Nga Mero Baze, 25 Prill 2013
Të gjithë prisnin që Sali Berisha të bënte diçka për të përballuar situatën e re pas 1 prillit. Një e majtë e bashkuar, me shifra të sigurta dhe një sërë partish të vogla bashkuar rreth tyre për shkak të sigurisë në fitore, kërkonin doemos një lëvizje nga Sali Berisha për ta përballuar betejën. I kapur në befasi nga gjumi në të cilin e kishte vënë Ilir Meta duke përdorur raportin e tij miqësor me Lulëzim Bashën, Sali Berisha, siç e prisnim të gjithë, ishte me duar të lidhura për një përgjigje dinjitoze. Në javët e para të bashkimit të së majtës, kur zërat kritikë ishin ende të fortë dhe kur Berisha kishte pamjen e një viktime, ai mund të bënte lëvizje që të çorodisnin lëvizjen opozitare dhe të balanconte efektin e saj në publik.
Nga ana taktike ai së pari duhet të bënte një lëvizje që të bashkonte të djathtën dhe së dyti të mbante të ndezur polemikat brenda opozitës. Në të vërtetë ai nuk bëri as të parën, as të dytën. Përkundër kësaj, ai bëri kujdes të mbante larg shanset për një koalicion me Bamir Topin dhe së dyti bëri të pamundurën që të shuante polemikat brenda opozitës duke i bashkuar ata tek “gogoli” Berisha, i cili rrëmbeu menjëherë KQZ-në dhe ringjalli fantazmat e vjetra të vjedhjes së votës. Kështu ua lehtësoi punën të gjithëve atyre që kishin dyshime nëse ishte ende Berisha një rrezik për demokracinë apo jo.
Sa i përket lëvizjes së parë taktike, asaj të bashkimit të së djathtës, Berisha realisht nuk bëri asnjë përpjekje serioze. Ai bëri vetëm një gjysmë deklarate që ftonte çdo të djathtë në koalicion me të, por refuzoi të bënte ftesë për faktorin më të rëndësishëm të së djathtës, ish- Presidentin e partisë së tij, që qartësisht është në opozitë me të për shkak të vendimit të Berishës për ta shpallur armik, vetëm se i rrezikonte ndëshkueshmërinë e familjes së tij, përfshirë në vrasje për shkak të vjedhjes dhe vrasje për shkak të rrezikimit të pushtetit. Ai e shpalli Bamir Topin një “puçist” të pushtetit të tij, për arsye që nuk lidhen me Partinë Demokratike, por me pushtetin e Familjes së tij.
Beteja e tyre e parë vjen pas tragjedisë së Gërdecit, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku Topi ngriti zërin për ata që ishin përgjegjës në zyrat e shtetit për këtë tragjedi dhe që informoheshin përditë për situatën. Prej atij momenti raportet e tyre u krisën. Tragjedia e Gërdecit nuk ishte një vepër e Partisë Demokratike, as e ndonjë udhëheqësi të saj dhe as fryt i zhvillimeve politike në PD. Ajo ishte vepër e të birit të Sali Berishës, si sekser mes Ministrit të Mbrojtjes dhe disa biznesmenëve, të cilët gjetën rrugën e lehtë për të bërë një biznes me pasojë vdekjen. Armiqësia e Bamir Topit me Sali Berishën filloi për këtë shkak, vazhdoi me rezistencën që sistemi gjyqësor dhe prokuroria tentuan t’i bëjnë shantazhit shtetëror për të mbyllur gjyqin e Gërdecit dhe atë të rrugës së Kombit, dhe u finalizuan me tragjedinë e 21 Janarit, ku Berisha e kishte të domosdoshme t’i shpallte gjithë institucionet e shtetit armike, që të shpëtonte veten dhe Lulëzim Bashën nga akuza e vrasjes politike me paramendim.
