Nga Fatos Lubonja
Një lexues kishte vendosur në internet një koment për shkrimin tim “Punë batakçinjsh”, ku shkruante me një lloj qesëndie të lehtë, por edhe shumë të arsyeshme: “Vetëdija që të dyja palët politike përfaqësojnë, në thelb, të njëjtën kastë gjysmë-kriminale të pasuruarish në kurriz të pronës publike, ekziston gjerësisht në shoqërinë shqiptare […] Tashmë një denoncim më shumë nuk i bën gjë tjetër publikut shqiptar, përveçse i trash shollën, gjithsesi tepër të trashë, që i është krijuar ndaj “skandaleve” të përjavshme […] E thënë shkurt, që këta janë “horra” këtë e dimë, por sesi mund të ndodhë konkretisht gjenerimi i një alternative është çështje ku ka nevojë për mendime kritike e konstruktive”.
Si shumë lexues të tjerë, numri i të cilëve vë re se, fatmirësisht, është shtuar kohët e fundit, edhe ky lexues ngulmonte se energjitë duhen përqendruar te krijimi apo mbështetja e alternativave, më tepër sesa te denoncimi i elitave aktuale dhe, në këtë kontekst, vinte në dukje se diskutimeve mbi alternativat ndaj kësaj elite të korruptuar nuk u jepet as rëndësia, as hapësira e as vëmendja e duhur.
Më së pari dua t’i përgjigjem përsa i përket çështjes së denoncimeve. Nuk pajtohem me idenë se një denoncim më shumë sot bën efektin e kundërt: trash edhe më lëkurën e shoqërisë. Në vështrim të parë mund të duket kështu, ngase një denoncim duhet të shoqërohet me një reagim ndaj së keqes që ai denoncon, nëpërmjet gjykatave p.sh., kurse kur nuk ndodh kjo, duket se të denoncuarit fitojnë të drejtën për të bërë skandalin e radhës, kurse publiku, duke parë se skandali vetëm trash skandalin, mund të thotë: më mirë të mos e dinim, se kështu nuk do të kishim vuajtjen e një padrejtësie më tepër të pandëshkuar. Por, sipas meje, sikur të ndodhte që askush të mos reagonte më për asnjë lloj skandali, apo sikur skandalet të zhvilloheshin në heshtje, atëherë do të ishte edhe më keq.
Mospranimi dhe denoncimi i së keqes, qoftë edhe vetëm me fjalë, është shumë më mirë sesa heshtja. “Të tregosh ç’po ndodh në vend, është sikur të krijosh antikorpe”, thotë një denoncues e njohur, autori i librit “Camorra”, Roberto Saviano. Denoncimi është premisa e parë për të ngritur pastaj edhe nevojën e diskutimeve e propozimeve për ndryshim. Nuk ka denoncim që të mos përmbajë, në mënyrë direkte apo indirekte, edhe propozimin për ndryshimin, që është, si të thuash, ana tjetër e medaljes së denoncimit. Në shkrimin tim të fundit, në mënyrë më eksplicite bëhej edhe një propozim. Thosha se kjo krizë ekonomike e konflikt politik që po kalojmë, që gjeneron nga interesa të ngushta dy partish/banda që janë mësuar të jetojnë duke grabitur, e që tani u është pakësuar ushqimi në xhungël, duhet të ndihmojë që në të dy kampet “të vritet” radha e parë e atyre që janë më përgjegjës dhe më të kriminalizuar dhe të dalë në krye radha e dytë më e moderuar, më e ndjeshme ndaj nevojës për ndryshim. Është thjesht një propozim që, pas shumë gjasash, nuk do të realizohet, por është një propozim që kërkon të hapë edhe diskutim, siç ka hapur p.sh., te lexuesi në fjalë dhe te një pjesë që e kanë kundërshtuar, duke e quajtur jorealist e duke kërkuar alternativën.
