Përse i duheni sot Europës?

0
57

Herman Van Rompuy

(Duke përkujtuar 60-vjetorin e deklaratës së Schuman)

Gjashtëdhjetë vjet më parë, historia e Europës ndryshoi drejtimin e saj. Më 9 maj të 1950-s, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, ftoi të gjitha vendet e Europës dhe në veçanti Gjermaninë, që të bashkohen në një platformë të përbashkët politike. Vetëm pak kohë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kjo ftesë e z. Schuman ishte një ndër aktet më të rëndësishme të historisë europiane, duke qenë se ishte një përpjekje për paqe dhe bashkëjetesë.

Bashkimi politik i vendeve europiane gjashtëdhjetë vjet më parë bëri që lufta midis vendeve europiane të merrte kuptimin e së kaluarës. Konflikti u zëvendësua me bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët. Por kjo nuk do të ndalonte thjesht në kufijtë e Unionit. Prosperiteti, zhvillimi dhe bashkëjetesa paqësore dha kontributin e saj edhe në shpërbërjen e bllokut komunist dhe rrjedhimisht edhe fundin e Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Megjithëse të pranishme ndër vite, problemet dhe diferencat mes vendeve anëtare kanë gjetur zgjidhje si rezultat i bashkëpunimit mes tyre. Fushëbetejat janë zëvendësuar me marrëveshjet që arrihen nga bisedimet në Bruksel. Kjo në vetvete përbën një progres dhe duhet marrë si shembull.

Duke udhëtuar mbrapa në kohën e Schuman, Adenauer dhe themeluesve të tjerë të bashkimit, është evidente se grupimi i vendeve europiane erdhi si bashkim i gjashtë shteteve në përpjekje të një unioni ekonomik për të mbrojtur prodhimin e mineraleve dhe hekurit. Sot, Bashkimi Europian është një grupim i 27 vendeve demokratike me një popullsi prej 500 milionë dhe shtrirje gjeografike nga Finlanda në Portugali dhe nga Irlanda në Rumani. BE-ja është pjesë e tregut më të madh botëror, kemi një legjislacion shumë të rëndësishëm për mënyrën e funksionimit, pjesa më e madhe e vendeve tona përdorin të njëjtën monedhë sikurse ne ndajmë të njëjtët kufij, të njëjtat institucione politike, të kaluarën dhe të ardhmen. Ndërkohë, ju po punoni fort për të na u bashkuar në familjen tonë të madhe.

Të ndash atë që ke me të tjerët nuk është gjithmonë e lehtë. Ky proces rrit fuqinë si edhe hap mundësi të reja për të gjithë. Kjo është arsyeja përse ne duam zgjerimin. Por, në të njëjtën kohë ne jemi të vetëdijshëm se jo rrallë problemet e njërit na influencojnë të gjithëve ne. Ndërsa punojmë dhe duam të përfitojmë nga të mirat që sjell secili, ne të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se duhet të pranojmë edhe ndikimet negative, nganjëherë të paparashikuara, që bashkimi sjell. Solidariteti nuk ka vlerë nëse gjen vend vetëm në rastet e përfitimit pozitiv.

Historia jonë e përbashkët nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët. Çdo brez duhet të jetë i ndërgjegjshëm se ne kemi nevojë për bashkim dhe unifikim të politikave, sikurse ne kemi nevojë për të gjithë ata që punojnë për t’iu bashkuar familjes sonë.

Përse 27 vendet anëtare vazhdojnë të bashkëpunojnë mes tyre? Sepse, të 27 qeveritë e kuptojnë se në procesin e globalizimit që karakterizon zhvillimet botërore secila prej qeverive, e vetme do ishte e paaftë të sigurojë mirëqenie dhe siguri për shtetasit e saj. Bazuar në këtë, edhe në rastet kur ka diferenca të thella rreth zhvillimeve të kohës, apo thjesht nuk pajtohen në mënyrë të plotë me konstatimet e njërit apo tjetrit vend anëtar, të 27 qeveritë preferojnë të gjejnë rrugën e bashkëpunimit dhe zgjidhjes më shumë se sa të rrinë të vetme.

Përse duhet që të gjithë banorët e Europës të jenë pjesë e këtij bashkëpunimi? Sepse asnjë qeveri nuk është në gjendje t’ia dalë sfidave, me të cilat përballet çdo ditë nëse nuk ka përkrahjen e popullit të saj. Duke marrë shkas nga kjo do të doja të qartësoja atë se çfarë ju pret juve, dhe çfarë do Europa nga ju?

Bashkimi Europian sjell shumë përparësi te konsumatorët, udhëtarët dhe sipërmarrësit. Popullata e vendeve anëtare të BE-së arrin të ketë tarifa të ulëta të udhëtimit ndërmjet qyteteve dhe plazheve në të gjithë kontinentin. Telefonatat brenda vendeve anëtare kushtojnë sa një pjesë e vogël e asaj që ato kushtonin më parë. Standardet e vendosura dhe që respektohen nga të gjitha vendet anëtare bëjnë që siguria e ushqimit të jetë e lartë, pavarësisht se ku është prodhuar një produkt i caktuar. Anëtarësimi në BE sjell po ashtu mundësinë e studimeve jashtë, duke e bërë atë një realitet të prekshëm dhe të përballueshëm. Me fjalë të tjera, ashtu si edhe nënvizohet në broshurat e Brukselit, “BE-ja hap hapësira të lirisë dhe mundësi të reja”.

