Përgjigje mesazhit të Sali Berishës si “bashkëfajtor”

0
40

Nga Mero Baze, 30 Maj 2013

Më ka ardhur disa herë mesazhi elektoral i Sali Berishës, dërguar përmes kompanive celulare, dhe kjo më bind se ai nuk ka bërë një listë të selektuar të mbështetësve të tij, por ia ka dërguar gjithkujt. Edhe pse niveli i mesazhit ishte shumë mediokër dhe i përciptë, kishte dy fjali që meritonin një përgjigje. Është fjalia e parë dhe fjalia e fundit. Mesazhi fillon me fjalinë: “Së bashku arritëm shumë…” dhe mbaron me fjalinë… “Mirëpres sugjerimet tuaja për këtë mandat”. Dhe meqë këtë mesazh e ka publik për të gjithë, dua të mos ndaj me të disa nga arritjet e tij dhe të jap për këtë sugjerimin tim.

Së pari zoti Berisha, gjatë këtyre tetë viteve nuk keni vjedhur bashkë me gjithë shqiptarët, por vetëm me Familjen tuaj, me djalin, vajzën, gruan, mbesat e saj, nipërit dhe deri kushërinjtë e shtatë. Keni qeverisur së bashku si një pushtet tribal, i pacipë, i pamoralshëm, i pangopur, i pafytyrë, i pamëshirshëm dhe i pashpresë për shqiptarët. Nuk e keni bërë këtë bashkë me shqiptarët, që u drejtohesh në mesazhin tënd, por me tribunë tënde, me atë që riktheve Shqipërinë nën çatinë e një regjimi kleptokrat dhe antiligjor, ku vritet për të vjedhur dhe vidhet për të riqëndruar në pushtet. Shqiptarët nuk ta kanë borxh t’i ribësh bashkëfajtorë në këtë histori.

Nuk e ke bërë bashkë me ta Gërdecin. E ka bërë yt bir, baxhanaku yt, shoku i ngushtë i djalit, vartësi yt, Fatmir Mediu, dhe ta kanë mbrojtur ushtarët e tu në gjykata, ata që kanë shitur gjakun e vëllezërve dhe familjarëve që vdiqën me idenë se ëndrra e Dhjetorit 1990 do të triumfonte në këtë vend. Mos i bë shqiptarët bashkëfajtorë në këtë krim.

Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët shitjen e Shqipërisë për 1 euro tek klientët e Familjes tënde. Nuk kanë shitur shqiptarët kompani fiktive nga 1.7 milionë euro, për të pastruar paratë e korrupsionit, por e ka bërë studioja e vajzës tënde për Fazlliçin, i cili ia ka dalë të pushtojë bregdetin e Adriatikut, si serbo- boshnjaku i parë që prek ëndrrën sllave për të dalë në Adriatik përmes Familjes suaj.

Nuk i kanë kërkuar shqiptarët ndonjë biznesmeni pakistanez 3 milionë euro për firmën e babait, por ja ka kërkuar vajza jote, mos i bëj shqiptarët ortakë në këtë kusari. Nuk paguhen shqiptarët 17 mijë dollarë në muaj fiktivisht si pedagogë dhe ekspertë, por paguhet jot bijë dhe dhëndëri yt, pasi biznesmenët në hall të Shqipërisë nuk dinë si t’ia faturojnë lekët në mënyrë që t’u duken të pastra.

Nuk ka ndodhur që shqiptarët të organizojnë mbrëmje bamirësie duke u vënë gjoba biznesmenëve në hall dhe të mos i bëjnë kurrë transparente paret që mbledhin, por e ka bërë jot shoqe. Mos i bëj shqiptarët bashkëfajtorë në këtë krim, se ata ndajnë me njëri- tjetrin kafshatat, ndërsa jot shoqe bën biznes me varfërinë dhe fatkeqësinë e tyre.

Nuk ke persekutuar biznesmenë dhe gazetarë bashkë me shqiptarët. Arritja jote më e madhe është se ke mundur të falimentosh dhe të nxjerrësh nga tregu biznesmenë normalë vetëm se ata nuk ishin klientë të Familjes tënde. I gjobite, u more bizneset, i nxore nga tregu dhe ua dhe ato biznese njerëzve të Familjes tënde, të cilët duke qenë të paaftë dhe zullumqarë, sot e kanë shndërruar Shqipërinë në një piramidë të madhe ekonomike dhe financiare. Se biznesi ka rregullat e veta dhe nuk ka për Kushtetutë çantën e zezë të yt biri, që shëtit si fantazmë gjobash nga një zyrë në tjetrën.

Nuk ma kanë djegur makinën shqiptarët, por shoferi i gruas dhe djalit tënd, truproja i Familjes tënde, nuk ma kanë prishur biznesin shqiptarët, por ti personalisht, nuk më kanë gjobitur shqiptarët, por një ushtar i Ridvan Bodes dhe Gim Shehut, të cilët nuk kanë për të shpëtuar dhe sikur të bëhen nesër truproja të Edi Ramës. Mos i fajëso shqiptarët për këto palaçollëqe që ke bërë se nuk i ke bërë bashkë me ta.

