Preç Zogaj, 29.04.2011
Prej dy vitesh, ndoshta pak më shumë, qeveria ka vështirësi të mëdha të likuidojë kompanitë e ndërtimit për veprat publike që ato i kanë ndërtuar me paratë e tyre, në bazë të një marrëveshjeje xhentëlmenësh të kërkuar nga qeveria: “Ju mbaroni veprat me mundësitë tuaja para zgjedhjeve, ne do t’ju likuidojmë menjëherë pas zgjedhjeve”.
Ky ka qenë thelbi i marrëveshjes. Të vetëdijshëm se po rrezikonin apo po kontribuonin për shiritat elektoralë të kryeministrit, shumë ndërtues e kanë pranuar këtë lloj marrëveshje: ca nga e keqja, ngaqë qeveria arrogante ta bën gjëmën, po ia prishe qejfin.
Ca nga nevoja, meqenëse qeveria mbetet punëdhënësi kryesor dhe të bën bllokadë nesër-pasnesër po nuk iu gjende kur do ajo. Ca të tjerë të motivuar nga një ide xhambaze, sipas së cilës një qeverie që të kërkon një nder në shkelje të rregullave mund t’i marrësh dyfishin e fitimit, pasi ajo nuk të kërkon dot llogari për cilësinë e punës.
Ca të tjerë akoma, të motivuar politikisht nga dëshira për të ndihmuar qeverinë. Besoj se, përtej motiveve të ndryshme, të gjithë kanë menduar një gjë të përbashkët: qeveria nuk të mbetet borxh, t’i jep paratë. Dhe, për fat të keq, ky është mendimi që i ka gabuar: qeveria “Berisha” nuk e ka për gjë të të mbetet borxh, edhe kur ti ke marrë kredi në bankë për të mbaruar porosinë e saj.
Qeveria “Berisha” nuk e ka për gjë të të mos i japë paratë, edhe kur ti je shtrënguar të dërgosh në shtëpi dhjetëra dhe qindra punonjës ngaqë nuk ke me çfarë t’i paguash. Qeveria, madje, nuk e ka për gjë të të mohojë borxhin, edhe pse ti po shkon drejt falimentimit. E gjithë kjo, jo thjesht se qeveria ka kaluar lumin dhe nuk do.
Qeveria edhe nuk ka. Ose ka pak, por nuk mendon që ato pak që ka t’ua japë me përparësi absolute firmave, në vend që t’i hedhë me lugë kafeje andej-këndej, për të krijuar idenë sikur po punon me projekte të reja. Qeverinë e ka marrë në qafë oreksi i madh.
Qeveria ka gabuar rëndë në përllogaritje, ka shtrirë këmbët përtej jorganit, ka hapur fronte dhe kantiere “për tre-katër buxhete”, siç thoshte një ministër i qeverisë “Berisha”; nuk ka kuptuar në kohë efektet e krizës globale, ka ngecur në aventurat e saj populiste dhe korruptive, është detyruar të hyjë në borxhe dhe të mos lajë borxhe, e ka futur ekonominë e vendit në spiralen e logjikës piramidale që ha dhjamin e vet…
Moslikuidimi i kompanive dhe moszbatimi i qindra vendimeve të formës së prerë të gjykatës në favor të firmave dhe individëve ka qenë dhe është pllanga e madhe e lakuriqësisë së krizës, që qeveria nuk ka arritur ta mbulojë me demagogji. Një pllangë tjetër e lakuriqësisë së krizës, lidhur ngushtë me të parën, është rënia drastike e investimeve publike në komuna dhe bashki pas zgjedhjeve të vitit 2009.
Kur s’ka qeveria, s’kanë as bashkitë e komunat. Ky fakt është ndërkohë tregues i regresit dramatik që ka shënuar decentralizmi fiskal, si thelbi i decentralizmit të pushtetit vendor.
Nuk është qëllimi im në këtë shkrim të merrem hollësisht me krizën e likuiditeteve, me krizën e financimeve dhe investimeve të reja, me “fshehjen” dhe pakësimin e parasë në qarkullim, që është kryefjala e ditës në çdo bisedë me familjarë apo sipërmarrës të thjeshtë. E pashë me vend të bëj këtë parantezë për të mbështetur një pyetje shumë shqetësuese në lidhje me fushatën elektorale për zgjedhjet e datës 8 maj.
Po asistojmë në një festival të paparë premtimesh për investime masive nga Jugu në Veri. Flamurin e mban si gjithnjë kryeministri Berisha. Në çdo tribunë elektorale, ai premton investime që kushtojnë shuma marramendëse. Në shembullin e tij, kandidatët e koalicionit qeveritar premtojnë me dorë të lirë ç’t’u dalë përpara, ç’t’u vijë ndërmend.
Sa është ekzaktësisht apo përafërsisht fatura financiare e këtyre projekteve? Ku do të merren këto para? Nga do të dalin? Nga do të vinë? Përgjigjet për këto pyetje, qoftë edhe të rrumbullakosura, janë një detyrim para zgjedhësve. Por askush nuk përgjigjet. Të gjithë janë lëshuar në një garë fantazie që fyen logjikën dhe dinjitetin e qytetarëve.
Fushata po fluturon. Në mos ka fluturuar. Nuk është më as lokale, as politike, por përrallore dhe prestigjiatore. Rrugë të reja, shkolla dhe kampuse, parqe industriale, shpërblime dhe kompensime – gjithçka premtohet e ripremtohet me lehtësinë e nxjerrjes së një zogu nga mënga e xhaketës dhe më një shndritje të frikshme në sy që nuk duket gjithnjë teatrale, e kërkuar, por edhe e vërtetë si shenjë lajthitjeje.
Me këtë evoluim të fantastikës në këtë fushatë, nëse nuk do të dëgjohet thirrja tokësore, e ftohtë dhe e domosdoshme e shifrave, shumë shpejt mund të ndodhë të shohim një sport publicitar ku kandidati për kryetar bashkie tregon me gisht në një drejtim të caktuar dhe sa ora, nën tinguj e kolonës zanore “unë jam ndryshe”, gjithçka para gishtit të tij shndërrohet në ar, si në mitin e Midës.
Garancia kryesore e kësaj mrekullie është qeveria që ky kandidat ka prapa, e cila është zotuar ta mbështesë për çdo projekt!
Paradoksi i madh në këtë histori është se kandidatët e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, ndërsa janë shpallur për fushatë lokale, po bëjnë fushatë me resurset e qeverisë, kurse kandidatët e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” janë shpallur për fushatë politike dhe ndërkaq po bëjnë fushatë me resurset e pushtetit lokal.
Hipokrizia në këtë mes realisht qëndron në anën e kandidatëve të qeverisë. Veç të tjerash edhe për faktin kokëfortë se qeveria, që nuk shlyen punët e mbaruara, ka pak para dhe nuk parashikohet të ketë me shumë nesër për të nisur punë të reja.
Pyetja themelore në Shqipërinë e sotme, pyetja e shtruar me shqetësim edhe nga ekspertët e ekonomisë, pyetja “nga do të vinë dhe si do t’i shtojmë paratë”, është e huaj në këtë fushatë për politikanët që drejtojnë e duan të drejtojnë vendin. Me se merren atëherë? Historia pa data është një përrallë, thotë një shkrimtar.
Për analogji mund të themi se premtimet elektorale pa faturë dhe pa mbështetje të argumentuar financiare janë gjithashtu një përrallë. Por e hidhur.