Përgjegjësia shoqërore, devianca si një tregues i mirë i këtyre kohërave

0
48

Aida Liko

Morali është kurora e sjelljes shoqërore e njeriut. Nëse kërkohet arritja në destinancion pa e pasur atë si epiqendër, çdo përpjekje është e kotë. Në këtë mënyrë fillojnë të shfaqen dhe shenjat e para të të ashtuquajturës “papërgjegjshmëri”. Po, ku qëndron problemi i shoqërisë shqiptare?

Problemi qëndron pikërisht në moralitetin tonë ”kolektiv”, ku shpesh bëjmë të moralshme atë që nuk mund të jetë e konsiderohet si e tillë. Secili nga ne, në situata të ndryshme, sillet e vepron në mënyra të papëlqyeshme, por është influenca shoqërore, ajo e cila në një farë mënyre na detyron të veprojmë kështu. Por, a mund të ketë shpëtim nga ky ”rregull” tashmë i vendosur, por që disa herë rezulton joefikas dhe për më tepër në disa pika rezulton shkatërrues për vetë shoqërinë?

Njerëzit po rrotullohen gjithmonë në të njëjtin rreth vicioz, pak problemore kjo, megjithëse na falin një “peisazh të bukur” shumëkulturor në dukje nga ana vizive por realisht nëse bëjmë një analizë të kësaj gjendjeje nuk do të na rezultojë lindja e nevojës së një ”strategjie përzgjedhjeje“ në aspekt social. Është e rëndësishme të mos bjerë imazhi nga përformanca e varfër e ndjekjes së etikës me përmbajtje të parimeve dhe standardeve që udhëheqin sjelljen e individëve.

Maksimizimi i ndikimit pozitiv në shoqëri, duke minimizuar ndikimin negativ është një rol tepër i rëndësishëm në përcaktimin e kulturës ndërgjegjësuese publike, e cila rëndomtë përceptohet si e dominuar nga ngurtësia, gjuha e dhunës, kërcënimi, fyerja, nxitja, urrejtja, propaganda dhe gishti
i ngritur në drejtim të secilit që shikon, mendon dhe flet ndryshe. Po shohim se pritshmëritë vetëm nuk kënaqen dhe se nuk është e hijshme të qëndrojmë spektatorë të mizorive. Përfshirje e përgjegjësive ekonomike dhe komunitetit në kushtet e përgjegjësive ligjore dhe rregulloreve, po
ashtu edhe përgjegjësisë filantropike në shoqëri, komunitetit lokal, dhe mjedisit në mënyrë që njerëzit të jenë qytetarë të mirë, të përmirësojmë cilësinë e jetës, të gjitha këto, kanë nevojë për
një pikënisje, një pikënisje së cilës nuk po i gjendet filli. Sepse shoqëria po shkon drejt një rënie të papërfillshme morale, pasi nuk konsiston morali atje ku kryhet një akt i turpshëm, i lig e makabër, apo kur mendjet e këqija burokratike fjalën shërbëtor e përdorin si “skllav” e ndërsa ajo realisht duhet të përcillet si e lidhur me fjalën e bukur “shërbej”, që vetëm aristokratët dinë ta bëjnë si duhet. Jemi realisht në një deduksion logjik, ku askush nuk ndërmerr një hap nëse nuk ka mbështetës.

Nëse marrim një shembull, duke e parë nga një këndvështrim jo i zakontë për ne, si dhe duke bërë bilancin mes “moraleve”, që mund të ketë një akt i tillë, i tillë si një vrasje, përgjigjja do të ishte të hiqet dorë njëherë e mirë nga vrasja dhe të merren parasysh të tjera zgjidhje. Por a ka realisht një zgjidhje solidare?! Marr nxitje nga ngjarjet e ndodhura kohët e fundit, e që përherë e më shumë bëhen gjithnjë e më të bujshme e kaq të prekshme. Një zgjidhje do te ishte vetë-sensibilizimi, duke u nisur nga më të rinjtë, të cilët janë pjesa më vitale e shoqërisë dhe për këtë duhet të bëhen më të përgjegjshëm për aq sa u takon, të marrim përsipër përgjegjësitë, detyrat dhe të ngremë zërin për atë që na përket, të sensibilizohemi me të tjerët dhe të bëhemi zëri i denjë i shtresave dhe grupeve të shtypura e të diskriminuara dhe të mos zgjedhim heshtjen si rrugëzgjidhje primare.

