Përmbytja, situata drejt përkeqësimit, Berisha përdor metodat e Nanos

0
45

Anila Dushi

Anila Dushi, 06.01.2010

Pasditja e te merkures ka nisur me evakuimin masiv te dhjetra banoreve te zonave te permbytura te nenshkodres. Por jane te shumte ata persona qe nuk pranojne te brakrisin shtepite e tyre. Edhe pse gjendja eshte shume alarmante pothuajse cdo kryefamiljar ka qendruar brenda baneses se tij pa u larguar ne vendet e vendosura ne dispozicion nga qeveria. Nderkohe policia ka nderhyre per te levizur me force grate dhe femijet.

Banoret po sistemohen ne konviktet e qytetit te shkodres, ne disa hotele private dhe repartin ushtarak. Por nje pjese e mire nuk kane pranuar te shkojne aty duke u sistemuar tek te afermit.

Niveli i ujit pritet te rritet frikshem ne oret ne vazhdim por ende katastrofa eshte pa pergjegjes.

Largimi i banoreve nga fshatrat me problematike si Dajc dhe Obot ka vazhduar gjate gjithe nates se djeshme. Nderkohe edhe autoritetet pohojne se jetet e ketyre qindra familjeve te mbetura ne shtepite e tyre jane ne rrezik.

Prurjet e shumta te diteve te fundit kane nxjerre nga shtrati edhe lumin Drin e Buna. Per pasoje rreth 100 familje ne lagjen Bacallek dhe Ajasem ne qytetin e shkodres jane te izoluara. Thuajse i bllokuar eshte edhe aksi rrugor qe lidh shkodren me velipojen.

Pasi u perpoq te tregonte se gjithcka ishte nen kontroll qeveria e nisi vitin e ri me mbledhje te jashtezakonshme per shkak te gjendjes ne zonat e permbytura dhe rrezikut qe kanoset per te pakten dhjete ditet ne vijim. Ne kete mbledhje te jashtezakonshme kreu i qeverise njoftoi dhe nje here situaten e rende ne liqenet dhe lumenjte e fryre te veriut, duke perseritur, se vendi eshte ne prag katastrofe. Per t’i bere balle situates qeveria ngriti Komitetin Nderministror te emergjencave civile, i kryesuar nga ministri i brendshem Lulzim Basha, ndersa cdo ministri do te raportoje planin e saj.

Nderkohe qe nga te dhenat zyrtare vetem ne qarkun e Shkodres rreth mbi 4 mije ha toke gjendjen nen uje nga te cilat 300 vetem ne qytetin e shkodres. Ministria e Brendshme ka shperndare vetem 200 pako me ndihma nderkohe qe jane me qindra banore qe kane nevoje per ushqime.

Komiteti Nderministror per emergjencat civile do te mbaje nen vezhgim edhe lumenjt e Shkumbinit e te Vjoses, vecanerisht zones rreth kesaj te fundit, e cila eshte mjaft e populluar.

Por si per ironi te fatit qeveria e kryeministrit Berisha po ndjek te njejten rruge qe ndoqen ne vitin 2004 edhe kundershataret e tij politik ne qeverisje. Ne kete kohe Berisha kryetar i opozites akuzonte drejtorin e koporates elektroenergjetike shqiptare Andis Harasani per korrupsion me importin e energjise elektrike.

Sipas Berishes atehere permbytjet ishin te qellimishme, pasi kesh vendosi hapjen e portave te Vaut te Dejes, la vendin ne erresire me qellim vijimin e importit te energjise elektrike dhe korrupsionin permes tij. Sot Berisha nuk po ben asgje me pak se vendimi i socialisteve.

Sot pas rreth 6 viteve Berisha ne qeveri ka realizuar jo vetem hapjen e Vaut te Dejes, si qeveria Nano ne 2004-en, por ka hapur edhe Komanin e Fierzen. Argumenti i tij eshte i njejte me ate qe perdorte ne ate kohe drejtori i KESH Harasani: mospermbytja e veprave te prodhimit.

