Nga Pjetër Logoreci
Një bisedë me një njohëse të gjuhës shqipe në tetor të vitit 2014, u bë shkak që unë të kërkoja në Austri materiale apo informacione mbi vepren dhe kontaktet e albanologut, gjuhëtarit dhe etnografit Dom Nikollë Mazreku. Dija vetëm që Gazulli ishte një nga studentët shqiptarë që studiuan në Austri dhe kisha dëgjuar për kalvarin e vuajtjeve që i shkaktoi atij rregjimi komunist.
Në Austri mundësitë e kërkimit të dokumentave të vjetër mbi historinë dhe gjuhën e shqiptarve janë të mëdha, por duhet ditur se si dhe ku duhet kërkuar. Nganjëherë legjislacioni përkates bëhet pengesë për të pasur rezultatet maksimale në kërkime. Kështu me ndodhi edhe në rastin Gazulli, ku materialet që arkiva dispononte për te, nuk mund të skanoheshin, kopjoheshin apo të hidheshin në një cd, pasi nuk ishin mbushur 70 vite nga vdekja e personit të cilit i përkisnin (Norbert Jokl-it). Më duhej një autorizim i vecantë nga një trashegimtar i familjes së tij që ti nxirrja materialet nga arkiva.
Në bibliotekën kombëtare të Austrisë në Wien, ruhej korespondenca që albanologu i shquar Norbert Jokl kishte pasur me personazhe të ndryshëm shqiptarë, por jo vetëm, të cilët ishin të interesuar për Shqipërine, gjuhën dhe zakonet e saj. Në këtë fond gjindej dhe një lidhje e letrave origjinale, pra korespondenca në mes priftit shkencëtar dhe albanologut Jokli, e cila përmblidhej në rreth 125 faqe të shkruara kryesisht me makinë shkrimi por edhe me shkrim dore nga Dom Nikolle Gazulli. Periudha kohore kur janë shkruar këto letrat i perket viteve 1930, 1931 dhe 1932. Për të pritur përgjigjet e mikut të tij nga Austria, famullitari Gazulli përdorte adresen: Nikollë Gazulli, meshtar / Famullitar i Riollit. Te Nush Coba – Serreq ndë Shkoder.
Lidhja në formë libri e letrave, e cila është e skanuar nga arkiva me mjetet më moderne, përmban 7 letra që Nikollë Gazulli i ka dërguar Joklit si dhe një numër faqesh plot me fjalë shqipe, fraza shqipe dhe interpretime të fjalëve, frut i kërkimeve shumë vjecare të klerikut. Pjesa e fjalorthit prej 117 faqesh që i është dërguar me 5 letrat shoqëruese, mban mbishkrimin “Gazulli, Mbledhje Fjalësh”.
Nuk dihet numri i fjalëve të cilat janë të rreshtuara me rend sipas germave, por dihet (sic shkruhet në letrën e parë) qe …..“me 12 dhetuer 1928, kur ishe famullitar në Jueshe afër Shkodret, mue mu dogj qela me gjith´c pata e ashtu u shkrij edhe mundi i sa vjetëve; ç’pata mbledhë fjalë e shumë gojdhana permbi fise shqiptare të verit, qi vetëm prej skamit nuk muejta me i botue.”
Së bashku me letrat janë edhe disa fletë “qortime” dhe “shtesa” të cilat janë vendosë më vonë, në vecanti. Sic kuptohet ndër letrat, sipas kërkesës së priftit, Jokl-i i ka dërguar atij herë pas here edhe libra të ndryshëm, fjalore enciklopedikë në frengjisht apo gjermanisht …“qi me vyejnë me caktue domethanien e fjalëve shqipe”.
“U lutem shumë për bibliothekë mos me m´lanë mangut, në kjoftë se nuk Ju bjen tepër randë (pse me U randue s´due asnji fije) pse mue m´asht djegë edhe shka pata; ktu mandej e dini mirë qi nuk asht si nd´Austri qi m´u gjetë libra për përdorim pa i ble, mandej me i ble lypen të holla, qi te un s´gjinden, mbasi ma shpune kuleten: rrnoj me nji popull të mirë fort, por qi nuk i del m´u ngij me buk kollomoqe….”
Dom Nikolla kerkon mendimin e Jokl-it për sa i perket interpretimeve të tij si dhe mbledhjes të këtyre fjalëve: …“Kuer të Ju daline ngae, s´keni m´u kursye pa ma cfaqe me nji leter pershtypjen qi po Ju ban këjo mbledhje e emja; ….besoj qi nji mbledhje të mirë fort e ka edhe At Bernardin Palaj…..qi s´kishte me u kursye me jua cue…”
Ndërsa në letren e fundit, Gazulli i shpreh bindjen Jokl-it që….” …këtu pritet me pa-durim fjalori Juej qi ka me kenë si gur themeli për nji giuhë shqipe t´arsyeme….”
