Ilir Yzeiri
Viti i njëqindtë i Pavarësisë nuk po na shërben për t’u shfaqur një shtet me dinjitet, nuk po na ndihmon që t’u tregojmë të tjerëve se jemi një popull europian, me vlera, të urtë e të përkushtuar ndaj cilësive më të qenësishme të njerëzimit si liria dhe respekti për tjetrin. Përkundrazi, ky përvjetor po na ndihmon që të shfaqim edhe njëherë cenet tona të mbrapshta, deformimet që kemi në karakter e në personalitet dhe kështu të zhgërryer në llumin e emocioneve tona negative, këtë përvjetor të shenjtë po e shfrytëzojmë që të shfaqim para botës trupin tonë të imtë e hollak, sherret pafund prej provincialësh të pështirë, grindje dhe kakarisje në majë të plehut historik për të treguar me gisht edhe sot pas njëqind vjetësh armiqtë brenda nesh, “kriminelët e historisë” dhe, nga ana tjetër, jemi të detyruar të shohim përditë sorrat e bardha të “shpëtimit kombëtar” që shfaqen vend e pa vend e kuturu duke u llangosur në llumin e urrejtjes e të mallkimit historik.
Në krye të kësaj maskarade qëndron një njeri i vetëm dhe ai është për fatin tonë të keq, kryeministri i këtij vendi, Sali Berisha. Ai ka zgjedhur që të shkatërrojë memorien kolektive, të zhvendosë data e të bëjë lesh e li memorien kolektive. Kongresit të Lushnjes i ndërroi datën, Kuvendit të Lezhës i vuri datën e manipuluesit më të madh të historisë kombëtare, Biemit. Lezhën e shfrytëzoi që të fyente e të poshtëronte institucionin e presidentit.
Nga mëngjesi në darkë nxjerr në televizion sharlatanë që lexojnë dacibao dhe pastaj merret vesh që sharlatani i radhës paska pasur babanë pjesëtar të një toge pushkatimi. Çirret nga mëngjesi në darkë kundër Edi Ramës dhe ulëret se ai nuk mund të marrë në mbrojtje të përndjekurit politikë, ndërsa ne të gjithë mësojmë se një i burgosur politik me emrin Gjergj ka vendosur të ngrejë grupin e poshtërimit të ministrave të kësaj qeverie dhe se i poshtëruari i radhës do të jetë një ministër tjetër. Një nga nipërit e familjes së nderuar Blloshmi e të persekutuarve të Librazhdit, Iliri, jep alarmin dhe i bën apel këtij njeriu që të ndalë retorikën dhe të shohë varfërinë, pra që të mos përdorë më të kaluarën për të fshehur krimet e reja të tranzicionit që mbajnë emrin e Sali Berishës.
Çfarë po ndodh?
Pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa Perëndimore, përkatësisht Gjermania, Italia e Japonia më tej, ato që kishin shkaktuar masakrën më të madhe në historinë e njerëzimit, nisën epokën e re të ripajtimit botëror dhe u distancuan nga e kaluara. Pasi u dënua nazizmi e fashizmi si dhe bashkëpunëtorët e tyre që kishin marrë pjesë në ekzekutimet e kundërshtarëve politike, Evropa e mbylli kapitullin e së shkuarës dhe hodhi sytë përpara. Aksi i së keqes, që në atë kohë përbëhej nga Gjermani, Italia e Japonia, u kthye më pas në promotor të demokracisë, të lirisë e të ekonomisë së tregut. Rasti më unikal ishte ai i Japonisë dhe SHBA-ve. Pas i hodhi dy bomba atomike Japonisë, këto dy vende harruan të shkuarën, pra masakrën e Pearl Harbor dhe Hiroshimën dhe u bënë aleatët më të mëdhenj në kohën e Luftës së Ftohtë.
Në anë tjetër, kampi socialist me Bashkimin Sovjetik në qendër e ndaloi kohën dhe fitoren e arritur gjatë Luftës së Dytë Botërore e përdori si një monedhë shkëmbimi për të blerë të ardhmen. Të fiksuar të lufta dhe të fitorja, kampi socialist e projektoi të ardhmen si një mundësi për luftë të vazhdueshme dhe jetën shoqërore e vështroi të përthyer në këtë prizëm. Gjyqi historik që zhvillohej nën parimin se “ku ishe ti kur unë luftoja për Shqipëri” u bë lajtmotiv edhe i jetës shqiptare përreth 45 vjet. Ndalimi i kohës pra dhe projektimi i së ardhmes me imazhin e së shkuarës ishte karakteristikë për të menduarin politik të Shqipërisë komuniste.
Ndaj lufta e klasave, ndarja e Shqipërisë në ata që e kishin bërë Luftën apo që e kishin ndihmuar atë dhe në të tjerë që nuk e kishin përkrahur atë, u bë vija që ndau popullin shqiptar dhe hendeku nga ku kuaknin zhabat e urrejtjes. Pas rënies së komunizmit që të gjithë kemi ëndërruar që Shqipëria të ndahej në mënyrë dinjitoze nga e kaluara. Për këtë që të gjithë kemi kërkuar që të hapen dosjet sekrete të diktaturës dhe të vihen ato në dispozicion të publikut. Të dëmshpërblehen moralisht e materialisht të gjithë ata që u dënuan padrejtësisht nga diktatura.