Nderkohe Presidenti i Republikes, gjate nje vizite ne fshatrat e permbytur ka fajesuar strukturat e qeverise per mosmarrjen e masave ne kohe per shmangjen e situates katastrofike ne zonen e nenshkodres. Gjate fjales se tij Topi ka lene te nenkuptohet se jo cdo gje duhet lene ne dore te natyres dhe vetem si pergjegjesi e saj.

Sipas kreut te shtetit, i cili vizitoi ne fillim ishull Shengjinin e me pas Dajcin ne Shkoder, nuk ka vend per panik dhe tashme duhet degjuar mendimi i specialisteve. Per te kaluar situaten e krijuar presidenti nenvizoi se duhet bashkepunim i te gjitha strukturave.

Nderkohe, shkarkimet nga hidrocentrali i Fierzes do te vijojne edhe ne ditet ne vazhdim, si e vetmja menyre per te shmangur cdo katastrofe te mundshme. Qellimi i vetem eshte qe Fierza te arrije ne kufinjte e 290 metrave, kuote kjo e cila mund te menaxhohet duke vene ne pune te gjitha turbinate per prodhimin e energjise por duke shmnagur shkarkimet.

Perfaqesuesit e Kesh-it e kane justifikuar gjendjen me nje precipitim te paparashikuar per shkak te reshjeve te shiut dhe shkrirjes se bores. Sipas rregullores nese Fierza arrin ne kufinjte 285 metrave ne muajin dhjetor, situata konsiderohet shqetesuese dhe duhen marre masa.

Niveli maksimal i lejuar i Fierzes eshte 295 metra. Eskpertet e Kesh-it shprehen se niveli i prurjeve te ujit ne kasakade eshte parashikuarte qe te prese deri ne 4500 metra kub ne sekonde, nivel ky i cili nuk eshte arritur ne ditet e fundit. Megjithate moti i keq vazhdon te kercenoje pa meshire vendin duke lene ne meshire te fatit jetet dhe banesat e mijera banoreve.

*************************

Basha, kreu i Komitetit: Duhen evakuar 2200 familje në Nënshkodër

TIRANË- Në cilësinë e kryetarit të Komitetit Ndërministror, Lulzim Basha ka deklaruar pak më parë ngritjen e një qendre të bashkuar operacionale të këtij komiteti, e cila do të ketë përfaqësues 24 orë në 24 nga të gjitha ministritë e linjës si dhe institucionet e përfshira në përballimin e emergjencës.

Sipas tij, gjithsej duhet të evakuohen rreth 2200 familje me rreth 8800 banorë, për të cilet kërkohen rreth 35 mjete transporti për evakuimin e komunitetit për zonën e Nënshkodrës.

Sipas tij për monitorimin e situatës në terren dhe veprimet operacionale efikase duhet që ne si anëtar të këtij Komiteti të jenë prezent në terren çdo ditë.

Situata në njësitë vendore të Nënshkodrës është:

Sipas vlerësimit në terren të Drejtorisë së Bujqësisë dhe njesive vendore në rrethin Shkodër sot kemi të përmbytur siperfaqe toke si më poshtë:

1. Komunën Bushat rreth 650 Ha toke.
2. Komunen Velipoje rreth 300 Ha toke.
3. Komunen Dajç rreth 1500 Ha toke.
4. Komunen Ana e Malit rreth 741 Ha toke.
5. Komunen Guri i Zi rreth 90 Ha toke
6. Komunën Berdice 1200 Ha toke
7. Bashkine Shkodër rreth 300 Ha toke
8. Komuna Rrethina rreth 15 Ha toke
9. Komuna Guri i Zi 20 Ha toke
10. Gjithsej rreth 4816 Ha toke

Janë në prezencën e ujit

1. Bashkia Shkodër rreth 140 shtëpi
2. Komuna Dajç rreth 600 shtëpi
3. Komuna Ana e Malit 130 shtëpi
4. Gjithsejt 870 shtëpi

Janë të evakuar./strong>

1. Bashkia Shkoder 60 Familje dhe 40 persona të komunitetit Rom
2. Komuna Ana Malit 30 Familje së bashku me gjënë e gjallë
3. Komuna Dajç 430 Familje së bashku me gjënë e gjallë
4. Komuna Bushat 7 Familje
5. Gjithejt deri tani janë evakuar rreth 527 familje, evakuimi vazhdon.

