë frymë, minoriteti maqedonas 5-6 mijë dhe minoriteti malazez rreth 2 mijë… Konkluzioni i përgjithshëm është se grupet minoritare në Shqipëri trajtohen me barazi të plotë. Atyre u sigurohen të drejtat që parashikon regjimi i minoriteteve si dhe legjislacioni i brendshëm, në radhë të pare arsimi në gjuhën amtare, të drejtat politike dhe liritë themelore. Gjendjen e minoriteteve në Shqipëri e kanë vëzhguar edhe forume ndërkombëtare dhe organizata në shkallë ndërkombëtare.
Konkluzioni i përgjithshëm i tyre ka qenë se problemi i minoriteteve në Shqipëri është “nën kontroll”, që do të thotë se paraqitet përgjithësisht në parametra pozitivë…Për ta përmbledhur, minoritetet e njohura në Shqipëri janë: minoriteti grek, maqedonas dhe malazez. Në raste të tjera kemi të bëjmë me komunitete.” (A. Puto, Minoritetet, nocioni dhe ndarjet, dosje, gazeta “Korrieri”, 14 janar 2005, f. 12,14). Diferencimi i mësipërm bëhet shumë më i kapshëm po të kuptohet shkencërisht koncepti i “shtresës së dyfishtë” (R.M.) apo ai i së kolektiviteteve, sipas J. Armstrong-ut, në përcaktimin e etnicitetit, prej të cilit derivon ai i minoritetit
* * *
Mbi konceptin e qytetarit të barabartë. Ende sot, shumë vende përpiqen t’i “sfumojnë” apo t’i “mbulojnë”, madje të mos i pranojnë ose t’i mohojnë, pakicat kombëtare përbërëse. Ndërsa, në raste “shtrëngese”, synojnë që dhe ndonjë grup të qartë si pakicë kombëtare ta trajtojnë thjesht si grup me ndryshime kulturore. Pak a shumë, shembuj të këtij pozicionimi janë p.sh. shtete të tillë si Franca, Greqia, Turqia, etj. Këto shtete nuk i “ligjërojnë” qartësisht diferencimet etnike, e aq më pak grupet minoritare në territorin e tyre.
Pra, në këto vende, synohet të mos cënohet “homogjeniteti” i qytetarisë përbërëse të kombit që formëson shtetin përkatës, edhe pse p.sh. në Francë emigracioni mysliman aty kap shifrën e 4-5 milionë banorëve, ndërsa në Turqi apo Greqi popullsia shqiptare me “origjinë” të vjetër e të re përbën një përqindje të konsiderueshme ndaj popullsisë totale përkatëse. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ana tjetër e saj lidhet me faktin se edhe në një konsiderim “klasik” të një pakice kombëtare, problemet përsëri mbeten të shumta. P.sh., nëse ajo përcaktohet sipas lidhjes së gjakut, prejardhjes apo racës, përsëri çështja mbetet e paqartë sepse nëpërmjet përzierjeve kohore, martesave të ndërsjella midis anëtarëve të grupeve të ndryshme, vetë “gjaku” apo prejardhja bëhet mjaft e diskutueshme.
