
Erjon Braçe, 21.01.2010
Prej dje, çdo shqiptar, kudo që ndodhet, ka mundësinë të verifikojë mungesën e një “shteti serioz” në Atdheun e tij. Prej dje, çdo shqiptar, kudo që ndodhet, do të ketë përballë imazhin e “shtetit të dështuar” në Atdheun e tij. Imazhi i një Shqipërie që funksionon si “sulltanat” kur shpenzon për një ndeshje futbolli mu në mes të krizës, për 4 orë 2.5 mln eu, ose 625 mijë eu/orë, ose 10416 eu/min, u shtua dje me imazhin:
– e një shteti karagjoz, që nuk funksionon në çdo gjë-pavarësisht rëndësisë së saj-nisur nga HC deri te Stadiumi Kombëtar;
– e një shteti të pa ndriçuar, kudo, dhe në mes të kryeqytetit e që ndriçohet nga yjet e Realit të Madridit;
– e një shteti të rrënuar, moralisht e administrativisht, ku militantët e Partisë në pushtet, të pa aftë e të korruptuar, janë kudo në vend të njerëzve të zotë e profesionistë;
– e një shteti paramodern, ku militantizmi partiak, si kartë shpërblimi për lloj lloj batakçiu e injoranti, po i merr frymën zhvillimit të strukturave, përshtatjes së tyre me novacionin e përditshëm evropian, e ku zhvillimi i munguar po na degdis shekuj drite pas e të turpëruar!
Dje, qoftë si “sulltanat” që nuk njeh krizë, qoftë si “shtet i dështuar e i pa ndriçuar”, imazhi i Shqipërisë sonë është dëmtuar në mënyrë kolosale. Dëmtimi i djeshëm, mori me vete dhe atë çik imazh të mirë që kishte mbetur pas katastrofës shtetërore të Shkodrës, nga imazhi i rindërtuar nga anëtarësimi në Nato! Rrënimi i imazhit tonë u pagua me 2.5 mln eu!
Sot, duke mësuar reagimin e pjesës ligjzbatuese të shtetit, turpi bëhet edhe më i madh, shteti edhe më jo serioz, por ashtu siç është: pronë në duart e një Qeverie karagjoze që na qeveris!
Sot u mësua se për prishjen e ahengut të klientit të Qeverisë së Sali Berishës, u shkarkua një drejtor, u shoqëruan për tu pyetur mbi 12 nënpunës, ju nënshtruan hetimit policor po kaq nënpunës!
Sot është dita e 25 qysh kur Shkodra e Lezha u mbytën, nga i njëjti shtet, por asnjë drejtor nuk është shkarkuar, asnjë nënpunës nuk është shkarkuar, asnjë prej tyre nuk është shoqëruar, asnjë, po e përsëris asnjë prej tyre nuk është hetuar!
Cinizëm më të madh për ata mijëra banorë që u mbytën, u shkatëruan në çdo gjë duke nisur nga prona deri tek e ardhmja, për ata mijëra shqiptarë të mirë solidarë që po kontribuojnë me çdo gjë për tu ardhur në ndihmë njerëzve në zonën e katastrofës, nuk ka!
Qeveria ka vendosur ta poshtërojë shqiptarin deri në këtë pikë.
Në harkun e vetëm shtatë ditëve, ka ndodhur që:
Shqiptari ti hipë avionit për të shkuar në Bolonjë dhe ka përfunduar në Bratislavë;
Shqiptari ti hipë avionit për të shkuar në Torino, por i ka ardhur tokës vërdallë, në qiell, për një orë që avioni të harxhojë karburantin, nën defekt, për tu ulur sërish në Tiranë pa pasoja.
Shqiptari të mbytet nga uji i HC-ve e ti thonë se e ke nga “dita e 15 e hënës Muharrem”
Pas të gjithave Qeveria sërish rri! Dita për të ikur është tani!







