Përgjigjen për letrën e Kadaresë e ka shkruar… Sali Berisha!

0
44


Kledian Lula, 26.05.2011

Kush e ka shkruar letrën-përgjigje për Ismail Kadarenë? Ajo ishte nënshkruar me emrin e Lulzim Bashës, por një krahasim mes tekstit të saj dhe disa fjalimeve të këtyre ditëve të Sali Berishës, nxjerr të dhëna vërtet impresionuese. Më poshtë ndodhen në rend krahasimor, teksti i letrës-përgjigje për z. Kadare dhe pjesë nga fjalimet e kryetarit të PD-së, Berisha. Me shumë gjasa letrën për Kadarenë e ka shkruar Sali Berisha.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Ky shqetësim i përbashkët duhet të na preokupojë të gjithëve. Ndaj, përfitoj nga kjo mundësi të paraqes këndvështrimin tim mbi faktet…

Sali Berisha, data 10 maj: Qetësia dhe paqja gjatë procesit të numërimit është shqetësimi im dhe bashkërisht, duhet të na preokupojë të gjithëve. Përfitoj nga rasti, të ndjekim me kujdes zhvillimet dhe të flasim me faktet që janë brenda kutive…

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Në këto zgjedhje kanë votuar më shumë qytetarë të Tiranës se asnjëherë tjetër në historinë e saj…
Berisha datë 10 maj: Në këto zgjedhje kemi një votim masiv, pranë kutive kanë shkuar shumë më tepër qytetarë të Tiranës… më shumë se asnjëherë tjetër në historinë e votimeve në Shqipëri në 15 vitet e fundit.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Votuesit e kanë shprehur tashmë vullnetin e tyre dhe institucionet përkatëse janë duke bërë ndërkohë numërimin e votës.
Berisha, 11 maj: Votuesi shqiptar e ka shprehur vullnetin e tij të lirë me votën e tij, tashmë e kanë fjalën institucionet përkatëse që po bëjnë numërimin e votave.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Qytetarët kanë vendosur se kush e ka fituar këtë garë dhe se kush do të vijojë të administrojë qytetin.
Berisha, 11 maj: Qytetarët e kanë vendosur me votën e tyre se kush është fituesi, po presim të shikojmë se kush do të administrojë qytetin e Tiranës në vazhdim.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Unë kam vendosur të respektoj të gjitha procedurat normative që parashikon procesi i numërimit të votës në respekt të shtetit ligjor…
Berisha, 12 maj: Ne kemi vendosur të respektojmë të gjitha procedurat dhe aktet normative që parashikon ligji gjatë procesit të numërimit të votës së qytetarëve.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Ne po veprojmë në respekt të shtetit ligjor duke frymëzuar një qëndrim paqësor qytetar dhe në shërbim të stabilitetit e paqes sociale.
Berisha, 12 maj: Ne po mbështesim shtetin ligjor, duke treguar qëndrim qytetar dhe jemi frymëzues të stabilitetit paqësor në vend.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: E gjithë filozofia e fushatës sime është mbështetur në dëgjimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Berisha 13 maj: Filozofia e fushatës tonë si koalicion është mbështetur në bashkëbisedimin dhe dialogun e drejtpërdrejtë e të hapur me qytetarët.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Sot e kam të pamundur të mbys zërin e mbi 124 mijë qytetarëve, të cilët i janë përgjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim për shndërrimin rrënjësor të kryeqytetit të shqiptarëve, që mjerisht po përjeton një kolaps urban, mjedisor dhe mund të themi ekzistencial.

Berisha, 14 maj: Ne do të numërojmë çdo votë, sepse mos numërimi na ngarkon me përgjegjësi për shkeljen e votës së tyre, për mbytjen e zërit të qytetarëve, mbasi ata i janë përgjigjur platformës tonë për shndërrimin rrënjësor të Tiranës, kryeqytetit të çdo shqiptari, që mjerisht gjendet në kolaps urbanistik, mjedisor e inekzistent si qytet traditash e vlerash.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Nuk jam unë ai që vendos nëse do të bëhem apo jo kryetari i ardhshëm i Bashkisë. Ky është vendimi i votuesve dhe unë nuk kam asnjë të drejtë, që në asnjë rrethanë të braktis zgjedhjen që ata kanë bërë.

Berisha, 14 maj: Nuk jemi ne që vendosim, se kush do të jetë kryetari i Bashkisë. Këtë e kanë vendosur qytetarët e Tiranës me votë. Ne do respektojmë vendimin e votuesve dhe nuk kam asnjë tagër e asnjë të drejtë të braktisim zgjedhjen që ata kanë bërë me votë, duke u tërhequr nga ky vendim popullor.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Dhurimi në tavolinë ose pazaret në favorin tim apo të kundërshtarit, e dëmtojnë atë. Më mirë një garë deri në votën e fundit sesa një garë e munguar.

