Nga Mero Baze, 6 Korrik 2013
Sali Berisha po përpiqet të kthejë në debat publik faktin që ai ka të drejtë të marrë vendime dhe të destabilizojë shtetin shqiptar deri më 6 shtator, datë kur Kushtetuta ia mundëson formalisht qëndrimin në detyrë. Tani i janë tharë lotët e humbjes, i ka ikur turpi i një milion votave kundër tij dhe po përpiqet të hakmerret. Miraton leje ndërtime për një ish- deputet të tij në kanionet e Përmetit, destabilizon financat publike, bën pagesa klienteliste për njerëz të Familjes, bashkë me ministrat udhëtojnë me super-eskorta drejt plazheve dhe nën shembullin e tij plot njerëz inferiorë në PD fajësojnë popullin që nuk i do. Për të gjithë ata që kishin paranojën e një Sali Berishe të frikshëm dhe të pamposhtur, tani kanë rastin të shikojnë çfarë është në të vërtetë.
Një burrë i vogël, qaraman, hajdut, skuth, i papërgjegjshëm dhe i mundshëm. Ka shumë njerëz që mendonin se ai nuk do ikte kurrë, se nuk do plakej kurrë, se nuk rridhte kurrë, se nuk do bastardohej kurrë… Por tani kanë shansin ta shikojnë se ku është katandisur. Ajo që ka ndodhur më 23 qershor kundër tij, nuk është asgjë me atë që po ndodh përditë tek ai pas 23 qershorit. Ai, siç pritej, po vdes dhe zvogëlohet çdo ditë duke u hakmarrë ndaj gjithçkaje. Ai po kalbet nga ikja prej pushtetit, si një ushqim i prishur i nxjerrë nga frigoriferi në diell, duke tentuar të helmojë kë mundet.
Por a ka vend për kaq shumë shqetësim?
Natyrisht jo. Gjithçka ai bën pas datës 23 qershor, mund të anulohen me një votim. Gjithçka ka bërë dëm mund të shkojë drejt hetimit penal. Po vetëm një gjë nuk zhbëhet më, miti i rremë i prodhuar nga regjimi për Sali Berishën.
Ajo që po ndodh me të, është një proces i komplikuar që ndodh vetëm në mendje të sëmura inçestive, të cilat kur u vjen fundi, kanë zili dhe epsh për gjithçka, përfshi dhe për krijesat e veta. Sali Berisha nuk ishte një rastësi në politikën shqiptare, edhe pse po përpiqemi ta arkivojmë si aksident të historisë sonë. Ai kishte guximin e duhur për t’u bërë protagonist i historisë sonë dhe ia arriti për 22 vjet. Ai kishte një ëndërr të madhe për të hyrë në historinë e këtij vendi, duke përdorur dhe shansin historik. Për disa gjëra fati ishte me të.
U bë Presidenti i parë i pluralizmit, Kryeministri i parë i Shqipërisë në NATO dhe dëshmitar i disa momenteve historike të këtyre 22 viteve. Por fati ishte në anën e tij më shumë se ç’duhej kur ai i bënte keq këtij vendi, kur prishte zgjedhjet, kur destabilizonte shtetin për pushtetin, kur sundonte duke i dhënë demokracisë fytyrën e regjimit të tij, dhe së fundmi kur Familja e tij qeveriste vendin si ta kishte pronë private. Ai vodhi dhe vrau për pushtet me delirin se koha ishte në anën e tij.
Është kjo arsyeja që pas 23 qershorit ai nuk është i penduar për krimet e veta, nuk është i penduar që i ka lënë vetes histori të pagjykuara vrasjesh politike dhe ordinere në funksion të pushtetit të tij, nuk është i penduar që ka prishur zgjedhjet apo ka futur vendin në luftë civile, nuk është i penduar për historitë kriminale të Gërdecit apo 21 Janarit, por në mënyrë të pabesueshme ai ngjan i penduar për ato pak gjëra të mira që ky vend fitoi ndërkohë që kishte atë në krye. Sali Berisha nuk ngjan i penduar për dështimet, por për fitoret, nuk ngjan i penduar që në vend të një lideri historik, u klasifikua si lider gjeografik, nuk ngjan i penduar që në vend të një lideri demokrat u bë një lider tribal, por ngjan i penduar për ato pak të mira që shqiptarët kanë gëzuar këto 22 vjet.
I zemëruar me veten si një plak i lig, që afrimi i vdekjes i shton urrejtjen për të gjallët, ai prej datës 23 qershor i është turrur trupit të gjorë të Shqipërisë ta torturojë deri më 6 shtator, duke i lënë vragat e thella të vuajtjes nga sundimi i tij. Urrejtja pse ky vend nuk e futi në histori, po e shtyn të hyj në gjeografinë e këtij vendi, duke lënë shenja turpi mbi atdheun tonë. Po shaktërron kanione, pyje, qytete, dhe perspektivën e çdo rajoni në vend, duke firmosur në ekzaltim leje kriminale të klientëve të tij, të cilët e shikojnë këtë vend si një shans për të bërë lekë duke ikur.
Dhe nuk e ka vetëm me Shqipërinë, por dhe me krijesën e gjorë, të stërmunduar prej tij, Partinë Demokratike. Njësoj si Shqipërisë, dhe asaj, duke ikur, po i bën gjëmën duke e lënë në dorë të dy karagjozëve, që kanë tetë vjet në pushtet, ditë më ditë, dhe që janë kryebashkëfajtorë për rrënimin e saj. Njërin e ka caktuar kryetar dhe tjetrin ndihmës, me shpresën e lig të plakut para vdekjes që të mos e shikojë më asnjë shqiptar më në pushtet këtë parti. Nën moton “pas meje qameti”, ai lë një trashëgimi të papërdorshme nga askush, në shtet dhe parti.
Ikja e tij e zemëruar dhe e lig, ishte e pritshme. I prirur të besojë se shqiptarët nuk meritonin as ndonjë gjë të mirë që u bë gjatë regjimit të tij, si gjatë çdo regjimi, ai po ikën duke shkatërruar gjithçka, me një instinkt të frikshëm të një përdhunuesi që e kap ndjenja e incestit ndaj krijesave të veta. Po ikën si një përbindësh, të cilën vetëm bota tjetër mund ta qetësojë. Por ndoshta dhe hekurat e burgut para saj.