Megjithatë, ne duhet të jemi të sinqertë dhe realistë se në përballjen me kushtet ekonomike prezente dhe realitetin e krizës, vlerat pozitive që prania në BE sjell nuk mund të jenë në nivelet maksimale. Politikanët duhet të jenë në gjendje të përballen me situata të vështira dhe t’i adresojnë ato në mënyrë të qartë, si për shembull: Përse ne, 15 vendet anëtare dhe FMN-ja, vendosëm t’i japim një hua 110 milionë euro qeverisë greke në përballjen e saj me krizën ekonomike dhe që do ndihmojë qëndrueshmërinë e euros? Ose, përse ne, 27 vendet anëtare e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor, një rajon që vuajti kaq shumë nga konfliktet e kohëve të fundit dhe që do të duhet të bëhet pjesë e jona në një të ardhme? Këto përgjigje nuk janë mundësi praktike për disa, ato janë në të vërtetë probleme ekzistence dhe paqeje për të gjithë ne.

Duke shfrytëzuar pozicionin e presidentit të Bashkimit Europian, një vend ku 27 udhëheqësit dhe qeveritë respektive takohen për të diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve me të cilat përballemi, do të doja që t’u drejtohem në emër të të gjitha vendeve anëtare. Ne nuk kërkojmë entuziazëm të tepruar dhe as valëvitje të flamurit europian; ne nuk po u kërkojmë të bashkoheni me ne sa për paqe. Ne kërkojmë vëmendjen tuaj. Ne duam që ju të kuptoni se kur ne negociojmë një marrëveshje apo zgjidhim një krizë të ditës, zakonisht ka diçka më tepër sesa marrëveshja apo kriza në vetvete. Në të tilla momente, fati i së ardhmes së Europës në vetvete duhet të jetë i balancuar. Së bashku ne mbrojmë një thesar që është i rëndësishëm për të gjithë.

Më lejoni t’ju rikujtoj se çfarë mbrojmë ne. Europianët kanë një pozicion të privilegjuar në botë. Vendet tona karakterizohen nga qëndrueshmëri politike, nga sisteme sociale dhe të mirëqenies që përdoren si shembull, sikurse cilësia e jetës europiane është ajo që të tjerët vlerësojnë shumë lart. Gjysmë miliardi banorë të Bashkimit Europian janë ndër më të edukuarit dhe më të aftët në botë. Ne përfaqësojmë forcën më të madhe të tregtisë botërore. Këto janë karakteristika për të cilat ne ndihemi krenarë që i kemi arritur. Ato janë treguesit më të fuqishëm se ne jemi në gjendje të zhvillohemi, ndërkohë që ruajmë edhe të kaluarën, rrënjët tona. Dhe vazhdojmë ta ruajmë atë.

Megjithatë, në këto kohë krize, rajonet e tjera të botës janë të gatshme dhe punojnë për të na kaluar në potencialet ekonomike që kemi. Vendet e punës dhe influenca jonë janë në pikëpyetje. Nacionalizmi dhe populizmi nuk përbëjnë zgjidhje dhe as qasje ndaj këtyre sfidave të së sotmes. Në mënyrë që të mbrojmë vlerat tona europiane, interesat dhe vendet e punës do na duhet të vazhdojmë qëndrimin tonë të përbashkët dhe veprimet individuale në dobi të të gjithëve.

Zhvillimet botërore kërkojnë nga ne të zhvillojmë një politikë konkurruese ekonomike sikurse duhet të zhvillojmë politika në mbrojtje të zhvillimeve mjedisore dhe daljen në unison në sfidat e politikës së jashtme të Unionit. Jam i kënaqur që të gjithë anëtarët e Unionit e kuptojnë rëndësinë e një bashkëpunimi të tillë dhe janë të gatshëm të punojnë për të.

Gjashtëdhjetë vjet më parë, Schuman dhe themeluesit e tjerë u bashkuan në një udhëtim të përbashkët. Të gjitha vendet që përkrahën bashkimin dhe u bënë pjesë e tij janë shpërblyer më së miri. Ky bashkim nuk bëhet thjesht për Brukselin, por sepse krijon premisa për zhvillim, stabilitet, siguri dhe fat të përbashkët për 500 milionë banorët që jetojnë në 27 shtete dhe për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen anëtarë të kontinentit tonë të bukur në një të ardhme.

Sot, do u kërkoja vetëm një gjë: ndaloni për një moment dhe kuptoni se “ne, europianët, jemi së bashku në çdo situatë”.

Autori: President i Bashkimit Europian