Përse e përkrah rezoluten çame të 10 dhjetorit 2012

0
36

SAMI REPISHTI, 20 Dhjetor 2012

Në historinë e çdo kombi ka momente vendimtare kur nevojet ekzistenciale të ditës kërkojnë mobilizimin e kurajës sonë civile, qoftë atë individuale të qytetarit, qofte atë kolektive të kombit mbar. Unë jam i bindun se përkrahja e rezolutes çame të 10 dhjetorit 212, drejtue Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ashtë nji sfidë e atill që kërkon mobilizimin e kurajës sonë civile, individuale dhe kolektive. Unë e shoh këtë akt si nji nevojë ekzistenciale për dinjitetin e kombit shqiptar, dhe e përkrah pa hezitim.
Çamëria, që nga viti 1878, dhe sidomos mbas vitit 1913, vit i pushtimit të saj ushtarak grek, dhe ma vonë të çfarosjes fizike të popullsisë, “spastrimit etnik”, të grabitjes se pasunive dhe dbuarjes së dhunëshme dhe të përgjakëshme, ka qenë dhe mbetet nji plagë e hapur kombëtare.

Reklamimi i të drejtave të tyne, njohja dhe regjistrimi i vuejtjeve të tyne dhe ndërtimi i nji atmosfere të re politike në mes të dy shteteve fqinje, Greqi dhe Shqipëri, ashtë nji imperativ që nuk mund të shtyhet ma gjatë. Shqipëria ashtë në prak të hymjes në Europën e Bashkueme, ku së bashku me Greqinë do të kontribuojë me forcimin dhe zhvillimin e matejshëm të nji kontinenti europian të lirë, të bashkuem dhe të begatshëm. Por Europa nuk pranon shtete me grindje dhe në raporte jo miqësore. Edhe Shqipëria nuk duhet të pranojë hymjen në Europë e gjunjëzueme!

Ne e dimë të gjithë se politika nuk ashtë morali. Megjithatë, me përsëtitë thanjen e shkrimtarit francez, Andre Malraux, nji politikë amorale nuk ka kuptim. Shqiptarët sot festojnë njiqindvjetorin e pavarësisë së tyne, dhe “shteti” shqiptar nuk ashtë thjesht nji krijesë e rastit, as dhe nji dhuratë e Shën Adriatikut, por nji strukturë e ngritun dhe e mbajtun me shumë djersë e gjak. Shqiptarët e meritojnë “shtetin” e tyne sepse kanë dhanë prova që në mes të stuhive të kontinentit europian gjatë shekullit njizet ata e kanë mbrojtë me bindje e guxim. Sot, shqiptarët festojnë dhe shikojnë me besim drejt së ardhmes ma të mirë.

Sot, në të vërtetë, shqiptarët kërkojnë konsolidimin e shtetit të tyne dhe njikohësisht konfirmimin e kombit të tyne me forma demokratike, jo vetëm për vete, por edhe për “hapësinën shqiptare” në Ballkan, në zonat e banueme nga shqiptarët në Ballkanin perëndimor. Siç e pohonte edhe i nderuemi George Papandreu, në nji takim me shqiptaro-amerikanët në vitin 2003, ky ashtë shekulli shqiptarëve në Ballkan sepse ata u zgjuen nji shekull mbas të tjerëve.

Unë e quej aprovimin e rezolutës çame të 10 dhjetorit 2012 jo aq nji akt politik të guximshëm – s’ka nevojë për guxim! – por nji akt të domosdoshëm politik. Akoma ma shumë: aprovimi i rezolutës çame ashtë nji imperativ moral: përpjekje me rivendosë në piedestalin e duhun të drejtat e mohueme padrejtësisht të popullsisë çame.

Akuzat e kundërakuzat, tashmë bajate, sepse të demaskueme nga dumentacioni përkates, nuk kanë vlerë. Nji erë e re europiane na mbushë me shpresë. Europa ka pas shumë konflikte në shekullin e kaluem e të përgjakshëm. Bota e qytetnueme përpiqet me i dhanë nji përgjigje pozitive pyetjes së madhe të “fajit” dhe “përgjegjsisë”, qoftë individuale, qoftë kolektive. Le të kujtojmë deklaratën historike të Atit të Shenjte, Gjon Pali II, në maj 1995, kur ai kërkon ndjesë në emën të të gjithë katolikëve, të të gjitha kohëve për “të këqijat” që ata kanë ba kundër jo-katolikëve gjatë shekujve; dhe akoma ma sublime: ai deklaroi faljen e fajit në emën të të gjithë katolikëve të të gjitha kohëve për të gjithë ata që kanë persekutue katolikët gjatë gjithë shekujve. Edhe Presidenti francez, Jacques Chirac, pranoi përgjegjsinë morale dhe politike të qeverisë kuislinge të Vichy-s dhe kërkoi faljen e fajit nga të gjithë të persekutuemit viktima të atij regjimi.

Më kujtohen sot fjalët e Presidentit çekosllovak, Vaclav Havel, në vitin 1996, kur ai u kërkoi falje “Sudeteve” gjermane për persekutimet nga ana e autoriteteve çekosllovake mbas vitit 1945, e sidomos për dbimin e tyne me dhunë nga trojet e tyne stërgjyshore. Ai i quejti veprimet e qeverisë së tij çekosllovake “nji qëndrim tribalesk” dhe “nji akt primitivizmi”.

Rezoluta çame e 10 dhjetorit 2012 tregon gjithashtu se aty ku dështon “shteti”, “shoqënia” civile e kulturueme ngren zanin dhe mbushë zbraztinë e pajustifikueshme. Si rrjedhim, nuk ashtë e domosdoshme që “vetëm shteti” të marrë iniciativë nxjerrjen në shesh të së vërtetës e korrigjimin e gabimeve të bame. Edhe “shoqënia shqiptare” duhet të jetë aq e organizueme politikisht sa të formojë nji organizëm të aftë e të gatshëm me fillue nji proces të drejtësisë publike. Qofte edhe pa nji ndërhymje qeveritare që shpeshherë mungon. Nji nismë e këtill do të konfirmonte daljen në skenë të forcave shoqënore të edukueme politikisht në Shqipëri – sot nji mungesë e madhe e vendit tonë!

Por, hapi i parë ashtë presioni mbi përfaqësuesët e popullit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë e të kërkohet përkrahja e rezolutës çame, si dhe zbatimi me ndërgjegje i kërkesave të saj legjitime. Edhe shqitarët çamë kanë të drejtë me gëzue lirinë dhe jetën me dinjitet pranë votrave të tyne stërgjyshore, të humbuna padrejtësisht. Ashtë nji e drejtë elementare në listën e të drejtave të njeriut!
Me këto mendime dhe për këtë qëllim, unë përkrahë rezolutën çame të 10 dhjetorit 2012 drejtue për aprovim Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

* City University of New York (ret.) Aktivist për të drejtat e njeriut