Nga Mero Baze, “Faktori Plus”
Kryeministri Sali Berisha ka humbur qetësinë pas njoftimit të opozitës se do të nisë një valë të re protestash, të cilat fillojnë më 30 Prill. Kryeministri, i cili kishte kohë që përpiqej të injoronte paralajmërimet për protesta, humbi menjëherë qetësinë sapo mësoi datën duke shpallur ditën pasardhëse, pra 1 Majin, si ditë të një antimitingu kundër protestës së opozitës.
Edhe pse e vjetër si metodë kundërpërgjigjeje, data që ka zgjedhur për antimiting është shumë problematike për zotin Berisha. Së pari, 1 Maji është ditë protestash në gjithë botën, ku zakonisht punëtorët protestojnë kundër qeverive. I vetmi rast kur 1 Maji është përdorur si ditë e shprehjes së mbështetjes nga punëtorët për qeverinë, ka qenë 1 Maji i regjimeve komuniste, përfshi dhe 1 Majin tonë gjatë komunizmit kur duhet të parakalonim përballë Enver Hoxhës. Nëse zoti Berisha ka nostalgji për periudhën kur ka
qenë Sekretar Partie, ka gjetur ditën e duhur kur të mbledhë me kuadrate në shesh rrogëtarët e shtetit për t’i shprehur atij mbështetjen. Së dyti, 1 Maji nxjerr zbuluar dhe antimitingun e 8 Dhjetorit të vitit të kaluar, të cilën Berisha u mundua ta maskojë duke e shpallur si Festë Kombëtare vetëm që t’i kundërpërgjigjej opozitës. Tashmë nuk besoj se do të mund t’i ndërrojë destinacionin historik 1 Majit. Ajo do të vazhdojë të mbetet si festë e punëtorëve dhe protestave kundër pushtetit. Me këtë gjest zoti Berisha fyen dyfish 8 Dhjetorin.
E para, e fyen si festë të rinisë shqiptare që u ngrit kundër diktaturës, pasi po rikthen një “rit” të diktaturës në demokraci dhe së dyti po dëshmon se është tallur me shpikjen e një feste kombëtare më 8 Dhjetor, pasi motivi i tij real është zhurmimi i mitingjeve të opozitës. Një arsye e fundit përse Berisha ka humbur qetësinë dhe po bëhet qesharak me antimitingjet e veta, është dhe fatura financiare. Mitingu i 8 Dhjetorit kushtoi 4 milionë dollarë për qeverinë, nëse llogarisim shpenzimet që deklaroi vetë Berisha, plus shpenzimet që burojnë nga ndërprerja e punës dhe udhëtimet drejt Tiranës i gjithë ndërmarrjeve shtetërore të Shqipërisë. Ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferri, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe Ministri Genc Pollo firmosën rreth 2 milionë dollarë shpenzime për postera dhe spote për datën 8 Dhjetor, duke ua faturuar ato para klientëve të Berishës dhe njerëzve afër tij. Arsyetimi ishte Dita Evropiane e Shqipërisë.
Nëse kjo faturë përsëritet atëherë shqiptarët do të duhet të nxjerrin nga xhepat e tyre para të tjera për të financuar fushatën antiopozitare të qeverisë, me shuma që shkojnë afërsisht aq sa duhet të paguajë qeveria për të bërë shpronësimin e Unazës së Vogël në Sheshin Skënderbej me qëllim që qytetarëve të mos u nxihet jeta nga pluhuri dhe trafiku, që do të bllokojnë sheshin tani që nisën punimet për ndërtimin e tij. Nuk di se si Berisha do të mund t’i justifikojë më këto shpenzime, por di që shpenzimet e mitingut të kaluar mund të kalojnë në një proces gjyqësor, pasi janë shkelur të gjitha rregullat e prokurimit dhe transparencës për harxhimin e parave të qytetarëve shqiptarë.
Veprime të tilla të papërgjegjshme, jo vetëm nga ana politike, por dhe etikës historike dhe ligjeve financiare, mund t’i bëjë vetëm një kryeministër që ka humbur qetësinë nga ideja se opozita e tij do të dalë në protesta para zyrës së tij. Kjo vetëm sa zbulon “thembrën e akilit” të kryeministrit dhe motivon opozitën që të qëndrojë në rrugë, jo vetëm më 30 prill, por dhe disa ditë pas tij, duke ia bërë të pamundur rikthimin e 1 Majit të Enver Hoxhës para të njëjtës zyrë.