Nga Eduard Zaloshnja, 9 janar 2012
Më se një herë, Berisha ka deklaruar në mënyrë kategorike se është kundër korigjimit kombëtar të sistemit zgjedhor rajonal, i cili është aktualisht në fuqi. Argumenti që ai ka dhënë për këtë qëndrim kategorik, në fakt, është logjik – nuk ka kuptim të ndërrojmë sistemin zgjedhor çdo 4 vjet, ka thënë Berisha, duke theksuar më tej se ndryshimi i fundit atij i është bërë me konsensus të gjerë në Kuvend.
Por historia e këtyre 21 vjetëve na ka treguar se Berisha, në kohë të ndryshme, ka mbajtur qëndrime diametralisht të kundërta për të njëjtin problem apo person, në përshtatje me interesin politik të çastit (kujtoni qëndrimin ndaj Fatos Nanos). Prandaj, edhe qëndrimin e tij aktual ndaj sistemit zgjedhor nuk ia vlen ta analizosh nga këndvështrimi i principialitetit – ai duhet analizuar nga këndvështrimi i interesave të tij të sotme. Atëherë, pse Berishës nuk i intereson korigjimi kombëtar i sistemit zgjedhor rajonal?
Së pari, dy partitë e reja që duket se do të krijohen – ajo e Bamir Topit dhe Aleanca Kuqezi – do të ishin shumë të favorizuara nga korigjimi kombëtar. Me sistemin aktual, ekziston mundësia që ato të marrin nga 100 mijë vota secila dhe të mos sigurojnë dot mandat në asnjë qark (një partie jashtë koalicioneve të mëdha t’i duhen rreth 10 mijë vota për të marrë mandat në një qark). Ndërsa me korigjimin kombëtar, me 100 mijë vota secila, do të merrnin nga 10 mandate. Dhe gjasat do të ishin shumë të mëdha që mandatet e tyre (gjithsej 20) të mos i bashkoheshin mandateve të PD-së për të krijuar qeverinë…
Së dyti, korigjimi kombëtar u jep partive të vogla të koalicionit aktual qeverisës mundësinë për t’u futur në garë më vete. Kjo, sepse ato, nëpërmjet tij, mund të marrin mandate në përpjestim me votat e tyre kombëtare, pavarsisht nga përfshirja në një koalicion parazgjedhor. Dhe partitë e vogla që futen në garë më vete mund ta rrisin shumë “pazarin” pas zgjedhjeve, kur mandatet e tyre të nevojiten për krijimin e qeverisë…
Por a është i sigurtë Berisha se do t’i fitojë zgjedhjet me sistemin aktual? I sigurtë nuk mund të jetë, por i avantazhuar është. Dhe ja përse.
Meqënëse në sistemin rajonal kanë rëndësi vota sipas qarqeve dhe jo ajo kombëtare, le t’i analizojmë ato një nga një. Kështu, në qarkun e Kukësit, koalicioni “Berisha” plus LSI-ja kanë patur pothuaj 30 mijë vota në vitin 2009. Le të supozojmë se, KRAHASIMISHT ME 2009-ën, ato do të kenë një tkurrje prej 6 mijë votash (20% — tkurrja mund të vijë prej votimit dhe numërimit më të saktë të votave se më parë, prej rrjedhjes së votave drejt partive jashtë koalicionit etj.) Ndërkohë, le të supozojmë se koalicioni “Rama”, i cili pati pothuaj 14 mijë vota në 2009-ën, do të ketë një rritje prej 2.8 mijë votash (20% — rritja mund të vijë prej votimit dhe numërimit të votave më të saktë se më parë, prej shtimit të partive të vogla në koalicion, si PSV-91, PDK etj, etj.). Çfarë do të ndodhte me shpërndarjen e mandateve të qarkut në një skenar të tillë? Do të mbetej e njëjtë me atë të vitit 2009! Dhe krejt e njëjta situatë është edhe në qarkun e Dibrës – një tkurrje prej 20% e koalicionit qeveritar dhe rritje po prej 20% e koalicionit Rama do të prodhonte të njëjtën shpërndarje mandatesh me të 2009-ës!
Duke vazhduar me qarqet e tjerë, shpërndarja e mandateve nuk do të ndryshonte në qoftë se:
Në qarkun e Gjirokastrës koalicioni qeveritar tkurret me 15% dhe koalicioni “Rama” rritet me 15%; në qarkun e Shkodrës, koalicioni qeveritar tkurret me 10% dhe koalicioni “Rama” rritet me 10%; në qarkun e Lezhës, koalicioni qeveritar tkurret me 10% dhe koalicioni “Rama” rritet me 10%; në qarkun e Korçës, koalicioni qeveritar tkurret me 10% dhe koalicioni “Rama” rritet me 10%; në qarkun e Fierit, koalicioni qeveritar tkurret me 10% dhe koalicioni “Rama” rritet me 10%; në qarkun e Vlorës, koalicioni qeveritar tkurret me 10% dhe koalicioni “Rama” rritet me 10%; në qarkun e Elbasanit, koalicioni qeveritar tkurret me 9% dhe koalicioni “Rama” rritet me 9%; në qarkun e Durrësit, koalicioni qeveritar tkurret me 5% dhe koalicioni “Rama” rritet me 5%; në qarkun e Tiranës, koalicioni qeveritar tkurret me 2.5% dhe koalicioni “Rama” rritet me 2.5% (2.5% në rastin e Tiranës është baraz me rreth 5000 vota). Vetëm në qarkun e Beratit, shpërndarja e mandateve mund të ndryshojë edhe për një grusht votash.
Kur u ideua sistemi aktual rajonal nga dy partitë e mëdha, synimi i tyre kryesor ishte që partitë e vogla (të vjetra apo të reja) ta kishin sa më të vështirë futjen në Kuvend jashtë ombrellës së tyre. Por një veçori e tij është edhe që shpërndarja e mandateve në qarqe nuk pëson ndryshime të ndjeshme nga zgjedhja në zgjedhje, pavarësisht ndryshimeve relative në raportet e forcave brenda qarqeve. Kjo është dhe arsyeja përse Berishës nuk i intereson sot ndryshimi i këtij sistemi.