Duhet të evakuohen

Nëse do të përballemi me shkarkime masive të 3 H/C në kaskadën e Drinit në komunat e Nënshkodrës duhet të evakuohen:

1. Bashkia Shkodër, rreth 320 familje, rreth 1600 banorë në lagjet Bahçallek, Ajasem, Lagja Salo Halili, Udha Kryq, Dudas
2. Komuna Guri Zi, 577 familje ose rreth 1624 banorë, rreth 1480 krerë lopë në fshatrat Kuq, Rrencë, Vukatanë, Ganjollë.
3. Komuna Ana e Malit, rreth 180 familje, ose 550 persona, 6400 gjë e gjallë në fshatrat Obot, Oblike dhe Muriqan.
4. Komna Dajç, rreth 850 familje, 2577 banorë,
5. Komuna Berdicë, rreth 195 familje, rreth 900 banorë, rreth 2850 gjë e gjallë, kryesisht fshatrat Trush, Berdice e Sipërme, Bërdicë e Madhe, Beltojë, Bërdicë e Mesme, Mali Hebe.
6. Komuna Rrethina, rreth 50 familje, rreth 250 banorë, rreth 300 gjë e gjallë, në fshatin Bardhaj.

Gjithsejt duhet të evakuohen rreth 2200 familje me rreth 8800 banorë, kërkohen rreth 35 mjete transporti për evakuimin e komunitetit për zonën e Nënshkodrës
Bashkia Shkodër

Gjatë ditës së djeshme janë marrë masa nga Bashkia Shkodër për shpërndarjen e pakove ushqimore për familjet në lagjet Ajasem, Bahçallek, Livade më mbështetjen e dy varkave gome të ushtrisë, si dhe janë evakuar rreth 40 persona të komunitetit Rom të cilët janë akomoduar në Repartin Ushtarak të Rrencit, ku janë furnizur edhe me ndihma ushqimore nga Reparti Reagimit të Shpejtë dhe Bashkia Shkodër

Komuna Ana Malit

Gjatë ditës së djeshmë janë shpërndarë rreth 100 pako ushqime cilët kanë ardhur nga rezervat e shtetit pranë fshatit Obot të kësaj komune, shpërndarja e ushimeve është bërë nga strukturat e ushtrisë në bashkëpunim me kryepleqtë e fshatrave

Komuna Dajç

Nga grupi i punës inxhiniero-teknik i ngritur nga Prefekti në bashkëpunim me strukturat e ushtrisë është punuar dhe riparuar rreth 140m argjinature dhe brenda ditës së sotme pritet të përfundoje pjesa tjetër e dëmtuar prej 400 m.

Gjatë ditës së djeshme është bërë një punë intensive nga strukturat e policisë dhe të ushtrisë që janë të dislokuar në këtë zonë për të bindur komunitetin e zonës për t’u evakuar, punë e cila vzhdon edhe gjatë ditës së sotme.

****

Përmbytjet, Komitet me 7 ministra, në krye Ministri i Brendshëm

Në mbështetje të ligjit “Për emergjencat civile”, Këshilli i Ministrave, ka vendosur sot “ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, për përballimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme të shiut, të rëna ditët e fundit në vendin tonë dhe përmbytjet, 0 beri te ditur sajti online i qeverisë.

Sipas njoftimit zyrtar, ky Komitet të kryesohet nga ministri i Brendshëm dhe në përbërje të ketë:
– ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
– ministrin e Financave;
– ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit;
– ministrin e Mbrojtjes;
– ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit;
– ministrin e Shëndetësisë;
– ministrin e Arsimit dhe Shkencës.