Duke qenë se personin, qe më kërkoj që ti gjeja këto letra me mbledhje fjalësh të Dom Nikolle Gazullit për ti botuar, nuk arrij ta kontaktoj më dhe unë personalisht nuk jam specialist i fushës së gjuhësisë, mendova që këto materiale ti bëj të njohura për lexuesit shqiptar, botuesit e ndryshëm, si dhe studiuesit e gjuhës shqipe, në mëndyrë që këto perla të shqipes të gjejnë mundësinë e botimit.
Një vështrim i shkurtër mbi jetën e Dom Nikollë Gazullit
Kleriku katolik Dom Nikollë Gazulli lindi në fshatin Dajç të Zadrimës në Lezhë rreth vjetit 1895. Ai ishte pjesë e familjes së njohur – GAZULLI – e cila qysh në mesjetën e herëshme përmendej për disa figura me vlerë në lëmin e teologjisë, artit ushtarak apo diplomacisë. Shkruhet së mësimet fillestare i mori në shkollën e fshatit e cila ishte hapur nga Dom Ndre Mjeda në vjetin 1902. Më vonë u bë pjesë e kolegjit Franceskan në Shkodër nga ku me shumë të tjerë u dërgua në Insbruk të Austrisë për të studiuar teologji dhe filologji. Me mbarimin e studimeve largohet për në Romë ku në vitin 1917 shugurohet meshtarë.
I realizohet dëshira që të kthehet në atdhe ku krahas punës si prift katolik, fillon të merret me studimin dhe prejardhjen e gjuhës shqipe duke mbledhur, studiuar dhe analizuar qindra fjalë të rralla, shprehje popullore, pjesë dialektore apo të dhëna zakonore të vendeve ku sherbeu. Kryesisht sherbeu si udhehëqes shpirtëror në Malsinë e Madhe (famillia Shkrel) ku u përballua me ngjarje reale apo gojëdhëna të dala nga populli, që i shërbyen si objekt i shkrimeve apo studimeve të tija të cilat përpara se ti botonte i konsultoi me albanologun Norbet Jokl, Eqerim Cabejn, Ndre Mjeden, Gjergj Fishten, Justin Rroten.
Vepren e tij e mblodhi në dy vëllime, Fjalorth i ri që u botua në vitin 1941 dhe Fjalori Onomastik, i cili u botua me pjesë në revisten e kohës Hylli i Dritës. Gazulli shkruante nën pseudonimin Gelasius dhe zotëronte gjuhën gjermane, italishten, latinishten, sllavishten. Lexonte në gjuhen turke dhe franceze. Mbledhjet dhe studimet e tij u vlerësuan shumë nga albanologu austriak Jokl me të cilin kishte korespondencë të rregullt.
Më vonë, fjalët e mbledhura ndër zonat e malsisë së madhe ku ai jetoj si dhe etimologjia e tyre, i shërbyen gjuhëtarit austriak për t’i përmbledhur në veprën e tij për Etimologjinë e gjuhës shqipe. Mendohet që në mbledhjen dhe gjurmimet e tij, i ndihmuen dhe koleget at Mark Harapi, At Aleksandër Sirdani, at Nikollë Suma, të cilët për fjalorin onomasitk mblodhën materiale gjuhësore që nga Malsia e Madhe deri në Fier, nga Malësia e Gjakovës deri në malin e Shpiragut, nga Iballa e Pukës deri në Shëngjergj të Tiranë. Së bashku me të vellaun Gjonin ishin aktiv në levizjen kundër Zogut në Malsinë e madhe në vitin 1927.
Ndërsa Gjoni denohet me vdekje, Dom Nikolla denohet me 4 vite burg. Për arsye të luftës por edhe për të ju shmangur perndjekjes klasore gjatë rregjimit komunist ai qëndron si klerik në malësitë e veriut ku në marsin e vitit 1946 vritet nga forcat e sigurimit në shpellën e Shkrelit (ku ishte fshehur për ti shpëtuar ndjekjes). Prehet në kishën e këtij fshati pasi u rivarros nga besimtarët e malsisë të cilët i sollën eshtrat e tij nga vendi ku i mbanin të fshehura.
(Referencat u morën nga libri: Studentët shqiptarë të Austrisë)