Aleksandër Çipa
Pas ndjesës që me vërtetësinë e pandryshueshme të autoreagimit, më kërkove, i vlershmi kolegu dhe miku im, Andi, unë e di mirë, se nuk është e nevojshme të ketë reagim. Por në këtë rast më duhet që të iki prej teje dhe të bëj sadopak sqarimin tim në emër të lexuesve të “Shqip”-it dhe të asaj pjese që është njëherësh edhe hise e audiencës suaj televizive. Fjalën e kam për komentin tuaj të djeshëm në edicionin e jashtëzakonshëm të “TV Klan”, ndërsa transmetonit live votimin e ministrave të Brendshëm të BE-së për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Në një moment ju iu referuat me një kritikë të egër shtypit të shkruar dhe së pari gazetës “Shqip”, e cila sipas jush nuk e kishte pasqyruar këtë ngjarje të pritshme dite.
Është e tepërt të pohojmë se kjo ngjarje zinte vend në mënyrën më të dukshme në faqen e parë të gazetës, madje edhe si foto dite. Por ajo që e bën të nevojshme përgjigjen time ndaj kritikës tënde, i dashur Bejtja, ka lidhje me rrethanat që e lidhin lirinë tonë me shpërgënj interesash mediash të kapura. Profesionalisht, s’ke aspak të drejtë në kritikën tënde. Ndërsa nisur prej pozicionit dhe politikave editoriale që shpalos kanali televiziv kombëtar, ku jeni drejtor informacioni, ne e mirëkuptojmë kritikën. E mirëkuptojmë, sepse kështu e ka sjellë realiteti në këtë vend që thënë sipas Stig Dagerman: “Jetojmë në këtë “pyll” kundërshtish”.
Kritikën tënde, koleg, në rastin në fjalë e bën të pavend dhe pse jo, joserioze, liria e propagandës, e cila po eklipson edhe vetë gëzimin e vonuar të shqiptarëve. Për mua dhe ty Andi që e kemi njohur me kohë lirinë dhe mundësinë e lëvizjes, është e vështirë të ikim prej rëndësisë reale që ka kjo liri e arritur për çdo qytetar. Thënë sipas Le Clezios: “Për mua që e kam njohur mundësinë e lëvizjes, ndalimi për të jetuar në vendin që e kemi zgjedhur, është po aq i papranueshëm sa dhe mungesa e lirisë”.
Pikërisht ky “ndalim” që lidhet me cilësinë e keqe apo të munguar të lirisë tjetër, ky “ndalim” që vjen prej propagandës të kushtueshme dhe të mbarsur me patetizëm socreal, janë detyrimet reale që ndiejmë si gazetarë, pas çdo suksesi të politikës së vonesave. Këtë propagandë mirë është ta heqim, e t’ia lëmë vetëm politikës. S’duhet bërë asgjë më tepër nga ajo që bëjnë kolegët tanë kohëfituar në Europë. Këtë realizëm mes nesh s’duhet ta kritikojmë kurrë, koleg i dashur, por ta shpalosim vetëm si detyrim.
Diferenca për të, siç arrij të të kuptoj aktualisht në pozicionin që ke, nuk qëndron te cilësia apo politika pasqyruese prej “Shqipit”, por te pozicioni që media ku gjendesh, shpalos hapur. Për këtë, unë s’kam vërejtje. Skeptizicmin e kam vetëm ndaj lirisë që shpreh kritika jote e rastit, ndërsa nga ekrani ku dole, humbe për një çast, shikimin realist mbi gazetën. Por unë, tashmë e quajta vetëm kritikë…ekrani…, jo kolegu.