Ky Komitet Ndërministror eshte ngarkuar për hartimin e menjëhershëm të një plani masash për përballimin e kësaj situate, – thuhet me tej ne njoftim. Duket se cdo pergjegjesi e metejshme do te jete tashme e ketij ekipi qe perfshin me shume se gjysmen e qeverise, por jo kryeministrin e vendit.

**********

Mbledhje urgjente e Qeverisë: Të evakuohet Nënshkodra

UPDATE – Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot qeverinë duke caktuar detyrat për çdo ministër për të përballuar situatën emergjente ardhur nga përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë. Në fjalën e tij ai ka theksuar se “problem është hidrocentrali i Komanit, për shkak të kapaciteteve të vogla”. Ky ka qenë sinjali i Berishës, duke lënë të kuptohet se situata mund të përkeqësohet, pasi hidrocentrali i Komanit nuk ka më kapacitete për të përmballuar prurjet e ujit.

“Duhet të jenë në gadishmëri policia, emergjencat, ushtria. Do vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritet vendore. Sot secili nga ju (ministrant) do marrë detyra të reja. Sot do krijojmë komitetin nderministror te emergjncës civile i cili do koordinojë të gjithë procesin e evakuimit të banorëve”.

“Nuk është në natyrën time të lëshoj nota pesimizmi, por këtë radhë e them prerë se duhet të evakuohet zona e Nënshkrodrës dhe Dajçit e të merret në konsideratë edhe Velipoja apo Ana e Malit”, vijoi Berisha në mbledhjen e qeverisë.

“Potencialisht katastrofa qëndron si Shpata e Demokleut. Detyra jonë është të parandalojmë katastrofën”, tha më tej Kryeministri.

Sipas tij banoret duhet te tregohen te matur dhe te marrin vendim per t’u larguar, pasi qofte edhe nje jete e humbur eshte shume e rende per vendin.

GALERI FOTO
1 – Banor i fshatrave te Nenshkodres qe nuk pranon te leje banesen

******

Nis evakuimi i banorëve

5 janar

Megjithë ngurrimin e banorëve, në zonën më të prekur nga përmbytjet, në Dajç të Shkodrës ka nisur evakuimi.

Për këtë kanë ndërhyrë forcat e ushtrisë, të cilat sot në mbrëmje kanë larguar nga banesat 71 familje të fshatit Dajç dhe 20 familje të fshatit Mushan në qarkun e Shkodrës.

Ne mesdite, kryeministri Sali Berisha nga fshati i përmbytur, Dajç i Shkodrës deklaroi se situata është shumë kritike dhe ndodhemi ne buze te nje katastrofe natyrore.

“Duhet bërë urgjent evakuimi i banoreve te ketyre fshatrave”, tha ai, duke shtuar se “katastrofat natyrore kane gjunjezuar shtete me te fuqishem se ne”.

“Realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik. Përmbytjet kanë gjunjëzuar jo një herë por në mënyrë të përsëritur fuqitë më të mëdha të globit, të cilat kanë potenciale motorike e të gjithanshme mijëra herë më të mëdha se ne. Kjo është e vërteta”- tha Berisha në fjalën e tij.

Më tej ai ka kujtuar se detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore.

“Është totalisht e papranueshme të barazosh rrezikun tënd me rrezikun e foshnjës apo të fëmijës tënd. Në qoftë se ti je një herë i kërcënuar si i rritur, e kam fjalën për kryefamiljarin, çfarëdo që të bësh ti, foshnja dhe fëmija yt është 10 herë i kërcënuar, në momentin e një përmbytjeje të madhe. Ndaj duhet të fillojmë në mënyrë të organizuar evakuimin me shpejtësi nga zona të fëmijëve, të grave, të të moshuarve, të sëmurëve. Unë i këshilloj të gjithë, edhe kryefamiljarët, por mund të ketë raste që edhe mund të rrinë, duke siguruar ndërlidhjen, mjetet, furnizimin”- tha ai.

