Nga Mero Baze, 25 Korrik 2013
Debati i sapoçelur brenda Partisë Demokratike, qysh pas deklaratës së Sokol Olldashit për procesin e montuar të zgjedhjeve, po shkon drejt një teze themelore që ka të bëjë me faktin se Lulzim Basha ishte i përzgjedhuri i Berishës dhe do të fitonte, por procesi ka qenë tërësisht i manipuluar dhe kontrolluar prej Berishës. Këtë e ka thënë i pari Olldashi, si viktimë e garës fallco, më pas e ka faktuar media dhe i fundit e shqiptoi plot guxim Astrit Patozi, si nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar.
Pra, problemi nuk është pse Sali Berisha ka diktuar garën, por pse shkalla e manipulimit duhet të ishte aq ekstreme, përderisa fituesi ishte i paracaktuar.
Që të shpjegosh këtë fenomen, duhet të kuptosh Sali Berishën. Në vitin 1996, megjithë problemet që kishte demokracia shqiptare, megjithë trendin autoritar që po merrte qeverisja, Sali Berisha mund ti kishte fituar zgjedhjet e 26 majit, me një diferencë të ngushtë. Një opozitë pa lider, me plot probleme brenda saj, me një besueshmëri të dyshimtë ndërkombëtare, dhe një popull të hapërdarë pas pareve të VEFA-s dhe Gjallicës, mund t’i jepte atij një mandat të ri, me rezultat të ngushtë. Por, ideja se të tjerë do të vendosnin për fatin e tij, e bënte atë të pasigurt, të paparashikueshëm, të papërmbajtur dhe të papërgjeshëm në mënyrën se si u soll me procesin. Ai e shkatërroi atë, duke i detyruar kundërshtarët të ikin nga zgjedhjet dhe të vazhdonte të numëronte i vetëm votat që nuk kishin më asnjë rëndësi për të. Një vit më pas ai përsëriti historinë me zgjedhjen e tij si president. Edhe pse vendi po hynte në luftë civile, edhe pse qeveria e tij u rrëzua, dy ditë më pas ai u rizgjodh me forcë president, për të dorëzuar gjithë pushtetet një javë më vonë.
Është kjo psikologji e njeriut të pasigurt, që nuk i beson votës së lirë dhe as fuqisë së tij mbi njerëzit që e votojnë, që e detyroi atë të bënte një proces votimi me procedurë gestapoje, duke deklaruar votën, dhe një fushatë tërësisht brutale kundër çdokujt që i shkonte mendje të mos votonte kandidatin e tij. Në këtë pikë shpjegohet dhe arsyeja pse ai e prishi garën, edhe pse Basha mund të fitonte dhe vetëm me mbështetjen e tij.
Së pari, Berishës i duhej një fitore e thellë, pasi gara u mor për një moment seriozisht në bazë si mes dy njerëzve të barabartë të Berishës. Kjo bëri që partia të mos ndahej 80 me 20, por shumë më ndryshe. Në këto kushte Berisha jo vetëm që bëri publike preferencën e vet, por donte doemos dhe rezultatin maksimal.
Së dyti, kjo ka të bëj me vet kandidatin e përzgjedhur prej tij. Lulzim Basha nuk është Sokol Olldashi. I pari ka hapur një gropë prej mbi 200 milion eurosh në një projekt të errët biznesi për përfitim nga paratë publike në emër të patriotizmit, ndërsa i dyti e ka pranuar këtë realitet dhe ja ka mbuluar. I pari ka qenë ministër i Brendëshëm më 21 janar dhe është përgjegjës për vrasjen e katër qytetarëve shqiptarë. Më shumë se aq, ai është bashkëfajtor me Sali Berishën në atë krim dhe lidhja e dy njerëzve përmes gjakut të derdhur është shumë më e fortë, se sa lidhja përmes shërbimeve politike. I dyti, Olldashi, e ka pranuar këtë realitet dhe është nxituar ta mbrojë.
