PERIUDHË E SUKSESSHME KATËRVJEÇARE E SHOQATËS SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE SHQIPTARË “PAPA KLEMENTI XI ALBANI”, NË SUEDI

0
46

Anëtarët e kësaj shoqate kanë arritur që të botojnë libra të shumtë të zhanreve të ndryshëm, punime artistike, piktura si dhe revista e broshura e posaçërisht vlen të theksohet botimi i katër veprave voluminoze “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Kryetar sërish u zgjodh Hysen Ibrahimi

Shkruan: XHAVIT ÇITAKU

Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi vërtetë është bërë një thesar i çmuar, e cila me mençuri, me shkathtësi të mendjes dhe me një freski të shpirtit po di aq mirë ta lartësoj aq bukur kulturën, historinë e traditat shqiptare këtu në dhe të huaj, ky ishte vlerësim i të gjithë oratorëve në Kuvendin Zgjedhor të këtij asosacioni, që u mbajt në qytetin universitar të Lundit të këtij shteti skandinav. Sipas raportit katërvjeçar të punës dhe aktivitetit të anëtarëve të kësaj shoqate, që e paraqiti z. Hysen Ibrahimi, kryetar, doli në dritë se i gjithë ky sukses i arritur ka kulmuar edhe me botimin e katër veprave voluminoze të titulluar “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Këta libra kanë për synim pikërisht ndriçimin e veprimtarisë së pakursyeshme të mërgimtarëve tanë që u angazhuan aq shumë për të kontribuar në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

I gjithë materiali, përkatësisht shkrimet mbështeten në hulumtimin e dokumentacionit origjinal, i cili si i tillë është burim, material shkencor dhe thesar i çmuar. Këta libra janë vlerësuar lartë nga shumë kritik, institucione, dijetar, politikanë e individë të ndryshëm. Po ashtu, në të gjitha përurimet që u bënë në shumë qytete në Shqipëri, Kosovë e troje tjera etnike shqiptare këto vepra u priten mirë, gjë që dëshmon prania e madhe e qytetarëve në ato evenimente. Më pas, z. Hysen Ibrahimi vuri në dukje se krijuesit e kësaj shoqate janë shumë të angazhuar në botimin e librave të zhanreve të ndryshëm, punimeve artistike e piktura si dhe revista e broshura. Kështu, deri me tash ata kanë shkruar mbi 200 vepra të tilla nga gjinitë e ndryshme letrare, por kanë krijuar edhe vepra të tjera artistike që janë të përmendura në opinionin suedezë.

Për realizimin e këtyre synimeve, pos dëshirës e vullnetit, kontribut të madh po japin edhe biznesmen shqiptar me ndarjen e mjeteve të konsiderueshme për botimin e librave dhe mbajtjen e sesioneve shkencore për çdo vit si dhe të organizmit të tubimeve të ndryshme me rëndësi për komunitetin shqiptar që jeton e vepron në këtë shtet të largët. Nuk ka munguar as bashkëpunimi por edhe ndihma konkrete e Ministrisë së Diasporës, që i dha kësaj shoqate, tha në vazhdim Hysen Ibrahimi. Nga kjo vister aktivitetesh përmbajtësore të zhvilluara gjatë periudhës katërvjeçare, shihet qartë se kjo shoqatë është njëra ndër më aktivet në Suedi në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në mërgim.

Në këtë Kuvend zgjedhor të pranishmit vlerësuan lartë punën e palodhshme që ka dhënë Kryetari Hysen Ibrahimi, pastaj Fetah Bahtiri, Saranda Iseni, Sokol Demaku dhe shumë anëtarë të tjerë të devotshëm që gjithnjë kanë vepruar e punuar duke i shërbyer kombit e atdheut. Shi për këtë, kjo shoqatë ndau shumë lëvdata e falënderime për kontributin e dhënë të këtyre anëtarëve. U pranuan edhe tre anëtarë nderi në këtë shoqatë Prof. dr. Mehmet Rukiqi, Mr. Fadil Geci dhe Prof. Fazli Hajrizi, si dhe u aprovua raporti financiar.

Në fund të këtij tubimi Kuvendi zgjodhi organet udhëheqëse të shoqatës, ndërsa Kryesia e re Kryetar sërish zgjodhi z. Hysen Ibrahimi, sekretar Fahredin Berishën, arkëtar Rrahman Rrahmani.