Sot, si pasojë e reshjeve është rritur niveli i shkarkimeve në hidrocentrale. Prefekti i Shkodrës tha për ‘Shekullin’ se “1300 metër/kub ujë në sek po shkarkohet në tre HEC e Shkodrës; Koman, Fierzë dhe Vau i Dejës”.

Për pasojë është shtuar sasia e ujit në sipërfaqet e tokave në fshatrat e përmbytur të komunës Dajç dhe në fshatin Obot, të komunës Ana e Malit.

*****

Olli Evakuim me force

04 janar

Nëse do të jetë e nevojshme në zonat e përmbytura do të bëhet evakuimi i banorëve edhe me forcë. Kështu është shprehur sot shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Alfred Olli, duke deklaruar se së fundi ka një farë normalizimi në zonat e përmbytura.

“Nëse do jetë e nevojshme edhe po. Ne e kemi aplikuar këtë edhe më parë, në disa zona ku kanë ndërhyrë punonjës të policisë, sepse detyra jonë është të shpëtojmë jetë njerëzish. Jemi të gatshëm që edhe kafshët që atyre u duhen t’i transportojmë me makinat e policisë dhe ushtrisë”,tha Olli, i pyetur se si do të veproihet duke parë rezistencën e banorëve për të lënë shtëpitë.

Po sot, Partia Socialiste i bëri thirrje qeverisë të ndërhyjë në kohë dhe të mos lërë banorët e rrezikuar nga përmbytjet në mëshirë të fatit dhe të motit. Me anë të një deklarate për shtyp, opozita njofton se situara mbetet e rëndë në Obot sepse niveli i ujërave nuk ka lëvizur. Po kështu, situata mbetet emergjente në Darragjat dhe Samrisht të Vjetër sepse rrezikon të çahet argjinatura tek e cila nuk është vënë dorë prej 22 vjetësh.

“Partia Socialiste vazhdon të jetë pranë njerëzve që po kalojnë ditë të vështira, pranë banorëve të Anës së Malit e të Dajçit, banorëve të Velipojës e të Bërdicës, banorëve të Vaut te Dejës e të Gurit të Zi, banorëve të Shëngjinit e të Tales”, thuhet në njoftim.

Sipas saj, situata aktuale nxjerr në pah paaftësinë e qeverisë për të parashikuar e parandaluar emergjenca të tilla. Nuk është nevoja që Sali Berisha të bëjë parashkuesin e motit apo drejtorin e emergjencave civile.

“Situata që po kalojmë nuk mund të justifikohet me kapriçot e motit. Shqiptarët nuk e kanë dëgjuar për herë të parë baticën kur ua shpjegoi Sali Berisha, por qeveria e Sali Berishës nuk ka marrë asnjë masë për të përforcuar argjinaturat në Tale. Edhe paratë e shpenzuara në vitin 2006 për të mbrojtur Lezhën e Shëngjinin nga përmbytjet kanë shkuar në xhepat e oborrit të familjes në pushtet. I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë fatin e këtyre investimeve”, deklaroi sot PS-ja.

Dajçi dhe Ana e Malit rrezikojnë nga ujërat që shtohen nga hapja e digave, por askush nuk merr guximin të tregojë sa ka qenë niveli i liqeneve të hidrocentraleve në fillim të nëntorit. Sali Berisha i fsheh këto lajme sepse shqiptarët do të kuptojnë se për interesa të oborrit të familjes në pushtet ka vazhduar të importohet edhe pse liqenet kanë patur ujë mbi nivelet e mjaftueshme. Edhe për këtë çështje, Partia Socialiste kërkon hetim. Prokuroria të hetojë mbi këtë çështje, me pasojë dëme të mëdha financiare dhe materiale.