Po ashtu, vërejmë se kohët e fundit, rrugët e kryeqytetit po popullohen nga njerëz në nevojë, të tjerë të cilët kanë marrë përsipër të jenë një mbështetës financiar për zgjidhjen e problemeve të këtyre njerëzve në nevojë për arsye ekonomike ose probleme shëndetësore, kjo do të rezultonte shumë produktive. Por jo të gjithë ndërveprojnë.

Njeriu bashkëkohor sot jeton në epokën e robotikës dhe internetit, për të mos u thelluar më pas në përmasa më të gjera hapësinore… Shumë mundësi e risi të reja, pavarësisht nëse jeton në qytet, fshat, ishull apo gjendet në aeroplan, anije, tren, në veturë ose në kopshtin e tij, i bëjnë të mundur atij të dëgjojë dhe kundërveprojë drejtpërdrejtë ose jo për shume ndodhi, qofshin ato në sferën ekonomike, ushtarake, politike etj. Madje, njeriu arriti të njihet edhe me gjendjen apo me ndryshimet më të vogla të brezave botërore, si dhe të përcjellë gjendjen ekonomike, të përcjellë sportin ose ndodhitë më të reja në sferën artistike etj. Gjithë kjo na jep të kuptojmë se ndodhitë në këtë planet prej një skaji e në tjetrin mbërrijnë vetëm për disa sekonda, e për këtë njeriu është faktori kryesor fizik.

Kur njeriu paska kaq shume influencë me anë të këtyre risive dhe mundësive të krijuara, si mund të krijojë këto ura ndërvepruese kaq larg ndërgjegjësimit?! Edhe kjo e ka një shpjegim sikurse çdo gjë tjetër inovative, e falur në këtë formë. Morali është ai që tregon kohëzgjatjen e çdo sistemi, apo ideologjie. Jeta e njeriut të sotëm (perëndimor) pothuajse tërësisht është e mekanizuar, në të vërtetë qëndron larg përmbajtjeve shpirtërore dhe ngrohtësisë së vërtetë jetësore. Duke iu falënderuar përparimit material, perëndimori modern arriti që t′i tejkalojë problemet e ndryshme jetësore. Mirëpo, problemi shoqëror që u paraqit si rezultat i qytetërimit modern, pengon që ai të dijë më shumë për qenien e tij, edhe atë duke ia eliminuar kujtesën për vlerat e tij morale.

Ç′rregullimet e ndryshme që janë karakteristikë e qytetërimit të sotëm perëndimor qartë shihen. Zbulimet e ndryshme shkencore, që kanë qëllim të lehtësimit të jetës dhe përparimit të qytetërimit, aspak nuk ndikuan në zvogëlimin e këtyre ç′rregullimeve. Ato nuk i sollën shoqërisë ndonjë fat, e as që i larguan problemet e saj dhe ç′rregullimet te tjera sociale. Krahas nevojave fizike, njeriu ka edhe ëndje morale dhe shpirtërore. Ashtu siç ndien nevojë për kënaqësitë fizike, ai po ashtu ka nevojë edhe për qetësi shpirtërore, pra jashtë botës materiale. Kjo mund te arrihet falë ndërgjegjësimit duke u qartësuar realisht se në cilën epoke po jetojmë dhe se si duhet të ekuilibrojmë potencialin e brendshëm shpirtëror, në drejtim të shfrytëzimit të të gjitha vlerave njerëzore. Duke mënjanuar gabimet fatale për të qenë sa më në harmoni me natyrën reale, që na ofron të qenit “human”.

Njeriu, në një masë të madhe është në një proces të zhvillimit trupor, proceseve mendore dhe mendjes, sepse kjo është etapa e rritjes, gjatë së cilës ai i nënshtrohet ndryshimeve rapide. Në këto etapa është me rëndësi të madhe që mjetet e vetë-kontrollimit të jenë të përgatitura për të, me udhëheqje të urtë, që ta drejtojnë atë për në rrugën e drejtë. Mungesa e aktivitetit përkundrejt veprimtarive fitim-prurëse, produktive dhe zbavitëse, në kushtet e një shoqërie të pafuqishme në çdo aspekt, konsiderohet një faktor determinant në sistem moskonkretizimi në lëvizje dhe punë, shfrytëzimi i potencialit në rrugën më të mirë të mundshme, kjo shkakton një gjendje kaq pragmatike.