Nga ana tjetër, përcaktimi i grupit kombëtar apo i pakicës kombëtare, thjesht nëpërmjet prejardhjes, mbart dhe padrejtësinë ose rrezikun e diskriminimit apo të theksimit të tepruar të ndonjë pozicionimi racist, pra në një farë mase, në një konceptim perspektiv, përfshin paragjykime apo elementë të parimit të përjashtimit në këtë përcaktim. Ndërkohë që një perspektivë shumë më të qartë dhe pa kontradikta të brendshme përmban ai trajtim politiko-social, që mbështetet në konceptin e qytetarit të barabartë, i cili në mënyrë të vullnetshme dhe plotësisht të lirë (shoqërisht dhe ekonomikisht) bën dhe përzgjedhjen e tij kulturore (p.sh., një individ jo anëtar “natyror” i bashkësisë, pavarësisht origjinës, racës apo ngjyrës pranon (më saktë dëshiron) të mësojë e adoptojë si të tijën gjuhën, kulturën dhe historinë e kësaj bashkësie, si dhe të marrë pjesë, në mënyrë të barabartë, si dhe anëtarët e tjerë të saj, në institucionet politike e shoqërore). Ky është dhe rasti i Amerikës, ku zbatimi i parimit të përfshirjes, rreth këtij boshti kulturor, ka pasur e vazhdon të ketë vlerë reformuese-modeluese për vendet e tjera…
* * *
Reagime ndaj regjistrimeve etnike diskriminuese. Në Holandë, vitet e fundit, këshillat lokale të zonave me përqendrim të lartë emigrantësh kanë nisur regjistrimin e origjinës etnike të rinjve problematikë (me precedentë penalë). Procesimi i një banke të tillë të dhënash etnike nuk është konsideruar i drejtë ose legal nga grupime politike e qytetare, ndryshe kryeministri i kohës që e mbështeti idenë e regjistrimit të origjinës etnike të individëve me precedentë kriminalë (shtator 2008). Bile, sipas Qeverisë apo Partisë Demokristiane, një regjistrim i tillë konsiderohej e propagandohej me interes publik. Kjo, edhe pse, në thelb, me një procedim të tillë favorizohej qartësisht diskriminimi!…
Prandaj, sipas opozitës (laburistëve, sidomos Unionit Kristian) një regjistrim i origjinës apo përkatësisë etnike është konsideruar si një kundërvënie ndaj vetë Kushtetutës. Për më tepër, duke pasur parasysh holokaustin hitlerian, regjistrimi etnik në Holandë, pas Luftës së Dytë, është konsideruar i ndaluar. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet se shkalla e kriminalizimit në grupimet e ndryshme etnike shfaqet shumë më e lartë atje ku mungon integrimi, edukimi, punësimi, barazimi e respektimi i ndërsjellë, etj…
Edhe në Suedi, diku në mesin e viteve 2003, qeveria suedeze organizoi një anketë mbi diskriminimin strukturor dhe mënyrën e luftës kundër tij. Si rrjedhojë, pati një reagim të ashpër ndaj klasifikimeve etnike dhe regjistrimit të tyre, duke e konsideruar këtë proces si mishërim të idesë: “divide et impera” (që si parim politik i atribuohet diku Luigjit XI, diku Makiavelit, diku Bismarkut, edhe pse në histori është i njohur që në Romën e Lashtë). Edhe aktualisht, për Suedinë regjistrimi etnik është mjaft problematik, bile minoritete të tilla si romët apo çifutët janë krejtësisht kundër tij. Bile, aty, nëse një ditë do të pranohet ky regjistrim, ai mund të jetë vetëm vullnetar. Në këtë pozicionim të qartë ndikon dhe historia suedeze, kujtesa ende e gjallë e holokaustit nazist. Sipas saj, leksionet janë të mjaftueshme mbi mospranimin e regjistrimit etnik të detyruar…
* * *
A nuk mjaftojnë dy qytetari (shtetërore dhe evropiane)? Qytetaria (“shtetësia”) evropiane është pasqyruar si koncept në Traktatin e Mastrihtit (Maastricht) në vitin 1992; si praktikë ajo hyri në fuqi në vitin 1993; dhe më tej është zgjeruar me Traktatin e Amsterdamit. (Para Traktatit të Mastrihtit, traktatet e Bashkësive (Komuniteteve) Evropiane furnizuan garanci të mjaftueshme për lëvizjen e lirë të personave ekonomikisht aktivë. Traktati i Parisit i vitit 1951, me të cilin u krijua Bashkësia Evropiane e Qymyrit dhe e Çelikut, mundësonte të drejtën e lëvizjes për punonjësit e këtyre industrive; ndërsa, Traktati i Romës i vitit 1957 përfshiu lëvizjen e lirë të punonjësve dhe shërbimeve. Ndërsa, sot bëhet fjalë për një qytetari evropiane).
