
Mero Baze, 24.02.2011
Pas Tunizisë dhe Egjiptit ku përmbysjet kaluan, Libia po vihet në qendër të vëmendjes botërore për shkak të asaj që dyshohet se mund të jetë duke ndodhur, një gjenocid politik nga vrasjet masive të regjimit të Gadafit mbi protestuesit. Shifrat lëvizin nga 100 deri në dhjetë mijë, dhe ka dyshime të besueshme prej shtypit se regjimi ka angazhuar mercenarë të huaj për të kryer vrasjet. Bashkimi Evropian dhe vendet kryesore perëndimore, përfshi SHBA, kanë dënuar vrasjet e protestuesve. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut tha dje se vrasjet e protestuesve të paarmatosur janë të dënueshme dhe të papranueshme nga çdo vend perëndimor.
Qeveria shqiptare, ca për shkak të servilizmit, dhe shpesh herë për shkak të keqkuptimit që ka për rëndësinë e saj, ndjek në deklaratat për politikë të jashtme gjithmonë deklaratat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shpeshherë e bën këtë dhe pa qenë nevoja. I vetmi rast ku qeveria shqiptare po hesht për një gjenocid politik ndërkombëtar është rasti i vrasjeve të protestuesve në vendet arabe dhe sidomos në Libi.
Heshtja nuk do shumë mend, është produkt i asaj çfarë vetë qeveria shqiptare dhe Sali Berisha kanë bërë në Tiranë. Analogjia e vrasjeve të protestuesve në vendet arabe dhe atyre në Shqipëri ngjan si dy pika uji. Bile vrasjet në Shqipëri janë dhe më të dhimbshme pasi janë kryer qetësisht me gjakftohtësi dhe larg rrethanave në të cilat ndodhin ato në botën arabe.
Si për ta bërë dhe më të vështirë pozitën e qeverisë shqiptare,u shfaqen dje protestat ën Athinë ku policët grekë gati u masakruan me napalm dhe molotov dhe askush nuk qëlloi për vdekje protestuesit. Ndryshimi thelbësor mes një demokracie dhe një regjimi, ka të bëjë pikërisht me qëndrimin që mban ndaj qytetarëve në protestë, qoftë kjo dhe e dhunshme. Sali Berisha, i cili para një viti ngriti Komision Hetimor për të gjetur vrasësit e masakrës së Tivarit, ndodhur në një shtet tjetër për bashkëkombasit tanë, tani po hesht për masakrën e bërë me urdhër të tij para zyrës së tij. Dhe për ironi të fatit për të dy masakrat ka ngritur nga një komision hetimor. I pari siç pritej la vetëm shijen e banalitetit të atyre që e morën përsipër, kurse i dyti ishte i vetmi institucion humori në këto ditë zie.
Berisha, i cili po plas të jetë në një vijë me perëndimorët dhe në sinkron me ta për veprimet e tij, po bën diferencën me ta pikërisht në elementin që ndan demokracitë nga regjimet e korruptuara dhe diktatoriale. Ai po hesht për vrasjet politike dhe gjenocidin politik në vendet arabe. Ai po ëndërron të mos jetë as si Gadafi, as si Ben Ali, as Mubaraku, por problemi është se nuk thotë dot që jam në anën e të vrarëve që kanë fatin e Ziver Veizit, Faik Myrtos, Hekuran Dedes dhe Aleks Nikës. Ai është në ngërç politik nga ky paralelizëm fatkeq për të, ngërç i cili bëhet dhe më i dukshëm kur krahason fjalimet e tij që ngjajnë me dy pika uji si ato të Gadafit.
Por ka një krye-arsye përse Berisha nuk i dënon ato vrasje. Ai ende nuk ka dënuar vrasjet e 21 Janarit në Shqipëri. Ai ende nuk është distancuar nga akti i vrasjes dhe asnjë zyrtar shqiptar, përfshi dhe atë, nuk ka deklaruar se vrasja e qytetarëve të paarmatosur nuk do të ndodhë kurrë në këtë vend. Ky detaj është shumë i rëndësishëm për të kuptuar se ai është vetë vrasësi. Për mua nuk ka shumë rëndësi nëse Ziverin e ka vrarë një gardist nga Lushnja apo një gardist nga Gramshi, nuk ka rëndësi nëse ka shtirë mbi turmë një tropojan apo ndonjë mercenar i paguar privatisht nga jashtë kufirit. Për mua ka rëndësi që kryeministri i vendit tim nuk ka dënuar vrasjet para zyrës së tij, por po vazhdon betejën në mbështetje të vrasësve.
Kjo është një diferencë e madhe në mentalitetin e një lideri perëndimor nga një udhëheqës regjimi. Në këtë situatë të rëndë të krijuar, hetimet janë njëra anë e medaljes dhe tashmë është ana teknike dhe fyese për viktimat, kurse qëndrimi politik është ana thelbësore. Hetimet nuk na i ndalin dot më vrasjet në të ardhmen dhe sikur të dalë se ato i ka vrarë bodiguard-i i Berishës. Vrasjet politike në të ardhmen na i ndal vetëm distancimi politik nga to dhe quajtja e tyre krim politik.
Sali Berisha, kryeministri në detyrë i vendit tim, nuk i ka dënuar vrasjet as formalisht dhe as realisht. Ai vetëm për një moment ka tentuar t’ia faturojë kundërshtarit dhe kur ka parë që ka qenë e pamundur, ka nisur tu dalë zot. Ky është zhvillimi më negativ që bën diferencën e Shqipërisë nga vendet perëndimore. Qëndrimi ndaj një vrasje politike ndan regjimet nga demokracitë. Qëndrimi i Berishës ndaj vrasjeve para kryeministrisë, dhe për shkak të tyre dhe ndaj vrasjeve politike që po ndodhin në botën arabe, na fut ne në vendet me vrasje politike që janë shumë larg standardeve të vendeve që tentojnë të shkojnë drejt Perëndimit.







