Përkthejani zotit Riker fjalën “qokë”

0
45

Nga: Kiço BLUSHI

Zoti Riker, personaliteti më i lartë amerikan që priti krerët tanë kur mësynë në Washington, nuk ka si ta dijë kuptimin e fjalës “qokë”. Ndoshta duhet t’ia përkthejnë që të kuptojë disi rëndësinë që u jepet këtyre anëve qokave të tilla të cilat kryhen nëpër kancelaritë e botës nga krerët e vendeve tona, të vogla e të varfra. Pas një takimi, duarshtrëngimi, një fotoje, një fjale a fjalie të thënë qoftë edhe për mirësjellje diplomatike nga një zyrtar i nivelit të ulët, n’daç edhe nga ndihmës i ndihmësit të sekretarit të shtetit amerikan, le më pastaj një vizitë në zyrën ovale të Presidentit Obama, makar një dhënie dore me vetë sekretaren e shtetit, zonjën Klinton dhe suksesi i liderit do të quhet se ka kapur kuotën më të lartë të vetëkarfosjes… Kësisoj qoka sakaq transformohet në lobing, në kapar suksesi, në trafikim, në siguri e kinse në mbështetje politike të pakushtëzuar të ndërkombëtarëve, gjë që vetkupton përkrahje e simpati, por edhe dështim automatik të rivalëve. Për këta liderë të kastruar në integritet nuk ka asnjë rëndësi se si i gjykojmë ne zgjedhësit, por si i presin dhe si i përcjellin zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së, qoftë edhe ata të nivelit më të ulët!

Kjo është arsyeja bazike pse partia jonë po sulmon ditët e fundit Washington. Me sa duket jo vetëm në shqip, po në të gjitha gjuhët politike të ish-lindorëve, takime të tilla synojnë braktisjen sa më shpejt të fjalës arnaute ‘qokë’ për të marrë kuptimin enigmatiko-magjik të fjalës së huaj ‘lobing’… Të bindësh zgjedhësit e këtyre anëve se në SHBA dhe në BE ke një lobing tëndin, i cili të do dhe të përkrah, ka më tepër peshë e kuptim se të jesh udhëheqës popullor: Nëse arrin të tjetërsosh ‘qokat’ në ‘lobing’ në shqipen e sotme do të thotë: Hap sytë e shiko o milet se si BE dhe SHBA po përkrahin pikërisht atë lider për të cilin ti kujton se je i pakënaqur… Kur atë e duan dhe e nderojnë të mëdhenjtë e botës, ç’të mbetet ty, o njeri i vogël? Ndaj ti si qytetar nuk ke rrugë tjetër veçse të votosh për të/për ta me gëzim e pa ngurrim, sigurisht nëse e dëshiron të ardhmen e vendit tënd e të familjes të jetë e lumtur, e begatë, e sigurt!
***
Pas qokave të Bashës, Ramës, Spahiut e Metës në SHBA me sa duket edhe Berishës iu bë jetike dhe urgjente një qokë e tillë në Washington, pasi mungesa e qokës amerikane, qoftë edhe si një vizitë e zakontë, (te Vatra apo te një muze i Holokaustit, mjaft të jetë në SHBA!), gati sa nuk i bindi militantët dhe gjithë qytetarët se Berishën, pas vizitave të tij në Azerbajxhan dhe Hungari e ka braktisur Perëndimi, SHBA-ja dhe BE-ja. Vetëkuptohet, kjo ndjesi popullore do të ishte një kosto tejet e rëndë për fatin e mëtutejmë të Berishës dhe të qeverisë së sotme, pasi do t’i bënte zgjedhjet e pritshme, një vit e gjysmë më parë, të kota, të panevojshme e të pavlefshme! Sikur p.sh të bëjë vaki që zoti Riker të mos pranojë një qokë të Berishës, atëherë këtu, jo vetëm analistët, por shumëkush do të bindet se ai i ka të numëruara ditët. Se SHBA e paskësh braktisur ashtu si, në të kundërt po ia pranoi qokën edhe zonja Klinton, – le më po t’i japë dorën e t’i bjerë shpatullave si një nxënësi të mirë edhe zoti Obama! – atëherë Berisha dhe të tijtë me të drejtë do të ngazëllehen e do të besojnë se ai e ka të fituar davanë, një mandat të tretë e ndoshta më shumë, pa qënë e nevojshme të bëhet fushatë për zgjedhjet e vitit 2013, madje pa marrë e as “verdiktin” e sovranit dhe hyqmin e të plotfuqishmit!