I pari , pra Lulzim Basha, ka hyrë në Bashkinë e Tiranës me një mandat qartazi të vjedhur, pasi për të u angazhua jo vetëm gjithë partia dhe pushteti, por në fund dhe vet Sali Berisha, për t’ia dhënë me dhunë mandatin. I dyti, Olldashi, nuk e ka pasur këtë fat. Kur ai kandidoi për Bashkinë e Tiranës më 2007, jo vetëm që nuk u votua as nga grupi i Bashës, por u la vetëm qysh në mesnatë nga Familja dhe vet Sali Berisha.
Mjaftojnë këto fakte për të dëshmuar se njëri është i përzgjedhur nga Familja, duke sakrifikuar për të, kurse tjetri një i sakrifikuar i Familjes.
E treta, që është dhe më e rëndësishme në këtë histori, është se prej sot e tutje, Sali Berishës nuk i duhet Partia Demokratike as për t’u rikthyer në pushtet, pasi atë nuk e arrin as me moshën fizike që i ka mbetur, dhe as për të kënaqur militantët e pakënaqur. Partia Demokratike dhe Lulzim Basha i duhet si një imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë, dhe për t’u bërë pjesë e pazarit politik për mosndëshkueshmërinë e politikanëve. I duhet të bëj pazar për pazaret e pista të Familjes dhe për t’u mbrojtur nga debati për përgjegjësitë e tij. Për këtë arsye, çdo shpresë se debati brenda PD-së do shëndosh demokracinë e brendshme, është po aq naiv sa ideja se më 22 korrik do mbaheshin zgjedhje të lira në PD. Ky debat, jo me zë kaq të lartë sa e ka nisur Patozi, Olldashi apo më parë dhe Rusmajli, por dhe me mërmërima si Ridvan Bodja, do të çojë doemos në spastrime të egra dhe nevojën për një grup armiqësor, që të shërbejë si terapi për humbjen e thellë të 23 qershorit.
Sali Berisha dhe Familja kanë nevojë për një adrenalinë fitoreje pas gjithë kësaj humbje dhe fitorja e vetëm e lehtë e tyre është që nesër Astrit Patozin të mos e lënë as të hyj në zyrë dhe të shpallin një skenar puçist për arsyet pse ka humbur PD-ja për shkak të këtyre njerëzve që guxojnë të flasin. Sali Berishës nuk i interesojnë numrat në parlament dhe as sa vetë do t’i dalin kundër. Atij i duhet një parti e vogël, unike, e rreshtuar rreth tij nën drejtimin e Bashës, dhe e pakompromis për t’i shërbyer atij. Kaq i duhet. Çdo iluzion se atij i duhet PD-ja e fortë, e bashkuar, demokratike dhe opozitare, është iluzion nga i cili kritikët e vet duhet të çlirohen sa më shpejt. Nëse në pushtetin e PD-së gjëja që shkëlqeu më shumë ishte një studio avokatie e Familjes, që shiste pushtetin e PD-së, tani PD-ja do kthehet në një studio avokatie për Familjen, për të shitur interesat e demokratëve për llogari të Familjes.
Është e thjeshtë dhe po ua them që sot. Do të përjashtohen, do të linçohen, do të poshtërohen, dhe pastaj do ta kuptojnë përse i duhej 22 korriku Sali Berishës, përse i duhej aq i shëmtuar dhe përse nuk ka ndërmend të dëgjojë teori për demokracinë në PD. Ajo nuk ekziston prej kohësh. Ekziston vetëm ai që dikur Genc Pollo e quante vulëhumburi. Ai ka nevojë për një terapi pas humbjes. Ashtu siç i duket vetja notar në një pellg në Dhërmi, ashtu i duket vetja fitues në një moçal brenda partisë ku kakarisin zhabat e veta. Dhe, do doemos një grup armiqësor ndaj të cilit të shfryjë dufin e humbjes dhe të shijojë fitoren. Janë të gjithë ata që nuk pranojnë 22 korrikun. Atyre që nuk pranojnë t’ua bëjë 8 me 2.