Përse duhet mbështetur seriozisht “shakaja” e Berishës për imunitetin

0
40

Nga Mero Baze

Kryeministri Sali Berisha, i cili duket se ka marrë zemër nga gjunjëzimi që i ka bërë sistemit të drejtësisë, foli dje sërish për nevojën e heqjes së imunitetit për deputetët, duke e paraqitur atë deri më sot si një pengesë që vjen nga opozita. Pa dashur të hyjmë në spiralen e banalitetit, ku Berisha përpiqet të fusë debatin për njerëz që nuk kanë kujtesë, do të ishte një përgjigje e duhur për të një aksion i opozitës në këtë pikë. Prej vitit 2005 deri më sot opozita nuk e ka përdorur asnjëherë imunitetin si mburojë ndaj çdo akuze që i është bërë dhe për fat të saj nuk ka shkuar asnjë kërkesë për heqje imuniteti për deputetë të saj.

I vetmi rast i rëndë që imuniteti u përdor për të përdhunuar vdekjen e 26 personave, ka qenë rasti ku përzihet familja e Sali Berishës dhe Ministri i tij, Fatmir Mediu. Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë e Shqipërisë mbylli pa gjykuar një nga proceset më të bujshme të historisë së Shqipërisë kundër një zyrtari të lartë për shkak të imunitetit. I gjithë procesi u udhëhoq dhe u menaxhua deri në detaje nga Sali Berisha. I njëjti person, menaxhoi siç dëshmon dhe ish- kryehetuesi i Shqipërisë në atë kohë dhe procesin e dështimit të procedurave për gjykim të ministrit tjetër të Familjes, Lulëzim Basha.

Por cilat janë arsyet që Berisha nuk do të pranonte kurrë të dorëzonte imunitetin e njerëzve të tij, që i kanë shpëtuar drejtësisë për shkak të tij?

Një arsye është frika që ai ka se dorëzimi i ushtarëve të korrupsionit i prish rreshtin në të cilin po përpiqet të mbajë shumicën e tij të rrezikuar. Të gjithë ne e dimë se Berisha nuk ka për ta dorëzuar kurrë Fatmir Mehdiun, jo se ai do të fillojë të flasë për Shkëlzenin apo lidhjet e tij me Gërdecin, por sepse Berisha nuk do të deinkurajojë asnjë njeri të inkriminuar nga pushteti i tij. Kjo për të është më e rëndësishme se halli personal që ka me përfshirjen e djalit të tij në Gërdec.

Nëse Berisha jep sinjal se do të lëshojë qoftë dhe një person të inkriminuar, pushteti i tij do të plasaritet brenda ditës dhe secili do të nxitojë të dalë prej tij për të gjetur një strehë tjetër politike. Është kjo arsyeja madhore përse Berisha tallet me imunitetin tanimë që ka siguruar pushtetin e frikës mbi drejtësinë, ku askush nuk guxon të hetojë askënd që ka lidhje me pushtetin e tij. Mekanizmi i frikës funksionon si sahat brenda organeve të hetimit dhe gjithë çështjet që prekin pushtetin kalojnë në duar të njerëzve që janë të specializuar për t’i mbyllur apo degraduar ato.

Një tjetër arsye pse Berisha nuk do të pranonte të dorëzohej në këtë pikë, ka të bëjë me faktin se ai do të inkurajonte ndjeshëm drejtësinë të merrej me çdo çështje që hapej kundër njerëzve të tij. Është e papërfytyrueshme për të, që drejtësia shqiptare të nisë hetimet apo gjykimin për një çështje që prek njerëz të pushtetit të tij dhe ai të mos ketë dhënë pëlqimin për këtë gjë. Kjo do ta bënte atë një lider të goditshëm brenda shumicës së rrezikuar dhe pasojat do të ishin të menjëherëshme.

Të debatosh tani me Sali Berishën për këtë histori është të biesh në banalitetin e tij dhe në taktikën e shpëlarjes së trurit që ai përdor duke përsëritur çdo ditë të njëjtën gënjeshtër. I vetmi aksion për të, është një kërkesë zyrtare e opozitës apo ndonjë grupi deputetësh për një dispozitë kalimtare në heqjen e imunitetit, ku të vendoset që me këtë akt, qeveria të kërkoj vetë nga Gjykata e Lartë gjykimin e Ministrit Fatmir Mediu, të mbrojtur me imunitet dhe gjykimin e Ministrit të Familjes, Lulëzim Basha, të mbrojtur me procedurë për shkak të presionit politik.

Pas kësaj e kanë rrugën e hapur të shkojnë në prokurori deputeti Aldo Bumçi, deputeti Viktor Gumi, kaligrafia e të cilit ngjan shumë me shënimin për Shkëlzen Berishën sipër faksit nga Ministria e Drejtësisë, dhe shumë deputetë të tjerë të PD-së që kanë lidhje anësore me shumë nga aferat e tij këto 5 vite. Vetëm kjo lëvizje mund të ballafaqojë hipokrizinë e Berishës me procesin e heqjes së imunitetit, edhe pse ka një pesimizëm popullor rreth mënyrës se si duhet ta bësh Berishën të turpërohet.

Por, pavarësisht arsyeve të forta që ai ka në kokë për të mos dorëzuar askënd nga të tijtë përballë drejtësisë, ai po përpiqet të bëjë bllof duke folur për heqje imunitetesh. Është mirë ta vazhdojë këtë shaka, pasi si çdo i sëmurë që bëhet mirë përpara se të vdes, dhe pushteti i tij ka nevojë të duket sikur po shërohet, dhe do të vdesë pikërisht nga kjo përpjekje.