Kurier*, 21 Nëntor 2012
Për shqiptarët që vijnë në Vjenë është një detyrim absolut: një vizitë në pavijonin e blinduar të Muzeut të Artit Historik, pasi këtu ruhen përkrenarja dhe helmeta e heroit mitik kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeu (1406-1468).
Nga e enjtja, këto simbole historike do të mund të shikohen për herë të parë që nga vdekja e tij në Shqipëri. Ministri i Jashtëm, Michael Spindelegger dhe ministrja e Kulturës, Claudia Schmid, do të udhëtojnë drejt Tiranës për të dorëzuar përkrenaren dhe shpatën me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Por shpresat e 2.8 milion shqiptarëve, që këto simbole të heroit kombëtar të qëndrojnë në vendin e tyre gjithmonë, nuk do të plotësohen. Vetëm dy muaj do të qëndrojnë ato të ekspozuara në kryeqytetin, Tiranë. Më pas përkrenarja e famshme me kokën e dhisë dhe shpata do të kthehen sërish në Austri. Ato i ka blerë në shekullin e 16-të Duka Ferdinand II i Tirolit. Më vonë ato u vendosën në Vjenë.
Triumfator mbi osmanët
Për vendin e vogël ballkanik, të tronditur nga shumë kriza, Gjergj Kastrioti, i quajtur Skënderbeu, është deri më sot një figurë heroike. Për shqiptarët ai është një kult. Skënderbeu, dikur peng i osmanëve, arriti të bashkojë udhëheqësit e përçarë shqiptarë në një aleancë ushtarake. Me një ushtri qesharake ai arriti të triumfojë në 20 beteja ndaj ushtrive të mëdha të osmanëve dhe krijoi një mbretëri të pavarur.
Që në atë kohë ai ishte si një super-yll, në Vatikan vlerësohej si Atleti i Krishtit dhe si Ngadhënjimtari i Turqve. Pas vdekjes së tij turqit e pushtuan të gjithë rajonin dhe qëndruan aty deri në pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912.
*Gazetë austriake







