Përse ankoheni për Putinin zoti Gorbaçov?

0
39

Nga Mero Baze, 30 Nëntor 2011

Mihail Gorbaçov ka mbërritur në Tiranë. Edhe pse është fotografuar me udhëheqësit politikë të Tiranës, edhe pse kanë kujtuar e rikujtuar Perestrojkën, rrëzimin e komunizmit dhe vendosjen e demokracisë, në të vërtetë vizita e tij nuk ka lidhje fare me to. Për ironi të fatit ajo është realizuar pikërisht nga deformimi i demokracisë dhe gropat e zeza të saj.

Gorbaçov është në Tiranë në një udhëtim biznesi, i paguar një biznesmen shqiptar, i akuzuar vite më parë nga Sali Berisha si trafikanti më i madh i naftës në Ballkan, i përfolur në afera privatizimesh dhe evazion fiskal, dhe i mbrojtur publikisht nga fotografia që ka me gruan e Sali Berishës. Është një soj biznesmenësh nga ata që rrahin dhe padisin gazetarë për t’u mbyllur gojën, dhe që u lëpijnë prapanicën dhe paguajnë miliona pastaj për një foto me ikona politike, të gjalla dhe ish- të gjalla. Një racë e tillë në Shqipëri ka ardhur nga Rusia, Kazakistani, Azerbajxhani, Kirgizistani … Stani… Stani.

Nga Rusia që e la të lirë nga komunizmi Gorbaçovi dhe që hierarkët e rinj të Kremlinit e shndërruan në një republikë të dhunshme të biznesit të lidhur me mafien dhe politikën. Spekulantët e naftës së Rusisë, që u bënë dhe blerës- dhe dhunues të medies, vrasës të gazetarëve kurajoz, bythëlëpirës të Putinit dhe Jelcinit, por arrogantë dhe të dhunshëm në raport me shoqërinë dhe lirinë e atij vendi, kanë eksportuar modelin e tyre në gjithë ish- republikat sovjetike dhe fatkeqësisht deri në Shqipëri.

Disa muaj më parë Gorbaçovi dha një intervistë për medien perëndimore ku shprehu shqetësimin se Rusia po bënte hapa mbrapa në demokraci, sidomos në liritë politike dhe medien e lirë. Arsyeja përse Rusia kritikohet është pikërisht se cari i ri i Kremlinit është një ish- komunist, që ka ndërtuar një pushtet të hekurt me ndihmën e biznesmenëve që kanë rrëmbyer pasuritë kombëtare të Rusisë dhe i kanë vënë në shërbim të pushtetit të tij. Aty njerëzit janë të lirë të lexojnë çdo libër apo gazetë, janë të lirë të hyjnë në kë parti të duan, por nuk janë të lirë të thonë të vërtetën dhe të zgjedhin atë që duan. Është pikërisht ajo që po ndodh në Shqipëri.

Është pikërisht modeli putinist i kontrollit mbi politikën, mbi zgjedhjet, mbi medien e lirë dhe elitën e një vendi ai që e ka bërë sot Shqipërinë një vend qesharak dhe të dhimbshëm njëkohësisht, një vend ku ministrat ngrihen në këmbë duke qeshur për të nderuar një pasardhës të Familjes Mbretërore dhe ulen në gjunjë duke qarë nëse konstatojnë se Familja në pushtet u ka hequr vështrimin dhe nuk i preferon më. Shqipëria po kthehet nga shtet në territor, ku sundon një familje dhe ku axhenda e kryeministrit është tërësisht private.

Ai shëtit nga një biznes i Familjes së tij në tjetrin dhe i paraqet si biznese të shqiptarëve dhe ky model transmetohet dhe tek pinjollët e tij në pushtetin lokal, ku zaptuesi i Bashkisë së Tiranës po kthen Kunatin në Princ të Tiranës. Nëse ankohesh në Rusi për Putinin dhe shpreh dyshime për lirinë e vendit tënd, bëju i mëshirshëm dhe qëndro larg Putinizmit të Tiranës zoti Gorbaçov. Rusët nuk janë popull i zgjedhur që duhen mbrojtur dhe ne duhemi poshtëruar, duke na shitur Putinizmin për demokraci.

Por më shumë se rënia në batakun e modelit putinist, Shqipëria pret e zhgënjyer legjendën e përmbysjes së komunizmit në Lindje, pasi ai po vjen aq vonë, sa nuk ka kohë të shpjegojë asgjë nga ëndrra e vet për demokracinë. Ai që përmbysi komunizmin në emër të lirisë dhe shanseve të barabarta, po vjen me një honorar që bën pis ëndrrën e tij, duke na sjellë në vend të nostalgjisë për atë që ka bërë, zhgënjimin për këtë që po bën.

Ai po vjen jo më në emër të së shkuarës që të lë një shije fisnike në kujtesë, por në emër të skenarit më të keq të degradimit të demokracisë, modelit rus që po përhapet si epidemi në gjithë ish- hapësirat e kampit socialist. Ai po vjen për të na kujtuar se 20 vjet pas rënies së Murit, mbetëm me Lindjen, me mafien, me mungesën e lirisë. Ai po vjen me honorare të lartë. Aq të lartë, sa kanë blerë me të dhe historinë, për të cilën mund të prisnim të gëzuar Gorbacovin qe enderruam dhe nuk erdhi kurre.