Të bëhet pra pajtimi kombëtar dhe e shkuara të mos përdoret më nga askush si kamë për të vrarë të ardhmen e fëmijëve tanë. Mirëpo jo vetëm që kjo nuk u bë, por njeriu që erdhi në pushtet, kryeministri i sotëm Sali Berisha, e përdori të shkuarën komuniste për të përzgjedhur aleatët e tij që do ta ndihmonin atë të ndërtonte regjimin hibrid të përzierjes me anakronizma të komunizmit dhe me autoritarizmin e banditit që vjedh pasurinë publike. Përsëri këto ditë në televizion dhe në institucione të tjera kanë nisur e po përdoren për qëllime krejtësisht politike ngjarje të kobshme siç është ajo e ambasadës sovjetike.
Ngjarja e ambasadës sovjetike është një nga shenjat më makabër të regjimit komunist. Për të publicisti dhe historiani Uran Butka ka bërë një punë të mrekullueshme. Është detyrim i shtetit shqiptar që të bëjë të pamundurën për rikuperimin moral e material të këtij krimi. Mirëpo unë nuk mund të pranoj që familjarët fatkeqë të këtij krimi të përdoren nga Jozefina Topalli e Sali Berisha, që të merren përdore e të shëtiten nga njëra studio te tjetra në mënyrë që Jozefina dhe Berisha të formulojnë pastaj lumin e ndyrë të akuzave pa baza ndaj kundërshtarëve politikë. Sali Berisha i kërkon Partisë Socialiste që të kërkojë falje.
Natyrisht që i mbetet partisë socialiste që të reflektojë, ndërsa unë dhe shumë të tjerë si unë i kërkojmë Sali Berishës që si anëtar i Partisë së Punës të kërkojë falje për krimet që ka bërë jo partia socialiste, por partia e punës së Shqipërisë. Partia e Punës së Shqipërisë ka sot përfaqësuesin e saj në krye të vendit. Ky është Sali Berisha. Me që jemi te krimi i ambasadës sovjetike le të shtyhemi pak më tej. Krimi i Ambasadës sovjetike ndodhi në vitin 1951, ndërsa Sali Berisha u pranua në Partinë e Punës nja dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet më vonë. Tani unë dua të pyes cili duhet të kërkojë falje për një krim të kryer nga Partia e Punës, Edi Rama që ka lindur në vitet ’60 apo Sali Berisha që ka qenë anëtar dhe sekretar i Partisë së Punës në vitet ‘60-’70.
Në emër të Partisë së Punës është në nderin e Sali Berishës që të kërkojë falje për krimin me bombën e ambasadës sovjetike. Përdorimi i së shkuarës komuniste për qëllime politike nga Sali Berisha rrezikon të kthejë edhe njëherë tjetër fantazmat e urrejtjes civile. Meqenëse të gjithë duhet të kujtojmë krimet që ka kryer e shkuara mbi ne edhe unë do të nis të kërkoj shpagim ndaj një pinjolli të kriminelit më të urryer të të gjitha kohërave në zonën e Mallakastrës që ishte Isa Toska. Një pinjoll i kësaj familjeje sot është deputet dhe ai duhet ta dijë se gjyshi im bashkë me dhjetë burra të tjerë është pushkatuar në fshatin Lapulec nga italianët të cilët i udhëhiqte Isa Toska dhe ky kriminel ka shtirë mbi ta duke i vrarë pa asnjë faj, ashtu siç bëri më vonë diktatura komuniste me të pafajshmit e ambasadës sovjetike.
Para disa ditësh Aurel Plasari, një nga intelektualët e njohur, iu përgjigj njëfarë studimtari me emrin Çelo në gazetën Panorama pse ky farë studimtari kishte fyer kujtimin e babait të Plasarit të të ndjerit Anastas Plasari. Në atë shkrim Plasari kujtonte se krimet e komunizmit nuk mund të dënohen duke rehabilituar kriminelët që vranë gjatë Luftës. Me fjalë të tjera spiralja ku kërkon ta fusë Sali Berisha dhe Jozefina Topalli Shqipërinë është e rrezikshme dhe duket se kërkon të nxisë urrejtjen sociale dhe ndarjen në “ne” dhe “ata”. Sali Berisha dhe ata që i shkojnë pas ka zgjedhur që të fusë duart e të bëjë ç’të dojë me kujtesën kolektive.
Ai nuk i lë historianët dhe specialistët e tjerë që të rehabilitojë kujtesën e vrarë kolektive, por ka zhveshur shpatën e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Në qoftë se Evropa sot kërkon që të integrohemi në familjen e popujve të qytetëruar, ne, në radhë të parë, duhet të aplikojmë kriteret e demokracive perëndimore. Kriteri numër një është ndarja me të shkuarën dhe ajo që Lakan e quan “vrasja e babait” në kuptimin e distancimit nga historia.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një kryeministër të bëhet padron i memories kolektive aq më pak një spikere parlamenti. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që një makinë e tërë propagandistike me në krye Televizionin Publik të bëhet lavatriçe gjigante për të shpëlarë trutë e njerëzve dhe për të injektuar aty urrejtjen sociale.
Në asnjë vend të botës nuk ndodh që selia e Kuvendit të Shqipërisë të përdoret si zyrë dizenjatorësh të fermave apo kooperativave bujqësore siç e përdor atë Jozefina. Në qoftë se do të vazhdohet kështu vendi rrezikon të shkojë drejt përplasjeve sociale të paparashikueshme. Nëse dikush do të përdorë historinë për të mposhtur kundërshtarin, ai duhet ta dijë se po merr përsipër një përgjegjësi të rëndë.