Nuk këtë kontekst nuk ka asnjë rëndësi për opinionin e këtushëm se çfarë porosish u jep zoti Riker apo nëse ua mat kokën me spango qokaxhinjve tanë kur i pret në zyrë. Nuk ka gjasa që zoti Riker ta njohë këtë mendësi primitive, këtë parapolitikë, këtë lojë kaq primitive me qoka ballkanike prandaj besoj se bëhet e domosdoshme përkthimi dhe shpjegimi sa më shpejt i fjalës ‘qokë’ dhe hazërllëqeve e procedurave që presupozon kjo lloj ceremonie tribale. Ka shumë mundësi që ai të mos e dijë, si i ri në detyrë, se disa muaj më parë një gazetë amerikane përmendi fakte dhe emra personalitetesh të larta, kongresmenë dhe ish-gjeneralë të zëshëm të paguar si frëngu pulën nga diktatorë dhe nga figura autokrate e të dyshimta të tranzicionit, të Lindjes dhe të Azisë për të siguruar një foto, një intervistë, një buzëqeshje, një duarshtrëngim, d.m.th për të realizuar qoka (gjasme lobingje) të tilla në SHBA, qoka të sponsorizuara e të pompuara të cilat më vonë kanë rezultuar se kanë dëmtuar jo vetëm popujt e demokracive të brishta, por edhe interesat amerikane. Para ca ditësh u tha që Gadafi ka financuar fushatën e Sarkozisë…
Ashtu si ndikoi shprehja e famshme e zotit Arvizu, fill pas 21 janarit, se Berisha është “burrë shteti”, po aq ka për të ndikuar edhe një pritje e mundshme e Berishës nga zoti Riker, sido të justifikohet ajo, edhe në qoftë rutinore, pa ndonjë peshë politike, por edhe në qoftë kritike( si p.sh: Tani largohu, zoti Berisha, boll!), por kjo, për konsumin e këtushëm nuk do të ketë pikë rëndësie!… Kemi për të parë se sa pompozitet dhe publicitet do t’i bëhet nga RTSH e simotrat e saj vizitës së Berishës te “Vatra”, te kjo organizatë fantazmë e cila më shumë po i shërben përçarjes se unitetit kombëtar, pasi prej kohësh nuk më asnjë lidhje me frymën dhe trashëgiminë e Nolit e të Konicës… E pra, nuk do të lihet gur pa lëvizur që qoka e Berishës në Washington të jetë së paku një kokë më lart se e rivalëve të tij, gjë që do ta vërë në pozitë tepër qesharake edhe vetë Washingtonin, sigurisht në raport me opinionin e këtushëm publik!
***
Në vitet e para të demokracisë një shkronjës bëri bujë se pat numëruar sa mijëra km pat bërë anekënd Shqipërisë lideri i ri Berisha, në fushatën e parë zgjedhore, para se të merrte pushtetin… Kohërat kanë ndryshuar, sigurisht. Edhe standardet nuk janë më ato të viteve të para të pluralizmit. Mirëqenia është rritur, niveli i mediave dhe i analizave po ashtu. Sikundër kostumet, kravatat firmato e shamitë te xhepi i xhaketës e bashkë me anglishten e udhëheqësve tanë. Në vitet e para të demokracisë mjaftonte prania e ambasadorit Rajerson, le më po të kishe një foto me një personalitet të lartë të Evropës dhe BE-së. Asokohe qokat bëheshin në Tiranë, tani krerët tanë qokat i bëjnë jashtë. Sot dëgjojmë të flitet për “diplomaci parlamentare”, “për diplomaci ekonomike”, për një diplomaci në dobi të njohjeve të Kosovës, por qokat kanë mbetur po ato, qoka të rëndomta, jo diplomatike, as politike, por lapërdharësh provincialë, qoka puthadorësh prej të cilave Shqipëria ka mbetur e fundit, pa dinjitet, pa sovranitet, larg integrimit e me demokraci të cungët.
