Nga Edi Rama, 19 Maj 2013
100 vjet më parë një ëndërr në dukje e pamundur bashkoi një grusht shqiptarësh kurajoz dhe lindi shtetin shqiptar. Sot kur 100 vjetori i dytë i këtij shteti sapo ka filluar ne jemi më shumë se një grusht njerëzish, jemi shumica e shqiptarëve që me forcën e një ëndrre do të shkojnë përpara drejt 23 qershorit për të fituar zgjedhjet dhe për të rilindur Shqipërinë.
Unë jam krenar dhe ndjehem i privilegjuar si askush tjetër të jem në krye të kësaj Skuadre Kombëtare, që sot u prezantua qark pas qarku përpara shqiptarëve me dinjitetin, pasionin, vullnetin, kurajon dhe dëshirën e jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë Rilindjen që duam. Ndaj, unë do të ftoja të gjithë pjesëtarët e Skuadrës sonë Kombëtare të bashkoheshin këtu me ne, me Skuadrën e Rilindjes për Vlorën.
Do të ftoja këtu përfaqësuesit e Tropojës, të Hasit, të Kukësit, të Malësisë së Madhe, të Shkodrës, të Pukës, Peshkopisë, të Matit, Bulqizës, të Lezhës, të Mirditës, të Kurbinit, të Durrësit, të Krujës, të Fushë-Krujës, të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Peqinit, të Korçës, Devollit, Kolonjës, Pogradecit, të Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës, të Beratit, të Kuçovës, Skraparit, të Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit; Përfaqësuesit socialistë dhe progresistë të të gjithë Shqipërisë.
Të Shqipërisë që kërkon punësim real dhe jo rritje të mëtejshme të papunësisë; Të Shqipërisë që kërkon mbështetje në sipërmarrjen e vogël dhe të madhe dhe jo shkatërrim të biznesit dhe mbytje në lakun e borxheve; Të Shqipërisë që kërkon shërbime sipas nevojës dhe jo sipas xhepit; Të Shqipërisë që kërkon një fshat të rilindur dhe jo një fshat të braktisur në mëshirën e fatit; Të Shqipërisë që kërkon të jetë e bukur dhe e pastër dhe jo e mbytur në plehra dhe me plehra të importuara nga jashtë; Të Shqipërisë që kërkon për njerëzit e vet të punës së ndershme, taksim të ndershëm dhe jo taksë të sheshtë që shkatërron të varfrit, që mbyt shtresën e mesme dhe pasuron vetëm një grusht njerëzish; Të Shqipërisë që me Partinë Socialiste do të fitojë mundësinë e madhe të një Rilindjeje dhe do t’i japë fund rrënimit të mëtejshëm; Të Shqipërisë së burrave dhe grave, të djemve dhe të vajzave që janë krenarë për emrin e tyre, familjet e tyre, për qytetin apo fshatin e tyre, për atdheun e tyre, që e duan model suksesi dhe frymëzimi në rajonin e Ballkanit dhe më në fund një atdhe që të mos jetë më sëkëlldia jonë kombëtare në sytë e të huajve, por të jetë krenaria jonë kombëtare në Europën e Bashkuar.
Unë jam krenar, sepse sot, ne, kemi programin më të detajuar që një forcë politike ka pasur në këto 20 vjet përpara një ballafaqimi zgjedhor. Jo një program elektoral të radhës, por një kontratë qeverisëse me popullin shqiptar për të rilindur Shqipërinë dhe për t’i dhënë çdo familjeje shqiptare mundësinë që të jetojë me punën e vet të ndershme. Unë jam krenar, sepse programi ynë nuk është një copë letër që rrezikon të mbetet aty në letër, por është instrumenti që do të jetë në dorën e kësaj Skuadre Kombëtare që ndërthur eksperiencën më të mirë të të shkuarës me idetë e reja të Europës, ku ne duam dhe do ta integrojmë Shqipërinë.
Unë jam krenar, sepse ky program dhe kjo skuadër, kanë mbështetjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që kërkojnë të jetojnë si zotër në atdheun e tyre me punën e tyre dhe me familjen e tyre të mirëqenë dhe kurrë më të kërcënuar nga falimentimi për shkak të borxheve. Unë jam krenar, sepse, ne, Partia Socialiste e Shqipërisë jemi sot lokomotiva e një transformimi të madh. Jemi sot forca udhëheqëse e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, aleanca e një bashkimi të madh.
Socialistët, progresistët, liberalët, qytetarët që nga e gjithë Shqipëria, që do t’i kthejnë Shqipërisë të drejtën për t’u qeverisur nga shumica. Unë jam krenar, sepse për të gjitha këto arsye pas një rrugëtimi të vështirë në opozitë, në mbrojtje të lirive dhe të vlerave të demokracisë në 23 qershor ne do të fitojmë. Do të fitojmë për Shqipërinë Europiane! Do të fitojmë për qytetarët e Shqipërisë Europiane! Do të fitojmë për fëmijët që lindin apo do të lindin nesër, të cilëve me krenari do t’ju trashëgojmë një Shqipëri të denjë për ëndrrën e atyre që e themeluan. Të denjë, për ëndrrën e Rilindësve që frymëzojnë programin, skuadrën dhe rrugën tonë drejt fitores.