Përse Berisha e do Arvizun “si Edi Rama”?

0
30

Nga Mero Baze, 11 Shkurt 2013

Pas polemikës publike të ambasadës së SHBA me Gjykatën e Tiranës, Sali Berisha ka rritur kujdesin ta pozicionojë ambasadorin e SHBA si një “opozitar” me qëndrime politike kundër tij. Mesazhi i qartë për mbështetësit e Berishës u artikulua nga një prej deputeteve të Berishës, që nuk flasin kurrë pa leje dhe pa përcjellë mesazhin e kryetarit. Në një deklaratë për shtyp dy ditë më parë, Mesila Doda kërkoi që “Edi Rama” të ndalte luftën psikologjike kundër gjyqtarëve të 21 janarit dhe të mos përfliste vendimin e turpit gjykues.

Deklarata u bë në një kohë kur Edi Rama nuk ka bërë asnjë shantazh personal ndaj gjyqtarëve të 21 janarit, dhe përveç deklaratës së ditës së parë, ku fliste parimisht për mos hetimin e kësaj dosje, nuk ka folur më. I vetmi që ka bërë polemikë publike me trupin gjykues është ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në polemikën e tij ai ka bërë kujdes të theksojë se është injoruar ekspertiza e një prej laboratorëve më të mirë në botë dhe se ka shprehur tronditjen e ligjshme të qeverisë së tij për mosdhënien e drejtësisë.

Për ata që e kuptojnë si funksionon Sali Berisha në krizë, tashmë është e qartë se deklaratat e tij prej ditës kur u shpall vendimi kanë të bëjnë vetëm me qëndrimin e SHBA. Ai po përsërit një për një gjithë simptomat e krizës së vitit 1996 me SHBA. Në atë kohë ata e akuzuan se procesi zgjedhor i majit 1996 ishte hap mbrapa dhe përgjigja e tij ishte krahasuese duke u thënë se Shqipëria nuk është si SHBA që vret presidentët në fushatë elektorale. Njësoj dhe në këtë rast Eduard Halimi iu kundërvu ambasadorit Arvizu duke theksuar se ne kemi vrarë në bulevard, siç keni vrarë ju në oborrin e ambasadës.

Më tej akoma, njësoj si në vitin 1996, zëdhënësja e Berishës përhap dhe shpërndan deklarata kundër qeverisë amerikane dhe për t’i vënë kapakun gjithë historisë, një deputete që merr rrogën vetëm për t’u përdorur në raste krizash, identifikon akuzuesin e gjykatës, Aleksandër Arvizu si Edi Rama.

Pra ajo që Sali Berisha është duke bërë tani, është pozicionimi para elektoratit të tij të ambasadorit të SHBA, “si Edi Rama”. Qëndrimi i tij publik kundër Berishës, pas një periudhe të gjatë konformiste dhe luajaliteti, natyrisht që i ka bërë shumë dëm Berishës në sytë e militantëve të vet, të cilët duan një përgjigje. Dhe përgjigja më lehtësuese për ta është pikërisht ajo që tha Mesila, që ai është “si Edi Rama”, që bën presion mbi gjyqtarët e 21 janarit.

Kjo e shpëton Berishën nga shumë pikëpyetje që ngrihen rreth pozicionit të tij të ri në krizën që po përjeton me SHBA. Njësoj si me Xhon Uidhersin, Berisha tani do të fillojë t’u shpjegojë mbështetësve të vet se Arvizu e ka personale me të, se ai është patologjik kundër tij, se ai është blerë nga opozita, se ai po bën lojën e Edi Ramës, etj.

Kjo logjikë politike e Berishës përputhet jo vetëm me rrethanat e tanishme, në të cilën ai po detyrohet të bëjë dalje ambasadorin e SHBA, por dhe me logjikën politike të tij si armik i personaliteteve të pavarura dhe të besueshëm në kritikat ndaj tij. Berisha ka problem vetëm këtë kategori personalitetesh, pra ata që janë neutralë dhe e kritikojnë atë hapur. Kjo është kryearsyeja që Sali Berisha e do Arvizun “si Edi Rama”. Kjo është arsyeja përse ai nxjerr deputeten e vet të kërkojë të ndalen sulmet mbi gjyqtarët e 21 janarit, kur i vetmi personalitet publik që ka bërë betejë të hapur me ta është ambasadori i SHBA. Ky është një zhvillim i papranueshëm për të si kryeministër dhe tashmë objektivi i tij kryesor nuk është të zhbëjë ato që thotë ambasadori Arvizu në emër të SHBA, por t’u tregojë të vetëve se ai i thotë këto në emër të Edi Ramës. Nuk ka rëndësi se këtë gjë nuk e beson SHBA, apo shqiptarët. Ai u flet vetëm të vetëve. Çetës së tij që e trajton si një bandë pa tru, pa fytyrë dhe pa emër.