Përse hesht Berisha për Eduard Selamin?

0
40

Nga Mero Baze, 14 Shkurt 2013

Eduard Selami, ylli i largët i perënduar i Partisë Demokratike është rishfaqur në Tiranë dhe ka gjetur mënyrën për të kërkuar të jetë pjesë e listës së deputetëve të partisë së tij. Është e vërtetë se ky gjest ka prodhuar shumë debate dhe kritika në adresë të tij, çka më duket e padrejtë. Por më e padrejtë më duket që gjesti i tij ka prodhuar zemërim dhe ngritje nervash në lidershipin e Partisë Demokratike. Është e pashembullt që dy ditë pas deklaratës së tij, asnjë zyrtar i lartë i Partisë Demokratike, as një nënkryetar apo sekretar i saj, dhe as Sali Berisha, nuk e kanë përshëndetur këtë gjest. Kjo është një fyerje e madhe që i bëhet dëshirës së një themeluesi të kësaj partie për të testuar rikthimin në partinë e tij dhe mbi të gjitha është një shenjë që tregon se sa larg ka shkuar mungesa e garës dhe mungesa e vlerave brenda asaj partie.

Unë nuk i miratoj sulmet që bëhen në adresë të tij vetëm për shkakun pse ka kërkuar të kthehet në Partinë Demokratike. Shumë kritika të tilla janë botuar dhe ndoshta do të botohen më tej në gazetën Tema si pjesë e lirisë së mendimit dhe pozicionit kritik të gazetës me Berishën, por hyj tek ata që mendojnë se rikthimi i Eduard Selamit në Partinë Demokratike është diçka pozitive.

E mendoj këtë jo duke pasur parasysh Eduard Selamin dhe çfarë mund të bëjë ai brenda asaj partie, as të shkuarën e tij të hidhur me atë parti, nga e cila e kanë zbuar duke mos e lejuar as të hyjë në mbledhje, por për shkak të rëndësisë që ka një emër i ri jashtë klaneve mediokre dhe të korruptuara që janë ngulur në një nga dy partitë më të mëdha të Shqipërisë.

Problemi është se stuhia kundër Selamit vjen nga dy kampet. Kritikët nga jashtë kanë natyrisht më shumë të drejtë se të mërziturit brenda PD-së. Ata e kanë parë Selamin këto 18 vjet duke qenë kritik i fortë me Berishën dhe i papërkulur ndaj kërkesave të tij për t’u ofruar në PD. Në gjithë qëndrimet publike, Selami ka kërkuar vazhdimisht që demokracia e brendshme në Partinë Demokratike, por dhe partitë e tjera, të jetë një normë nga e cila mund të prodhohet demokracia dhe në qeverisjen e vendit dhe konkurrencën e vlerave. Kësaj linje nuk i ka ikur kurrë. Afrimi i tij me PD, në një kohë kur kjo parti është më larg se kurrë nga demokracia e brendshme, kur ende nuk ka përfunduar Kuvendin e nisur në prill të vitit 2005, duke mos zgjedhur ende nënkryetarët e partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Selami realisht duket se ka hequr dorë nga kjo vërejtje thelbësore që ka pasur për mënyrën e funksionimit të Partisë Demokratike.

Ai thjesht e ka pranuar që kjo parti nuk ndryshon më dhe i është ofruar listës së pushtetit të saj. Për këtë arsye kritikat ndaj tij janë të drejta dhe logjike kur bëhen nga jashtë PD-së. Ai është i qartë se ajo është parti e Sali Berishës dhe 18 vitet larg saj nuk i dhanë asnjë shans që ta ndryshojë këtë realitet. Ai mbeti thjesht një emigrant në SHBA, me simpatira të fjetura në administratën amerikane, por kurrë me ndonjë plan konkret për të qenë një figurë aktive në politikën shqiptare.