Nuk ke vrarë bashkë me shqiptarët më 21 janar. I mbyllur pas xhamit të blinduar me një frikacak të paburrë, si Lulëzim Basha, keni urdhëruar me qetësi vrasjen e Aleks Nikës, Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës dhe keni plagosur 36 vetë. Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët këtë masakër. E ke bërë vetë, e ke bërë si një vrasës gjakftohtë dhe do ta paguash. Nuk të shpëton dot as Edi Rama, as Ilir Meta, as Adriatik Llalla, as Zaganjori dhe as ndonjë avokat i yti, këtu apo në Uashington e Bruksel. Ke punë me ata që ke vrarë dhe që kanë qenë përballë teje, jo me ata që të vijnë pas për ndonjë kockë. Do ta paguash ti nëse këtu vendoset shteti ligjor, ose pasardhësit e tu dhe pushteti yt tribal nëse e lë Shqipërinë të degradojë në shtet tribal. Nuk e ke bërë bashkë me shqiptarët këtë krim.

Nuk na kanë shpallur shqiptarët puçistë më 21 janar, mua dhe kolegët të mi, Presidentin e Republikës, kryetarin e SHISH, Prokuroren e Përgjithshme dhe këdo që pa dhe provoi krimin tënd. Na ke shpallur ti si një i paburrë dhe frikacak që doje të laje gjakun nga duart e tua. Nuk kemi për të ta falur.

Nuk i kanë manipuluar shqiptarët provat e 21 Janarit, nuk kanë prishur ata gjilpërën e pistoletës vrasëse të komandantit të Gardës, nuk kanë ndërruar ata tytën e armës, nuk kanë fshirë ata serverin e kamerave, nuk kanë mbajtur ata peng policët e plagosur që të mos i dorëzoheshin drejtësisë. E ke bërë ti si një kriminel gjakftohtë për të mbuluar krimin që bëre. Mos i bëj shqiptarët bashkëfajtorë.

Nuk i kanë manipuluar shqiptarët gjykatat, nuk i kanë shpallur ata të pafajshëm vrasësit e 21 Janarit, e kanë bërë dy ushtarë të Familjes tënde në gjykata, të cilët do të ndëshkohen njësoj si ti. Mos ua lë shqiptarëve këtë përgjegjësi.

Nuk kanë vjedhur shqiptarët vota dhe nuk kanë ndryshuar ata rezultatin pasi është shpallur fituese një palë. Ata votuan opozitën në Tiranë, por ti nga makthi për të pastruar historinë e një vrasësi në detyrë si Lulëzim Basha, preke zgjedhjet dhe votat e qytetarëve. E bëre vetë, me duart e tua, me ushtarët e tu, me bindjen tënde se mund të bësh çfarë të duash me këtë popull. Është e vërtetë se e ke mposhtur shpirtin e protestës në këtë vend dhe e ke vrarë atë duke i imponuar një opozitë marifetxhinjsh, por nuk ke mundur të bindësh dot asnjë shqiptar që nuk ke vrarë dhe ke vjedhur për të mbajtur pushtetin. Urrejtja për gjithë çfarë ke bërë po fle e patrazuar në zemrat e shqiptarëve. Atë nuk e zbut dot as autobusi mavi i Edi Ramës dhe as rotacioni pa entuziazëm i pushtetit. Ti do ikësh nga kjo jetë duke marrë atë që meriton.

Dhe meqë kërkon një sugjerim për këtë mandat, po ta jap: Lëre Shqipërinë të ecë në rrugën dhe fatin e saj, dhe jepi shanse vetes që të gjykohesh nga ligji dhe vota e shqiptarëve. Kjo do ta bëjë më të lehtë fundin dhe më të sigurt të ardhmen e pasardhësve të tu. Ndryshe ke për ta lënë fatin tënd në dorën e zemërimit dhe urrejtjes së paarsyeshme, dhe fatin e pasardhësve të tu në mëshirë të tribalizmit që mund të kthehet në institucion në këtë vend, falë pushtetit tënd të ndyrë familjar që instalove. Merre si këshillë dashamirëse, se pas 23 qershorit mund të kesh nevojë dhe për dikë për të pirë kafe. Ata që ke rrotull s’ke për t’i parë më as si ushtarë dhe as si servila. Janë nisur për tek oborri i ri i pushtetit, siç i ke mësuar, të lehin atje ku hanë dhe të hanë pas shpine atë që i ka ushqyer, pasi bie nga kali. Jepi vetes një fund me aq dinjitet sa ke mundësi t’i japësh, pasi kurrë nuk është vonë të kuptosh se je njeri i vdekshëm dhe pas teje nuk është mirë të mbetet gjithmonë qameti.