>
Andrea Stefani
Disa hektarë me të mbjella të Ultësirës së Shkodrës u përmbytën përsëri, si provë e një cinizmi dhe papërgjegjshmërie qeverisëse që ka arritur kulme të papara. Është një cinizëm faraonik sipas të cilit, për interesat e “Atdheut” (në fakt të Faraonit në pushtet) ia vlen të sakrifikohet, puna dhe prona e njerëzve që është, në fakt, djersa dhe mundi i jetëve të tyre. Skenari po përsëritet pa mëshirë pa as më të voglin ndryshim. Mjaftojnë ca ditë me shi të pandërprerë (dhe çdo dimër i ka ca ditë shi rresht) që qeveria të hapë portat e digave të kaskadës së Drinit, duke gjetur shpëtim te përmbytja e popullit të Shkodrës.
Dhe nuk mund të mos pyesësh: çfarë e pengon qeverinë dhe KESH-in të bëjë një menaxhim më të kujdesshëm të kaskadës, në mënyrë që edhe po të bjerë shi disa ditë me radhë, shpëtimi i vetëm të mos jetë derdhja e digave mbi kokat e shkodranëve? Çfarë e pengon qeverinë që të zbrazë me kohë dhe gradualisht digat pa shkaktuar përmbytje, çfarë e pengon ta mbajë ujin në nivele të tilla që nuk do ta bënin të domosdoshme në një moment të caktuar, përmbytjen e popullit për të shpëtuar digat? Përgjigjja është e thjeshtë: asgjë më shumë sesa papërgjegjshmëria dhe aventurizmi financiar i vetë asaj.
Shkodra u përmbyt përsëri, sepse aventurizmi financiar ka bërë që qeveria të thellojë rrezikshëm borxhin publik. Dhe një nga mënyrat për të zbutur pasojat e këtij aventurizmi të vet, e gjen tek eksportimi i energjisë elektrike. Dhe sa më shumë ujë në diga, aq më shumë eksport energjie, aq më shumë miliona euro të inkasuara në buxhet. Kjo është politika e mbajtjes së digave të mbushura në maksimum, ashtu sikundër një gotë mbahet aq plot sa edhe një pikë po të shtosh në të, uji do të derdhet.
Prandaj një politikë e tillë, ka edhe rreziqe përmbytjesh që vijnë nga vetëm disa ditë shi. Si këto që sapo ndodhën dhe ndoshta që nuk kanë mbaruar, edhe pse vendi ka hyrë në pranverë. E ç’rëndësi kanë për qeverinë dëmtimi i pronave apo të mbjellave të disa fshatarëve, përpara nevojës së qeverisë për të zbutur në buxhet pasojat e disa investimeve të saj, jo vetëm aventuroze, por edhe dukshëm të korruptuara? Cinizmi dhe papërgjegjshmëria qeverisëse për fatin e publikut ka arritur nivele faraonike, pikërisht edhe për shkak të borxhit publik që ajo vetë e ka thelluar aventurisht.
* * *
Mos thoni përsëri se edhe këtë herë, përmbytjet e ndodhura në Ultësirën e Shkodrës janë faji i Zotit. Për hir të Zotit mos fajësoni Zotin! Sepse në fakt, vetëm ndërhyrja e Zotit qe shpëtimtare në gjithë këtë mesele. Desh Zoti që të mërkurën nuk ra më shi, që përmbytjet nuk u bënë edhe më tragjike. Se për sa i takon qeverisë, uji do t’i kish shkuar përsëri shkodranëve deri në brez, si dy herët e tjera. Zoti mund të gabojë 1 herë në 100 vjet, duke dërguar rrebeshe të papara. Por Zoti nuk mund të gabojë, duke e përmbytur një zonë thuajse një herë në muaj, sikundër po ndodh në Shkodër.
Në këtë rast nuk është faji i Zotit, por i qeverisë që sillet me fatin e njerëzve sikur të ishte një Zot i keq dhe i pamëshirshëm. Zoti thotë ruaju të të ruaj. Qeverisë i ndodhi si në fabulën e njeriut që po mbytej, por nuk u kap te varka që i kaloi aty pari, sepse priste ndihmën e premtuar nga Zoti. Dhe u mbyt se nuk e kuptoi që ndihma e Zotit kish qenë pikërisht ajo varka që i kaloi pranë. Në rastin e qeverisë, ndihma e Zotit duhet të ishte përvoja, duhet të qe mësimi nga pësimi i reshjeve të para.