Shërimi nga ky problem është përpjekja nga dalja e atyre kornizave të errëta, diçka ndryshe, siç është leximi, biznesi, apo të shkruajturit, e cila pastaj bëhet pengesë në mes tij dhe qetësisë të zymtë të tij. Është e domosdoshme, qe ai të bëhet anëtar stabil i shoqërisë, duke punuar në shoqërinë e tij për vetveten dhe për të tjerët. Pikërisht kështu lind edhe devianca si rrjedhoje, nis në çdo mendim, ndjenjë apo veprim, që anëtarët e një grupi shoqëror e gjykojnë si shkelje të vlerave dhe rregullave te tyre.

Shkelja e normave të një grupi apo të një shoqërie të dhënë në një lloj sjelljeje, që shkelet në mënyrë për t’Iu përqasur përcaktimeve të sjelljes sa më të përshtatshme, të përbashkët për anëtarët e një sistemi shoqëror. Kjo veprimtari e tillë, e largon individin nga normat e një shoqërie të caktuar në një kohë të caktuar. Por si mund të përcaktohet dhe te konstatohet dukuria e deviancës, dhe kur ajo bëhet evidente në një mjedis social? Dukuria e deviancës konstaton në mënyrë të dallueshme sidomos nga reagimet negativiste, shpesh dhe përbuzëse të mjedisit rrethues ndaj këtyre dukurive. Por edhe këto reagime nuk mund të jenë të barazvlefshme në vende dhe sisteme të ndryshme shoqërore, sepse edhe për grupe sociale të ndryshme ka mundësi, që ajo dukuri që për disa është deviante, për të tjerë mund të mos konsiderohet e tillë.

Supozojmë se në tërësi në realitetet e sotme shoqërore veprimtaria kriminale e vjedhjes për shembull, të konsiderohet në total si një dukuri deviante. Deri këtu çdo gjë është shoqërisht e pranueshme, megjithatë ka edhe dukuri të tilla si shkarkimi i muzikave të ndryshme ose video
në internet, që mund të mos miratohet nga opinioni i përgjithshëm shoqëror si një dukuri deviante. Ka dukuri sociale për të cilat ka besime dhe tradita e interpretime sociale të ndryshme dhe qe qëndrimet dhe reagimet mund të jenë si negativiste, ashtu edhe të mirë-pranuara. Të tilla janë dukuria e racizmit, e homoseksualitetit, për të cilat janë ndeshur qëndrime edhe diametralisht të kundërta, jo vetëm nga pesha e traditave dhe normave morale, por dhe nga forca dhe influenca e opinionit shoqëror të përpunuar ligjërisht.

Është ngushtësisht e lidhur me kohën dhe me vendin, sepse një dukuri që në në një kohë dhe vend të caktuar është deviante, në vende dhe kohë tjetër nuk është e tillë. Kemi dhe një tregues që na e shëmbëllen mjaft mirë këtë esencë, veprimet e bandave të kukusklanit ne SHBA, në një periudhë historike patën ndikim të fuqishëm për mosheqjen e skllavërisë. Pra këto ishin veprime dhe sjellje deviante, por përsëri ndaj tyre, pavarësisht se opinioni i dënonte, shteti dhe grupe te caktuara sociale qëndronin me tolerante, pra nuk i trajtonin me rreptësinë e duhur si sjellje tepër të skajshme deviante.

Sa më shumë jashtë kornizave të atyre të ashtuquajturve “rebele”, të cilët jo vetëm që kundërshtojnë ekzistencën e qëllimeve shoqërore, por në të njëjtën kohë mohojnë edhe pranimin e mjeteve të ligjshme për arritjen e qëllimeve sociale, më tepër larg më pak largpamës do të jemi. Ata ngelen vetëm në këtë kuadër dhe nuk shkojnë më tutje në hulumtimin dhe gjetjen e mjeteve dhe mënyrave efektive, që do t’i konsideronim të arsyeshme.