Ajo që është problem, është heshtja e varrit me të cilën PD-ja ka pritur ish- kryetarin e saj. E vërteta është se gjithë këta që janë sot në Partinë Demokratike nuk e njohin Eduard Selamin pasi kanë ardhur në atë parti pasi ai ka ikur. Bode, Topalli, Patozi, gjithë sekretarët, kryesia dhe shumica e grupit parlamentar kanë ardhur në politikë pas ikjes së tij. Përveç Pollos, Rulit dhe Imamit, që janë të rikthyer në PD, gjithë të tjerët bëjnë pjesë tek të thirrurit në PD. Për këtë arsye ata nuk kanë asnjë emocion për rikthimin e tij. Por heshtja e varrit nuk ka të bëjë me mosnjohjen personale, por me trazimin në kokën e tyre për motivet përse Eduard Selami po kthehet në atë parti. Ata nuk dinë ende nëse Berisha ia ka dhënë fjalën të kthehet apo jo, por dhe nuk e pyesin dot Berishën. Ky i fundit, po ashtu i kënaqur nga kjo situatë, ka dëshirë të bëjë indiferentin për t’u tallur nga pak dhe me Selamin, dhe me ‘selamët” brenda PD-së.

E vërteta është se Eduard Selami kërkon të rikthehet si pjesë e historisë së asaj partie pa asnjë kusht. Ai është dorëzuar nga lufta kundër Berishës, ka hequr dorë nga kritikat e tij ndaj qeverisjes Berisha këto tetë vite thjesht për të qenë pjesë e asaj partie në legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Nuk besoj se mërzitet shumë nëse PD-ja do të jetë në opozitë apo pushtet, por do thjesht të jetë pjesë e saj, dhe pse jo në garë për të qenë në krye të saj. Në atë parti që është investuar aq shumë besnikëri ndaj Berishës, për të qenë trashëgimtar i politikave të tij, rikthimi i një “djali plëngprishës” pa asnjë kusht dhe pa asnjë sqarim, i ka xhindosur të gjithë duke i bërë realisht siç janë, paranojakë, shpirtvegjël dhe mediokër në politikë.

Heshtja e varrit me të cilën është pritur kthimi i tij në PD, bëhet dhe më e rëndë kur shoqërohet me gëzimin pa leje të Dash Sulës, që ngjan sikur gëzohet për ndonjë gol, bërë nga ndonjë pozicion jashtë loje në Peqin.

Unë hyj tek ata njerëz që e kam nxitur vazhdimisht Eduard Selamin të rikthehet në PD dhe të përballet me problemet që ka partia që ai ka drejtuar. Nuk mund ta qortoj pse e bëri tani këtë hap, dhe aq më tepër pse nuk arriti ta kushtëzojë Berishën. Në atë shkretëtirë që është krijuar brenda asaj partie, çdo njeri që ka emrin e vet, kthehet në një oaz për demokracinë, edhe pse i rrezikuar të mbytet shpejt.

Unë nuk besoj se Eduard Selami mund ta ndihmonte opozitën për të mundur Berishën duke qëndruar jashtë PD-së. Brenda PD-së ai po ashtu nuk mund ta ndihmojë Berishën për të vjedhur opozitën dhe për t’u bërë pjesë e linçimit të saj. Në biografinë e tij politike, ai është i vetmi politikan që e ka drejtuar Partinë Demokratike në dy procese zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, të cilat natyrisht i ka humbur të dyja, zgjedhjet lokale të vitit 1992 dhe referendumin e vitit 1994. Rikthimi i tij në PD i ngjan rikthimit të Samaras brenda Nea Demokracisë, pas një rrugëtimi të gjatë përballë partisë së tij për 15 vjet. Nëse ajo parti do të shpëtojë trashëgiminë e saj, pasi të humbasë zgjedhjet, do të ketë nevojë të rigrupohet tek dikush që ka dhënë prova disidence ndaj Sali Berishës. Mund të na ndihmojë dhe duke dështuar. Do të jetë prova e fundit e jetës në atë shkretëtirë.