Berisha, 15 maj: Dhurimi i fitores në tavolinë për kundërshtarin është një krim ndaj votës. Pazaret e tavolinës në favorin e njërit apo tjetrit kandidat dëmtojnë procesin dhe demokracinë. Ne kemi vetëm një qëndrim: të vazhdojmë një garë deri në votën e fundit e jo një garë false, që nuk ekziston.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Duke u tërhequr, unë fyej votuesit, komisionerët, ligjvënësit, ligjet, gjykatat dhe vetë demokracinë. Me tërheqjen për shkak të presioneve politike, i bie të mos bëhen më zgjedhje në Shqipëri.

Berisha, 16 maj: Po ne nuk tërhiqemi, mbasi duke u tërhequr nuk bëjmë gjë tjetër, veçse cenojmë votën e lirë, ofendojmë dhe zhgënjejmë votuesit, komisionarët. Po pranuam tërheqjen, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse nxjerrim jashtë loje ligjvënësit, shkelim rëndë ligjet, shpërfillim gjykatat, ndëshkojmë demokracinë. Po u tërhoqëm përballë presioneve politike e atyre të rrugës që na bënë opozita është njësoj sikur me këtë akt, të ligjërojmë që të mos kemi më zgjedhje në Shqipëri.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Vërtet mund të shpresohet të kalohet më lehtë një sfidë imediate, por me çmimin e madh të rënies së demokracisë. Sistemi ynë demokratik është më mirë të përballojë sfida të vështira sesa të shpallë se përfundimisht nuk bën dot zgjedhje.

Berisha, 17 maj: Por kjo tërheqje nga lufta për mbrojtjen e votës së qytetarëve ka si çmim rënien dhe eliminimin e demokracisë. Ne kemi tashmë një sistem të fuqishëm demokratik e ligjor, të aftë për të përballoj sfida të vështira, duke mos rënë viktimë e qëllimit të opozitës, për të pranuar, që “qeveria jonë nuk është në gjendje të realizojë zgjedhje me standarde”.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Unë nuk mendoj se instalimi i një pushteti që do mbante peng kryeqytetin në kundërshtim me vullnetin e zgjedhësve është më europian dhe demokratik sesa rotacioni politik që është baza e çdo demokracie.

Berisha, 18 maj: Pushteti vendor në kryeqytet, nuk mund të mbahet peng me presione rruge, në kundërshtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve. Rotacioni politik i pushtetit është baza e çdo demokracie.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Çdo tërheqje e imja në këto kushte jo vetëm do të ishte një akt antidemokratik, por besoj se nuk do të pranohej as nga rivali im për Bashkinë e Tiranës sepse për pasojë edhe legjitimiteti i vijimit të kryetarit aktual të Bashkisë do të ishte i kompromentuar.

Berisha, 19 maj: Çdo pazar në tavolinë për mandatin e Tiranës, së pari do të ishte një akt antidemokratik dhe unë nuk e pranoj, mbasi rivali ynë për Bashkinë e Tiranës do të dilte figurë e kompromentuar përpara anëtarësisë dhe udhëheqjes së PS, por dhe legjitimiteti i votës së pamerituar, do ta bënte një kryetar me figurë të kompromentuar

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rrugës nuk janë më të pranueshme sesa votimi i lirë, numërimi i votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve.

Berisha, 20 maj: Jam i bindur plotësisht, se rrethimi i institucioneve, kërcënimet me djegie dhe kryengritje të rrugës për të mbajtur pushtetin, bien ndesh moralisht dhe ligjërisht me votimin e lirë, me numërimin transparent të votës së vlefshme dhe vendimet e institucioneve Kushtetuese.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Unë respektoj vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar pro meje, që kanë votuar për një ndryshim thelbësor në Tiranë, si edhe ata që kanë votuar kundër, duke lexuar dhe respektuar çdo votë të tyre, respektoj ata që po presin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si qytetarë të vërtetë europianë.

Berisha, 21 maj: Ne respektojmë vullnetin e të gjithë atyre që kanë votuar për kandidatin Basha dhe koalicionin, sepse ata kanë votuar për një ndryshim thelbësor në Tiranë. Përshëndes dhe respektoj ata banorë të Tiranës, që po presin rezultatin me qytetari, pa dhunë, pa presion, si europianë të vërtetë.

Basha në letrën-përgjigje për Kadarenë: Jam i gatshëm të takoj kudo e kurdo rivalin tim për Bashkinë e Tiranës për një pakt moral dhe qytetar për respektimin e ligjit, për të pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e qytetarëve të shprehur me votë.

Berisha, 22 maj: Unë respektoj rezultatin, këtë kërkoj dhe nga rivali, që të respektoj votën, kjo tregon respektimin e ligjit dhe këtë gjë ta bëjë duke pritur me qetësi vendimin e institucioneve, për t’i dhënë fund gjuhës së dhunës dhe për të pranuar verdiktin e votës së qytetarëve.