“Ngurrimi i banorëve të Obotit për të lënë shtëpitë është i përligjur sepse ata janë dëshmitarë të dështimit të kompensimeve të tërmetit të shtatorit në Shupenzë, të përmbytjeve në Lezhë në fillim të nëntorit, të përmbytjeve të Vjosës në fillim të dhjetorit. Kjo është dëshmi e qartë e paaftësisë së qeverisë së Sali Berishës për të përmbushur detyrimet që ka ndaj qytetarëve të Shqipërisë”, argumenton me tej PS-ja.

****

Afro 200 shtëpi gjenden edhe sot nën pushtetin e ujit në fshatrat dhe rrethinat e Shkodrës. Si pasojë e përmbytjeve nga hapja e portave të hidrocentraleve dhe fryrja e Bunës janë të rrezikuara fshati Obot, në komunën Ana e Malit, si dhe disa fshatra të komunës Dajç. Po kështu nivel i shtuar uji vihet re edhe në disa lagje periferike të qytetit të Shkodrës, ku rrezikohen rreth 30 shtëpi. Banorët e tyre janë evakuuar duke u dërguar në hotel “Turizmi”. Ndërkohë problematike mbetet situata nëpër fshatra. Banorët nuk pranojnë të evakuohen, pasi nuk duan të braktisin bagëtitë dhe pronat. Por autoritetet iu bëjnë apel këtyre banorëve që të lënë shtëpitë pasi situata mund të përkeqësohet. Për shkak të reshjeve.

Digat janë tejmbushur dhe po hapen portat e shkarkimit prej 3 ditësh në hidrocentralin e Komanit dhe Vaut të Dejës. Gjithashtu uji ka mbetur në sipërfaqe edhe për shkak të baticava të detit që kanë penguar derdhjen e lumit Buna në Adriatik.

Emergjencat civile, ushtria dhe policia janë të vetmet që hyjnë në fshatin Obot, ku tashmë kalohet vetem me varka. Ata kane derguar ushqime dhe medikamente per banoret e ketytre zonave qe nuk lene shtepite edhe pse situate eshte mjaft e rrezikshme dhe e paparashikueshme.

Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura

2 janar

Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në zonat e përmbytura te vendit, ku prej sot janë vënë në gjendje gadishmërie forcat e ushtrisë e të policisë.

Moti i keq dhe reshjet e vazhdueshme kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Shqipërisë në ditët e para të vitit të ri.

Dhjetëra banesa janë përmbytur në Ishull Shëngjin, Tale dhe Fushë-Kuqe të Lezhës, ndërsa përmbytje ka patur edhe në Shkodër si dhe në zonën e bregdetit në Durrës.

Shkak për vërshimin e ujërave të detit në zonën e Lezhës, është bërë batica detare, ndërsa jane dëmtuar edhe pritat e ngritura përgjatë bregdetit për të parandaluar situata të ngjashme.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Emergjencave Civile bëjnë të ditur se nga ana e Prefekturës janë marrë masat për normalizimin e situatës.

Kreu i qeverise Berisha vizitoi zonat e përmbytura dhe premtoi ndihmë dhe mbështetje për familjet e prekura.

Ndërkohë, gjendja paraqitet problematike edhe në qarkun e Shkodrës, ku mbi 100 shtëpi janë përmbytur dhe izoluar për shkak të reshjeve të ditëve të fundit.

Autoritetet lokale kanë mbledhur shtabin e emergjencës, që pritet të vendosë për evakuimin e banorëve të zonave më të rrezikuara si fshati Obot dhe komuna Ana e Malit.

Edhe në qarkun e Durrësit, shumë banesa në zonën e plazhit janë përmbytur gjatë ditëve të fundit.

Shkak është bërë bllokimi i nje kolektori, ndërsa drejtuesit e prefekturës bënë të ditur se shpejti do te kete nderhyrje ne zone duke prishur, sipas tyre, “ndertime mbi kolektorin e ujerave, me qëllim stabilizimin e situatës”.