PËRMBYTJET OSE SHKODRANËT NË 500 VJET VETMI

0
15


Andrea Stefani

Shkodra u përmbyt përsëri. Për të pestën herë për një periudhë jo më të gjatë se ajo e një viti. Kur kataklizmoja ndodhi për të parën herë, Kryeministri i vendit u përpoq të justifikojë papërgjegjshmërinë e qeverisë me reshjet e jashtëzakonshme që, sipas tij, mund të ndodhnin një herë në 100 vjet. Por më pas përmbytjet ndodhën përsëri dhe përsëri. Njerëzit humbën prona e bagëti përsëri nga e njëjta mizori këmbëngulëse. Mos vallë e qiellit? Apo e qeverisë? Kjo e dyta na duket më e saktë. Sepse qielli ka një vit që paralajmëron për të keqen.

Ndërkaq, me gjithë premtimet e vetëmburrjet, qeveria nuk ka bërë asgjë që të parandalojë tragjedinë për banorët e Shkodrës. Dhe po të marrësh si të vërteta fjalët e Berishës mbi reshjet që ndodhin një herë në 100 vjet, atëherë duhet të pranojmë se pas pesë përmbytjesh radhazi shkodranët, brenda një viti, kanë “500 vjet” që janë lënë në vetmi nga një qeveri e papërgjegjshme që nuk shqetësohet për jetën dhe pronën e qytetarëve të vet.

* * *

A janë të shmangshme përmbytjet në Shkodër? Tashmë pas pesë vërshimesh radhazi në një kohë rekord të shkurtër, janë dhënë shumë shpjegime. Specialistët e hidrikës kanë folur. Madje ka folur edhe vetë qeveria. Dhe ka pohuar se përmbytjet mund të shmangen (madje se do të shmangen) duke marrë me kohë masa për të bërë investimet e duhura në argjinaturat e lumit Buna, si dhe në tërë infrastrukturën që i shërben këtij qëllimi.

Atëherë përse nuk ndalin vërshimet, përse familje të tëra detyrohen sot të evakuohen duke lënë prapa shtëpi e katandi të vënë me mundin dhe djersën e një jete punë? Për faktin e thjeshtë se qeveria nuk i mbajti premtimet për investime që do parandalonin derdhjen e Bunës. Kujtoni dhe deklarimet populiste të Berishës kur premtonte se do ta shndërronte Bunën në një vend turistik. Përmbytjet e këtyre ditëve tregojnë se të gjitha kanë qenë gënjeshtra që qeveria të hidhte lumin ku kanë ngecur përsëri shtëpitë e jo pak shkodranëve. Berisha tha se faji ishte i Zotit.

Sot ai përsëri thotë se fajin e kanë reshjet e shumta që vijnë nga alpet! Fajëson malet, natyrën dhe Zotin kur fajtor kryesor është Kryeministri dhe qeveria e tij e papërgjegjshme dhe e paaftë për t’i dalë përpara një të keqeje që ka më shumë se një vit që është paralajmëruar nga vetë Zoti. Sepse tashmë ka një vit që konstatohet një tendencë shtimi reshjesh dhe që duhet ta bënte çdo qeveri të merrte masa jo vetëm me investime në argjinatura e rrjete kulluese, por edhe për një administrim tjetër, në përputhje me regjimin e përforcuar të reshjeve, të digave të kaskadës së Drinit. Po të veprohej në kohë kështu, përmbytjet do të shmangeshin ose dëmet do të ishin minimale.

Por nuk mund të ndodhë kështu me një qeveri që e ka mendjen të shesë sa më shumë energji për të kompensuar aventurat e saj financiare (si investimi skandaloz dhe korruptim prej më shumë se 1 miliard euro në rrugën Durrës-Kukës) që e kanë çuar borxhin publik në kufirin e frikshëm të 60% të Prodhimit Bruto (GDP). Specialistët kanë folur me kohë. Me këtë regjim të shtuar reshjesh, qeveria duhet të rishikonte rregulloren e menaxhimit të kaskadës, të rishikonte maksimumin e niveleve të ujit nëpër diga duke i zbritur ato. Vetëm kështu do të mund të shpëtoheshin pronat e qytetarëve, tokat, bagëtitë dhe të mbjellat nga përmbytjet.

Por këtë nuk mund ta bëjë një qeveri që preferon më mirë të përmbytet disa herë fshatari i Obotit, sesa të humbasë disa qindra mijë euro nga ulja e nivelit të ujit në rezervuare. Nëse duhen humbur disa qindra mijë euro, le t’i humbasin qytetarët nga dëmtimi i pronave të tyre. Qeveria jo. Ajo nuk duhet të humbasë asnjë kacidhe nga eurot e korrupsionit dhe luftës për pushtet. Por a nuk do të thotë një gjë e tillë të sakrifikosh popullin që të fal votën dhe pushtetin në themelet e pushtetit?