Po ashtu, dua të them se çështja e denoncimit të skandaleve nuk është thjesht e vetëm çështje e njohjes së të keqes dhe gjetjes së alternativave ndaj saj, por është edhe çështje lirie. Shpeshherë mosdenoncimi i së keqes tregon shkallë edhe më të ulëta lirie. Pra, denoncimi vlen qoftë edhe për të mbajtur gjallë disa të drejta themelore, siç është liria e shprehjes. Dhe unë besoj se problemi i kësaj lirie nuk është një problem i tejkaluar në shoqërinë shqiptare, përkundrazi. Vërtet ka denoncime në media, por ajo që vihet re në shumicën e tyre është se ato nuk janë denoncime të kastës në tërësinë e vet, por denoncime selektive, në emër të interesave të njërës pjesë të kastës kundër tjetrës, që, sikurse e kam shtjelluar në disa shkrime paraardhës, nuk është e njëjta gjë, pasi denoncimet e këtij lloji nuk kanë kredibilitetin e qëllimit të mirë, por edhe nuk rrokin thelbin e fenomenit që denoncohet, që është i përbashkët në të dy kampet.
Kjo shpjegon edhe pse ka aq pak diskutime për nevojën e ndërtimit të një alternative ndaj kësaj elite, pasi hapësirën publike e ka pushtuar kjo elitë, e cila lejon të goditet njëri krah në emër të krahut tjetër, (madje ajo edhe mbijeton në sajë të kësaj loje gjoja demokratike), por që do të shqetësohej shumë po të goditej në të dy krahët e saj nga një lëvizje alternative.
Po ashtu, diskutimi i alternativave bëhet edhe më i vështirë, sepse aktorët që mund ta duan këtë diskutim janë të paorganizuar. Mua më rezulton se ata janë kryesisht individë të shoqërisë civile të internetit, shpesh të shpërndarë në të katër anët e botës, që ndjehen më të lirë mu pse janë të pavarur ekonomikisht nga elita në fjalë e që, megjithatë, edhe në internet shkruajnë si anonimë ose me pseudonime, siç është edhe rasti i lexuesit në fjalë.
Prandaj, sipas meje, mbetet në fuqi dilema: një alternativë ndaj kësaj elite apo emancipim gradual i kësaj elite? Kush i ka ndjekur shkrimet e mia në vazhdimësi, do të gjejë kontradiktën lidhur me këtë dilemë, ku herë i mëshoj idesë së nevojës së një alternative dhe herë emancipimit gradual brenda kësaj elite. Duke dashur t’i pajtoj këto dy opsione, do të formuloja pak a shumë një mendim të tillë: duhet ndërtuar një elitë e re, një alternativë pra ndaj kësaj elite, por nga tjetër, kjo është e vështirë për shumë arsye, ndër të cilat edhe ajo se një elitë injorante dhe e korruptuar vështirë se pjell të rinj të ndritur e të ndershëm; kombinuar kjo me faktin se në vende ku mbretëron një elitë e tillë, më të mirët detyrohen të ikin.
Po të vesh re historinë e revolucioneve që kanë sjellë progres, këta nuk kanë ardhur si reagim ndaj shtypjeve të etërve, por si rezultat i iluminimit të tyre. Ndërsa një elitë që nuk emancipohet, por vjen duke u degraduar, sa më shumë që mban pushtetin, sjell një rrëzim të shëmtuar, që vështirë se pjell ndonjë gjë pozitive. Ja pse ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte kombinimi i përpjekjeve për të emancipuar elitën ekzistuese brenda institucioneve ekzistuese, me përpjekjet për krijimin e alternativave që i denoncojnë e refuzojnë këta. Dikush do të thotë se janë dy gjëra që përjashtojnë njëra-tjetrën. Do të thosha se, sa më demokratik të jetë një vend, aq më shumë ekziston mundësia e bashkekzistencës së këtyre dy opsioneve. Një arsye më shumë kjo për të mbështetur ardhjen në krye të partive/banda të figurave më të pastra e më pak autoritare.