Kryeministri Berisha ndoshta mund të justifikohet disi (madje edhe kjo është e dyshimtë) për përmbytjet e janarit. Por ama jo për përmbytjet e dyta dhe për më tepër këto të tretat. Qeveria dhe fanatikët e saj mund të fajësojnë sa të duan Zotin, por ky i fundit, mund t’u thotë: Me reshjet e para iu dhashë sinjal që të ruheshit, por në të dytat dhe të tretat, duket të kishit nxjerrë mësim dhe t’i kishit shmangur përmbytjet.
* * *
Po përse qeveria dhe Kryeministri i saj Berisha këmbëngulin të mos mësojnë nga pësimi i përmbytjeve të janarit, duke u bërë kështu fajtorë për përmbytjen e shkodranëve si kurrë ndonjëherë, tre herë në më pak se katër muaj? I gjithë “sekreti” i kësaj papërgjegjshmërie gjendet në një raport të FMN të marsit të këtij viti, ku thuhet se: “Në dekadën e fundit politika fiskale e Shqipërisë ka qenë mjaft e matur sikundër edhe provohet përgjithësisht nga rënia e borxhit në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Por kohët e fundit, rritja e beftë e huamarrjes për të financuar projekte investimesh të mëdha, si dhe rënia e ritmeve të rritjes së prodhimit, i ka dhënë ritmeve të borxhit një tendencë rritëse”.
Dhe meqenëse ritmet e borxhit janë projektuar të mbeten përsëri të larta, gjë që do të bënte që financat e Shqipërisë t’i ekspozoheshin goditjeve të padëshirueshme –konkludon dokumenti i FMN, “reduktimi i ritmeve të borxhit duket të jetë një objektiv i dëshirueshëm”. Në fakt, sipas të dhënave edhe të FMN, borxhi publik është rritur në dy vitet e fundit, për të arritur në rreth 60 për qind të PBB ose rreth 6 miliardë euro. Është një kuotë tepër e lartë dhe me rreziqe e kosto jo vetëm për shtete që klasifikohen si me të ardhura të ulëta, por edhe për ato që klasifikohen si “tregje në zhvillim”, si Hungaria për shembull, dhe të cilave i është bashkuar së fundi edhe Shqipëria.
Duke neglizhuar pasojat e pritshme të rënies së prodhimit, prandaj edhe të të ardhurave në buxhet, qeveria “Berisha” ka ndërmarrë, dy vitet e fundit, investime mjaft të kushtueshme sikundër është rruga Rrëshen-Kalimash. Ky i fundit, një projekt që në fillim u tha se do të kushtonte vetëm 500 milionë euro por që tani, është konfirmuar zyrtarisht se do të kushtojë 820 milionë euro. Opozita akuzon se kostoja do të rritet edhe më shumë. Investime të tilla si dhe rënia e të ardhurave në buxhet, duket e kanë detyruar qeverinë që të kërkojë shtimin e të ardhurave nga burime, të tilla sikundër është edhe eksporti i energjisë elektrike.
Gjë fort e përligjur dhe në favor të publikut, për sa kohë që nuk bëhet shkak për përmbytjen e shtëpive të qytetarëve dhe të të mbjellave të fermerëve. Sepse edhe nëse qeveria arkëton disa miliona më shumë nga eksporti i disa kilovatëve më shumë energji, përmbytjet e shtëpive dhe tokave tre herë vetëm në pak muaj, do të kenë një kosto për qytetarët ndoshta shumë më të madhe se ajo shumë që do fitojë qeveria. E në rast se qeverisë aq i bën për paratë dhe pronat e qytetarëve, është budallallëk që qytetarët ta mbështesin dhe votojnë një qeveri të tillë, që i përmbyt dhe sakrifikon në emër të “Atdheut”, buxhetit apo interesit “publik”. A nuk vepronin edhe Faraonët kështu?