Nga Mero Baze, 25 Dhjetor 2012
Në debatin rreth të ardhurave zyrtare marramendëse të fëmijëve të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, vazhdon të mungojë detaji kryesor, “financuesi” i tyre. Vajza e tij ka deklaruar të ardhura prej mësimdhënies në disa universitete private gati 135 mijë dollarë në vit (84 milion lek plus 35 mijë euro), por prej dy javësh opinioni publik ende nuk ka emrin e universiteteve që e kanë paguar me shuma marramendëse këtë “pedagoge”.
Siguria me të cilën ajo, vëllai i saj dhe burri kërcënojnë opozitën dhe median me gjyqe, duke deklaruar se i “kanë letrat në rregull”, përveç injorancës së tyre dëshmon një skandal që mund ta tejkalojë debatin e të ardhurave dhe të hapë debatin e përdorimit të universiteteve private si lavatriçe pastrimi paresh për familjen në pushtet.
Siç kam llogaritur me përafërsi në një editorial të mëparshëm, kaq të ardhura në muaj si pedagoge në Shqipëri nuk ke mundësi fizike t’i marrësh. Standardet publike të pagave në universitete dhe orët që mund të japë një pedagog janë të tilla, sa sikur t’i llogarisim të gjitha në maksimum dhe sikur Argita të paguhet dhe me paga ekstra, ajo nuk mund të realizojë fizikisht as gjysmën e këtyre të ardhurave.
Pra, nëse besojmë deklaratën e tyre që “letrat i kanë në rregull”, atëherë kemi një shkelje të fortë rregulli nga universitete private që përdoren për të justifikuar fitimet e paligjshme të Familjes. Kjo pastaj shpjegon shumë gjëra, shpjegon jo vetëm nivelin skandaloz të këtyre universiteteve, kthimin e tyre në piramida financiare, por dhe rolin e tyre si “parajsa fiskale” në shërbim të “letrave të rregullta” të Familjes.
Për këtë është e domosdoshme që vetë fëmijët e Berishës që kanë siguruar këto letra, nëse i kanë siguruar, t’i bëjnë ato publike para se të flasin për Edi Ramën apo deklaratën e tij të pasurisë. Ata kanë detyrimin të jenë transparent dhe tu tregojnë shqiptarëve se kush janë ato universitete që kanë dhënë kaq shumë pare për to duke shkelur çdo standard pagese dhe çdo sistem vlerash në arsimin shqiptar.
Do të ishte mirë ta bënin vetë nëse e dinë nga i kanë marrë vërtetimet, pasi kjo do të na mbushte së paku mendjen që ndryshe nga deklaratat për shtyp, këto letrat e pasurisë i plotësojnë vetë dhe nuk ua bën babai. Por nëse ata nuk e bëjnë, do ta bëjmë ne. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive duhet të vihet para përgjegjësisë për të bërë publike në detaje se nga cili universitet janë lëshuar vërtetimet e pagës për shumën marramendëse që u bë publike nga opozita. Më pas i duhet kërkuar prokurorisë. Dhe nëse askush prej tyre nuk reagon, atëherë do të gjenden investigatorë privatë të bëjnë publike dhe detaje nga llogaritë e tyre.
Në rase të tilla fëmijët e Berishës kanë gati fjalinë e babait për përballje në gjyq, por duhet të jenë të qartë se kur të bëhen publike fitimet e tyre dhe burimet e fitimeve, do të ketë aq revoltë dhe neveri për ta, sa nuk do të kenë kohë as të shkojnë në gjykatë.
Shqipëria ka pasur një traditë të arsimit cilësor së paku deri në vitin 1990 dhe pavarësisht ideologjisë komuniste, ky vend ka pasur profesorë, doktorë shkencash, inxhinierë dhe pedagogë të shkëlqyer. Shumë prej tyre, nga ata që janë ende gjallë, ndoshta në këto Krishtlindje nuk kanë ende një pension për të qenë për të festuar si njerëz normalë. Pedagogë dhe akademikë që kanë një jetë të tërë që me dijet e tyre i shërbejnë këtij vendi jo vetëm që po vdesin të varfër, por po vdesin dhe me pezmin e madh se para syve të tyre po shembet gjithë ajo vepër që ndërtuan, gjithë sistemi i vlerave universitare në Shqipëri, që ata me aq mund e krijuan dhe e çuan në nivelet më të larta të mundshme për këtë vend.
Vetë babai i këtyre fëmijëve pasanikë ka qenë një pedagog i mirë dhe i aftë, ndoshta puna më e mirë që ka bërë vetë gjithë jetën. Po të mos ishte bërë sot kryeministër dhe po të mos ishte rrethuar nga një Familje që ka ëndërr vetëm pasurimin, Sali Berisha mund të ishte sot një ish- pedagog në pension, me pension modest dhe do të tërbohej kur të dëgjonte se një copë pedagoge mediokre e juridikut arrin të marrë 17 mijë dollar në muaj. Jo, është e bija e tij, ajo që sot nuk di të na thotë dot publikisht kush ia xhiron këto pare në numrin e llogarisë për tu dukur sikur i ka fituar me djersë. Ajo dhe burri i saj, që mendon se do të shtojë pasurinë formale duke gjobitur opozitën apo median, harrojnë se nesër, të parët që do t’i denoncojnë dhe do hakmerren ndaj tyre, janë ata që sot janë të detyruar të plotësojnë letra për të justifikuar paret e tyre të paligjshme.
Me çdo kriter, me çdo standard pedagogjik, me çdo krahasim fizik, kulturor apo administrativ, Argita nuk vlen 17 mijë dollarë në muaj. Dikush po paguan për të, i detyruar nga pushteti dhe sistemi piramidal ku ka hyrë arsimi privat. Po paguan se sistemi arsimor që ka prodhuar babai i saj është i tillë që të fut nën kthetrat e pushtetit dhe të mban peng gjithë jetën. Po paguan sepse nuk kanë prodhuar një sistem vlerash arsimore, por një sistem piramidal, që të detyron të paguash Familjen për të mbijetuar. Argita duhet të tregojë kush janë ata që “paguajnë” për shkak të pushtetit të babait të saj! Dhe pasi ta bëjë këtë, është e lirë të bëjë dhe deklarata politike nga ato që ia shkruan babai. Nuk kanë për tu mbrojtur dot gjithë jetën me politikë. Një ditë kanë për ta pësuar pikërisht prej saj.