Pra, historia e prishjes së Bamir Topit me Sali Berishën nuk i ngjet as prishjes së Berishës me Eduard Selamin, as prishjes së Berishës me Dashamir Shehin, as prishjes dhe pazareve të Berishës me Genc Rulin, Genc Pollon, Tritan Shehun, Arben Imamin, Preç Zogajn, Spartak Ngjelën, etj. Prishja e tij me Bamir Topin ka ardhur jo për ndonjë betejë apo karrierë brenda PD-së, pasi ata janë bërë armiq kur kishin të dy postet më të larta në vend dhe nuk kishin ç’kërkonin tjetër. Prishja e tyre ka ardhur se Bamir Topi shikohej si njeri i pasigurt për të mbuluar krimet e familjes në pushtet. Kaq. Pra është një konflikt që nis dhe mbaron tek familja e Sali Berishës dhe jo tek Partia Demokratike. Bamir Topi nuk ka pasur asnjë konflikt brenda Partisë Demokratike dhe është larguar nga ajo parti kur ka qenë më i votuari brenda saj. Si i tillë ai meritonte jo vetëm të ftohej nga Sali Berisha, por dhe të ridimensionohej partneriteti i tij me Partinë Demokratike në të ardhmen.
Por Sali Berisha nuk kishte fuqi ta bënte këtë. Ai dogji për interes të familjes së tij shansin që të ribashkonte të djathtën dhe ta vitalizonte atë përballë një opozite super të bashkuar dhe të sigurt në rrotacion. Ai nuk e bëri atë në emër të “të birit dhe Zotit” të shenjtë të pushtetit që është vetë. Nuk e bëri as për Partinë Demokratike dhe as për ndonjë interes madhor politik të së djathtës.
Ky kufizim i madh i tij për t’i hapur rrugën bashkimit të së djathtës dhe futjes së ndonjë elementi të ri në fushatën për kryeministër, e ka bërë atë sot një figurë të zgërlaqur politike, një plak paranojak që lëviz me 30 roje dhe antiplumb, një të sëmurë haluçinant, që prodhon lajme qesharake kundër opozitës, e cila pritet në Austri nga Presidenti dhe qëllohet me gurë nga një nëpunës i papërgjegjshëm i tij, që duhej pushuar me kohë si refuzues i shtetit shqiptar.
Është kjo frymë nepotike dhe ky pushtet familjar, që i rrezikohet Sali Berishës nga hapja e PD-së dhe ridimensionimi i pushtetit të saj. Është kjo arsyeja që Sali Berisha as që guxoi t’i bënte ftesë me emër partisë së Bamir Topit, e cila është në të drejtën e vet morale dhe politike të garojë e vetme dhe të jetë poli dinjitoz i qytetarëve shqiptarë, që nuk duan të votojnë as të majtën e sigurt në pushtet, as të djathtën e kalbur pas pushtetit të familjes së Berisha.
Si për të mos i mjaftuar mungesa e guximit politik për të bashkuar të djathtën, Berisha forcoi dhe bashkimin e së majtës. Pikërisht atëherë kur debatet brenda opozitës ishin të forta dhe bashkimi jotransparent i LSI me PS kish ngjallur dyshime, Sali Berisha shkatërroi KQZ dhe riktheu makthin e njohur prej tij për prishjen e zgjedhjeve. Ai vazhdoi më tej me gjuhën e tij arkaike kundër opozitës dhe si përfundim tre javë pas bashkimit të opozitës, ai ka mundur jo vetëm t’i bashkojë ata, por t’i bëjë dhe arrogantë ndaj atyre që dalin nga rreshti, siç është rasti Spahiu.
Në këto kushte ai po e fut të djathtën në një garë jo vetëm të pabarabartë numerike me të majtën, por dhe në një kontrast të thellë politik me opozitën, lidhur me aftësinë për të ndarë pushtetin. Ai po hyn në këtë garë jo vetëm i humbur, por dhe i lig në përpjekjen e tij për të lënë pas vetes një shkretëtirë politike, duke përbaltur në betejën e tij të fundit politike dhe emra simpatikë të së djathtës si Shehi e Selami, që kanë mbi një dekadë kundër tij, dhe duke lënë jashtë derës një pjesë të së djathtës që nuk pranoi t’i shërbente pushtetit të familjes së tij. Nuk di kush mund t’i bënte kaq shumë dëm PD-së përveç këtij njeriu në këto momente. Jam i sigurt se Rama me Metën s’do t’ia dilnin dot pa pasur Berishën përballë!