Përse Berisha po prodhon një armik të ri amerikan?

0
51

Nga Mero Baze, 27 Maj 2013

Sulmi i kryeministrit Berisha ndaj ambasadorit të SHBA në Tiranë kërkon të zhvendosë axhendën reale të bisedimeve të qeverisë amerikane me qeverinë shqiptare lidhur me krizën e zgjedhjeve dhe nevojën urgjente të rikompozimit të KQZ. Një ditë para vizitës së së zyrtarit të lartë amerikan në Tiranë, Jonathan Moore, Berisha po përpiqet t’i dërgojë sinjale SHBA se mes tyre ekziston një “problem më i rëndësishëm se ai i zgjedhjeve” dhe ky është problemi “Aleksandër Arvizu”.

Sulmi, i cili duket i koordinuar me një udhëtim urgjent në Tiranë të shefit të kompanisë Podesta, është fokusuar tek komentet e ambasadorit shqiptar rreth vendimeve të gjykatave dhe Kolegjit Zgjedhor në Shqipëri, për ta bërë të ndjeshëm debatin me SHBA si një debat që ka të bëjë me paragjykimin e drejtësisë dhe shtetit ligjor prej ambasadës së SHBA në Tiranë.

Taktika e Sali Berishës në prodhimin e kësaj “axhende personale” të ambasadorit të SHBA kundër tij, i gjashti në radhë që nga viti 1991, që Berisha ka shpallur armik, bëhet e domosdoshme sidomos pas qëndrimeve publike të ambasadorit Arvizu në emisionin Opinion, ku ai bëri disa përfundime të rëndësishme lidhur me krizën politike në vend.

Konstatimi i parë i rëndë i ambasadorit të SHBA ishte se mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane ekziston një ftohje politike. Kjo ka qenë deklarata e parë zyrtare që një ambasador amerikan ka bërë prej vitit 1997 në Shqipëri lidhur me raportet mes dy qeverive, ku flitet për ftohje politike. Ambasadori bëri kujdes të shtojë frazën që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, por kjo përforcon më shumë antiberishizimin e qeverisë amerikane në pozicion zyrtar.

Konstatimi i dytë i rëndësishëm i ambasadorit ishte ekzistenca e krizës së KQZ si një problem i shkeljes së ligjit nga qeveria. Kjo zyrtarizon përgjegjësinë e qeverisë Berisha për prishjen e zgjedhjeve dhe një lloj detyrimi të saj për të rivendosur standardet, në të cilat ekzistonte KQZ para ndërhyrjes.

Konstatimi i tretë i ambasadorit të SHBA ishte rikonfirmimi i prekjes së zgjedhjeve në Tiranë dhe konsiderimin prej tij skandal të asaj që ndodhi me Kolegjin Zgjedhor.

Një tjetër konstatim që në të vërtetë bëri qesharak dhe broçkullën më të madhe elektorale që ka hedhur ndonjë herë në qarkullim, ishte sqarimi përfundimtar se mundësia e heqjes së vizave amerikane me Shqipërinë nuk ekziston as si procedurë, as si premtim dhe as si objektiv. Ambasadori shpjegoi qartë se ajo është një deklaratë që ka habitur Uashingtonin dhe nuk ka asnjë shans të realizohet.

Këto konstatime janë një axhendë e vërtetë krize mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane, të cilat Berisha po përpiqet t’i zëvendësojë urgjent me një axhendë personale mes tij dhe ambasadorit Arvizu.

Gjuha e egër e përdorur në deklaratën e Berishës kundër ambasadorit Arvizu, është më e egër edhe se gjuha që ai ka përdorur në vitin 1997 kundër ambasadores Mariza Lino. Kjo kërkon të çojë një sinjal të fortë në Uashington se nuk do të ketë mirëkuptim për krizën, por betejë për të zëvendësuar atë me një krizë në raportet personale të tij me diplomatin e SHBA.

Për këtë arsye është e kotë të presim ndonjë zgjidhje nga vizita e Jonathan Moore në Tiranë. Berisha po ia lexon paraprakisht deklaratën që do t’i bëjë në zyrë, për t’i treguar se këto zgjedhje nuk kanë nevojë vetëm të bëjnë “kurban” standardet, por dhe ambasadorin amerikan në Tiranë, për të justifikuar krizën që do të pasojë lajmet negative për lirinë e zgjedhjeve që do të prodhohen në Shqipëri deri më 23 qershor.

——————

Duhet shtuar këtu se në ’96-’97-n Berisha e quajti Stalin Presidentin Clinton dhe i ktheu përgjigje të ngjashme të dërguarit amerikan, se gjykatat tona janë të pavarura dhe se kemi shtet ligjor. Kemi të bëjmë me të njëjtin psikopat, që sa here i kërcënohet pushteti i tij, ai synon të kafshojë, pa e ditur se mund t’i mbesë në fyt një ditë, siç ndodhi në vitin e mbrapshtë 1997.