Gazeta Shqip, 15 Dhjetor 2012
Rreth 30 persona kanë demoluar të premten në mbrëmje Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë ku pritej të prezantohej publikimi i numrit të ri të Kosovo 2.0 të titulluar Seks. Kryredaktorja e revistës thotë se ngjarja është cënim i lirisë së shprehjes. Policia ka arrestuar një person.
Rreth 100 persona ishin mbledhur para New Born-it dhe mbanin në duar pllakarta me mbishkrimin Kosovo 2.0.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut kishte organizuar një aksion rrugor në mbështetje të ekipit të revistës, të shtunën mbrëma, rreth orës 17.30.
Aksioni vjen një ditë pasi një grup prej 20 deri në 30 persona kishin demoluar të premtën mbrëma Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, ku ishte planifikuar që të lansohej numri më i ri i revistës “Kosova 2.0” titulluar “Seks”.
Incidenti ka ndodhur të premtën rreth orës shtatë para se të fillonte leximi i disa shkrimeve të edicionit të ri të revistës.
Edhe Misioni i Organizatës Për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) ka dënuar incidentin.
“Unë e dënoj fuqishëm incidentin e mbrëmshëm i cili çoi në anulimin e prezentimit të botimit të ri të revistës Kosovo 2.0” tha Elaine Conkievish, ushtruese e detyrës së shefit të Misionit të OSBE-së, përmes një komunikate.
“Ky është një sulm ndaj lirisë së shprehjes, një e drejtë bazike e njeriut, si dhe një përpjekje për të kufizuar lirinë e medias”, thuhet më tutje në komunikatën e lëshuar nga OSBE.
Incidenti është konfirmuar nga Policia e Kosovës.
“Të premtën rreth orës 18.40 një grup prej 20-30 qytetarëve kanë hyrë me forcë në Sallën e Kuqe të Rinisë për ta penguar mbajtjen e një ekspozeje e cila pritej të mbahej. Këta persona kanë shkatërruar disa paisje të vendosur nga organizatorët si kukullat dhe paisjet teknike”, tha Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Gjatë aksionit policor është arrestuar një person.
“Policia ka intervenuar dhe e ka arrestuar një person i cili pas intervistës është liruar në procedurë të rregullt ndërsa hetimë po vazhdojnë” tha Kelani për Gazetë Jeta në Kosovë.
Besa Luci, kryredaktore e revistës Kosova 2.0, ka shpjeguar për gazetën se e tëra ka filluar të enjten kur një ndër portalet online ka publikuar lajmin për publikimin e numrit të ri.
“Të enjtën kur është publikuar shkrimi online për lansimin e numrit të ri kanë filluar komentet dhe aty e kemi parë që mund të ndodhë diçka. Prandaj, e kemi informuar policinë dhe kemi kërkuar që të dërgojnë një ekip për të na mbrojtur”.
“Në mbrëmje, 15 minuta para se të fillonte ngjarja, një grup i njerëzve ka hyrë brenda në sallë dhe kanë filluar të thyejnë televizorët, projektorët dhe gjësende të tjera”, tregon Luci.
Pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës, grupi njerëzve është larguar dhe ngjarja ka vazhduar të mbahej.
Organizatorët kishin planifikuar edhe një festë për të festuar edicionin e ri e cila do të mbahej poashtu në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.
Por ajo është anuluar pasi jashtë Sallës së Kuqe po zhillohej një protestë.
“Ne kishim kuptuar nga Facebook që gjatë ditës së premte grupe njerëzish bënin ftesë për protesta. Kur kuptuam që numri i protestuesve po rritej jashtë, vendosëm të anulonim festën”, thotë Luci.
Sarah Maliqi, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe pjesëmarrëse në festë, thotë se pasi është informuar që festa është anuluar, ajo së bashku me dy persona të tjerë ka dalë jashtë e shoqëruar nga gjashtë policë.
“Derisa largoheshim nga Pallati i Rinisë, disa prej protestuesve na kanë sharë dhe ofenduar me fjalët më të ndyra”, thotë Maliqi.
Për stafin e Kosovo 2.0 çfarë ka ndodhur është cënim i lirisë së shprehjes.
“Kjo çka ka ndodhë është cënim i lirisë së shprehjes. E shohin si cënim të të drejtave të individit dhe të shoqërisë. Por, ne do të vazhdojmë punën tonë”, tha Luci.