Deri më sot askush nuk ka llogaritur se sa milion km rrugë kanë bërë me vizitat-qoka jashtë vendit krerët tanë të diplomacisë parlamentare e qeveritare nëpër të katër anët e botës. Aq më pak të kemi dëgjuar të thuhet sa kanë kushtuar ato, le më pastaj në se i kanë prurë ndonjë dobi vendit edhe kur qokat janë realizuar në restorante të shtrenjtë me emrin “Krokodil”. Shpesh është provuar, edhe me dëshmi filmike, se krerët janë shoqëruar në kësi qokash nga biznesmenë sponsorizues të fuqishëm e të dyshimtë, ashtu si pamë së fundi edhe një foto protokollare të kryeministrit tonë në Azerbajxhan, pas të cilit qëndronte biznesmeni egjiptian me emrin Ali, ish-mik i Mubarakut i kërkuar nga Interpoli për pastrim parash dhe i liruar nga gjykata jonë “për mungesë provash”.
E pra, qokat e krerëve provincialë përcillen me badigardë e shpurra të mëdha nga pas, -këshilltarë, biznesmenë, deputetë, zëdhënës, bashkëshorte, kameramanë, lloj-lloj puthadorësh profesionistë, fjalimshkronjës, tendermarrës… Tekefundit ato u ngjajnë pikë për pikë qokave që bënin dikur bejlurçinat në Romë e në Vjenë, para se vendi të pushtohej nga Italia fashiste…. Sigurisht që pompoziteti asokohe ishte më modest, por ama mendësia prej provinciali e parvenyje është e njëjtë. Për krerët tanë nuk ka rëndësi sa shpenzime bëhen, mjaft që ata të bien në sy, mjaft që të duken të rëndësishëm, sojlinj të pranuar si të tillë edhe nga sojlinjtë e Evropës e të SHBA-ve. Por, zoti Riker nuk ka si ta dijë historinë dhe trashëgiminë tonë, rrjedhimisht as këtë mendësi prej bajraktarësh. Kjo është një arsye më shumë përse i duhet përkthyer fjala “qokë”.
Një miku im gazetar më shkruante nga SHBA për këto vizita: “Jetojmë të gëzuar këtu në Amerikë sepse e dimë që udhëheqësit tanë venevinë dhe nuk na lënë asnjëherë të ndihemi vetëm, në atdheun tonë të dytë. Asnjëherë nuk na lënë ta harrojmë mëmëdhenë dhe sakrificat që ata po bëjnë për të. Kam vënë re një gjë interesante. Në fakt, e kisha vënë re me kohë që kur isha edhe unë pranë udhëheqësve të lartë të vendit. Ajo që po të them ka të bëjë me pritjen që u bëhet udhëheqësve tanë këtu: I presin shqiptarë të vendit si dhe mikpritësit amerikanë. Dhe kjo është normale, por më të shumtët në numër nga pritësit janë ata që vijnë nga Shqipëria. Lënë punët atje, paguajnë bileta dhe hotel, bëjnë gjithë atë rrugë për të ardhur këtu dhe për të pritur dhe takuar atë që e kishin/e kanë çdo ditë në Tiranë!”.
Edhe kjo pra është një tjetër arsye më shumë përse i duhet përkthyer e shpjeguar fjala “qokë” zotit Riker, e me kët rast pse jo edhe personelit të ambasadës amerikane në Tiranë.