ARDIAN KLOSI, 30.06.2011
E nderuar gazeta Panorama, ndihem i detyruar tju jap këtë shpjegim të shkurtër pas shkrimit të fundit të Fatos T. Lubonjës, ku ai përgojon emrin tim lidhur me polemikat e fundit mes meje dhe z. Agron Tufa, duke ndryshuar krejt thelbin e atyre polemikave. Shkruan Lubonja: Një nga akuzat kryesore i ngrenë njëri-tjetrit është se bëjnë pjesë në dy tarafe intelektualësh të lidhur me dy pushtete: njëri, pushteti i maxhorancës me në krye Sali Berishën dhe tjetri, ai i lidhur me pushtetin e Edi Ramës si kryetar bashkie. Pasi e postulon kësisoj diskutimin, Lubonja vazhdon në shinën që i pëlqen atij, d.m.th. duke marrë të vërtetojë që unë punoj për Ramën, meqë, sipas Lubonjës, se paskam kritikuar asnjëherë në punët e tij.
Kësaj i thonë: politika mbi të gjitha. Po të vini re, shkrimet e Lubonjës, të cilat, pa ia kërkuar, mi dërgon rregullisht me e-mail, janë të tëra politika mbi të gjitha, rrahin të gjitha në një brimë, ti tregojnë popullit se sa të korruptuar dhe mafiozë janë politikanët tanë, sidomos klani i përfaqësuar nga Rama. Natyrisht, për të ruajtur ekuilibrin, edhe klani i përfaqësuar nga Berisha, sidoqoftë, këtu Lubonja është më i kursyer, sepse kuptohet që nuk godet asnjëherë (le të flasim me gjuhën e tij) p.sh. stacionin më shërbyes të Berishës, tek i cili punon dhe për të cilin është kthyer gati në ikonë.
Qyshkur janë ndarë rrugët e mia me të Lubonjës, diku nga viti 2000, jam marrë pa ndërprerë dhe thellësisht me kulturën shqiptare dhe me shqipërime, që shkojnë dhe ato në të mirë të kësaj kulture. Këtu hyjnë gjuhësia, historia, albanologjia, botimet, që nga vetë natyra e tyre nuk kanë të bëjnë as me Ramën, as me Berishën. Ndërsa Lubonja, kulturës, ashtu si dhe krijimit, i ka ndenjur larg, pasi është marrë me politologji.
Ai, ose nuk e njeh kontributin tim, ose nuk do që ta njohë meqë i ka sytë e errur nga lufta kundër mikut të tij të dikurshëm, Rama. Kjo gozhdë që i ka mbetur qyshkur në vitin 1997 hyri në politikë dhe e nxorën së andejmi shumë shpejt, ndërsa Rama hyri aty në vitin 1998 dhe pati sukses, zor se i del më. Puna e tij.
Në rastin konkret, polemika me Tufën lindi pse unë, në shkrimin Të jetosh në taraf, ngrita zërin kundër mënyrës se si i administrojnë Tufa dhe miqtë e tij çmimet kombëtare, fondet përkatëse, tekstet e shkollave. Çështje tërësisht kulturore; Tufa e devijoi debatin dhe shfrytëzoi rastin Kongoli për ta kaluar muhabetin në çështjen që unë, për arsye gjenetike, nuk paskam të drejtë të flas. Me një fjalë, muhabet koti.
Le ti qëndrojë Lubonja këtyre temave dhe të shprehet për to nëse dëshiron të merret me emrin tim. Por unë, natyrisht që sia ndaloj dot të merret sa ka dëshirë. Këto radhë shpjegimi i shkrova vetëm për lexuesit e Panoramës.