Qytetaria (shtetësia) evropiane funksionon krahas qytetarisë (shtetësisë) kombëtare dhe furnizon të drejta shtesë ndaj qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së. Pra, çdo person që ka shtetësinë e një vendi anëtar është dhe qytetar (shtetas) i Bashkimit. Sipas traktatit për funksionimin e BE-së, qytetarët evropianë, në përputhje me nenin 15, kanë të drejtën e njohjes së materialeve e vendimeve të Parlamentit Evropian, Këshillit dhe Komisionit; kanë të njëjtat të drejta (neni 18), në mungesë të shërbimeve diplomatike e konsullore të vendit të tyre mbrohen në mënyrë të njëjtë nga autoritetet diplomatike dhe konsullore të vendeve të tjera anëtare gjatë ndodhjes në vende jo anëtare të BE-së (neni 20); e drejta e lëvizjes së lirë dhe e rezidencës kudo në BE, madje, sipas nenit 21, e drejta për të punuar në çdo nivel pa diskriminim (përfshirë këtu dhe shërbimin civil, me përjashtim të ushtrimit të fuqisë në përputhje me ligjin publik dhe interesa të përgjithshme të shtetit apo autoriteteve lokale); e drejta e votimit apo e kandidimit në zgjedhjet vendore apo ato evropiane në çdo vend anëtar, jo patjetër të vendit të tij të origjinës (neni 22); e drejta e peticionit për Parlamentin Evropian, Avokatin e Popullit (Evropian) në lidhje me raste konkrete të një administrimi të padrejtë nga institucionet evropiane (neni 24), etj.
Qytetaria evropiane, në thelb, po bëhet “statusi fundamental” për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, megjithatë në praktikë kufizimet e ndryshme janë ende të dukshme. (I tillë është punësimi p.sh. në gjykatat kombëtare). Ky proces integrues, vetë emigrimi dhe diversiteti etnik në vendet e BE-së kanë ndikuar dhe modifikuar konceptet e qytetarisë (shtetësisë) në këto vende. Madje, qytetaria (shtetësia) evropiane ka sfiduar jo pak reminishencat e konceptit klasik të qytetarisë (shtetësisë) kombëtare, duke ridimensionuar debatin real mbi të drejtat politike për jo nacionalët apo rezidentët e ardhur nga vende të tjera. Për më tepër, po shtrihet gradualisht koncepti i rezidencës si një rrugë komplementare në fitimin e të drejtave politike lokale.
Pikërisht, një evolucion i tillë është pasqyruar, dhe nuk kishte si të mos pasqyrohej, në një mënyrë apo tjetrën në vende të ndryshme, duke i minimizuar apo reduktuar regjistrimet e korrespondencat (pra dhe diskriminimet e padrejta) mbi përkatësitë etnike e fetare të qytetarëve. Në mënyrë më të veçantë, ky proces po zhvillohet gradualisht, të paktën në Evropë. Kështu, p.sh., para disa vjetësh, në Greqi, gjatë qeverisjes së Simitisit, u vendos që në kartat e identitetit të mos përfshihej më afilacioni fetar.
Ndërsa, në disa vende joevropiane përfshirja e origjinës fetare shoqërohet dhe me “orientime” diskriminuese. Kështu, në Malajzi, karta e identitetit përmban afilacionin fetar vetëm për fenë islame. Ndryshimi i kësaj feje në këto kushte bëhet, zyrtarisht, një tmerr i vërtetë burokratik, bile i shoqëruar me kërcënime (deri me akte dënimi me vdekje) nga grupime fetare fondamentaliste. Edhe kaq mjafton që të arrihet në përfundimin e shmangies së regjistrimit etnik e fetar të popullsisë. Zyrtarisht, të paktën në një perspektivë anëtarësimi në BE (krahas qytetarisë evropiane), mjafton thjesht dhe vetëm qytetaria apo përkatësia shtetërore e çdo vendi anëtar apo kandidat…