Edhe një gjë tjetër më sjell ndërmend kërkesa për zgjidhje. Në letrën e tij, lexuesi kërkon të gjejë një zgjidhje dhe sugjeron diçka që, sipas mendimit tim, më shumë sesa zgjidhje, është një denoncim interesant. Ai thotë se Tirana, si qendër kulturore, mediatike e ideologjike, duhet të vihet në një pikëpyetje shumë, shumë serioze, pasi në këtë qytet është ngritur një kulturë korrupsioni e pashembullt, që përshkon të gjitha shtresat shoqërore e që mbyt çdo lëvizje alternative që në filiz. Sipas tij, ka ardhur koha të mendohet seriozisht për fuqizimin gradual kulturor e ideologjik të një qyteti tjetër shqiptar, ku alternativat eventuale politike do të mund ta kalonin kohën e inkubimit dhe lulëzimit të tyre të patrazuara nga korrupsioni dhe forca konformuese e Tiranës.
Besoj se edhe kjo zgjidhje që jep lexuesi, tregon se sa e vështirë është gjetja e zgjidhjes. Sepse, sipas meje, është më e lehtë të ndërtosh në Tiranë një minorancë që arrin e bëhet masë kritike e mazhorancë nesër, sesa të ndërtosh nga e para një kryeqytet alternativ ndaj Tiranës për sa i përket pushteti politik, ekonomik dhe kulturor. Është po ashtu e paimagjinueshme sesi ky ishull i moralshëm do të mund të “zaptonte” pjesën tjetër të pamoralshme të vendit.
Prandaj, kur shtrojmë problemin e gjetjes së zgjidhjes, më duket se duhet të kemi parasysh një gjë: se e keqja që përjetojmë nuk ka zgjidhje të menjëhershme. Nuk është pra, si të thuash se ne, që tentojmë të bëjmë analiza, jemi në rolin e mjekut të paditur që nuk e diagnostikon saktë të sëmurin dhe prandaj jep terapi të gabuar dhe sëmundja vazhdon. Përdorimi i metaforës së trupit të sëmurë ka kufizimin e vet. Nuk është si të gjesh një terapi intensive, që do ta zhdukte të keqen në një kohë të shkurtër dhe përfundimisht. Të keqen ne e dimë se cila është, madje teorikisht dimë se çfarë do të duhej për ta pastruar atë, por nuk mundim ta bëjmë dot këtë, pasi trupi shoqëror nuk është si një trup i vetëm njeriu që gëlltit një ilaç apo kryen një operacion e shërohet. Ai është një gjë shumë më komplekse.
Mjaft të kesh parasysh se instrumentet e operacionit në fjalë, d.m.th. pushtetin dhe institucionet e tij, që janë edhe instrumentet për ta ndryshuar realitetin, e ka në dorë ajo elitë që nuk ka interes për këtë shërim, pasi ky do të thotë pikërisht goditje e saj. Ja pse them se qoftë edhe vetëm denoncimet kanë rëndësi. Sepse ato do të ndihmonin, gjithsesi, për të prodhuar “antikorpe”, çka do të thotë, mes tjerash, për të vetëdijësuar jo vetëm shoqërinë në përgjithësi, por edhe pjesën më të ditur e më pak të komprometuar të kësaj elite, për atë se, në terma afatgjatë, bashkë me trupin që vdes, do të mbarojë edhe ajo. Prandaj edhe emancipimi i elitës që ka në dorë institucionet e pushtetit mendoj se është i rëndësishëm. Por, pa dyshim, këtë emancipim do ta përshpejtonin ata që, duke e quajtur të pamjaftueshëm atë, do të kërkonin ndërtimin e një alternative, do të organizoheshin për ta realizuar atë e për ta futur në skenën e demokracisë së brishtë shqiptare.