PERGJAKJA E POPULLIT

0
46

Nga KOLEC TRABOINI

Nuk më intereson politika. Më intereson njeriu. Njeriu i thjeshtë i popullit tim! Jeta e një qytetari të këtij vendi vlen më shumë se jeta e një shtetari, e një maskarai me kollaro e celular që bën afera me hidroçentrale, apo ndonjë ministri debil me buzëqeshje idioti.


Politika përcjell njerëz në varrezë!

Qeveritarët janë atje ku janë për ti sherbyer këtij populli dhe jo ta dhunojnë atë. Mjerisht kolltukofagët e Shqipërisë këtë nuk e kanë kuptuar kurrë ndaj nuk ngopen as me pushtet, as me para e as me gjak. Kam marrë pjesë në demonstratat antikomuniste e fillimit të vitit 91, një prej tyre atë para stadiumit “Qemal Stafa” që kam organizuar personalisht, por Ramiz Alia nuk guxoi të vriste njerëz në demostratë. Pushtetarët e sotëm nën skeptrin e demokracisë në vend që të ruanin qetësinë, u lëshuan si bisha të tërbuara mbi njerëzit.

Në këtë vend nuk ka demokraci të vertetë, sepse demokracia nuk vret, pluralizmi politik nuk vret, nuk prodhon gjak.Gjak prodhojnë hienat. Falangat që paguhen me parat e popullit dhe vrasin pikërisht popullin. Sot ca mediokërr, ca ministra totalisht injorant, flasin për grusht shteti por gushti i shtetit gjithnjë realizohet brënda pushtetit dhe jo nga njerëzit që protestojnë në rrugë sepse nuk kanë punë, nuk kanë bukë, nuk kanë shpresë..

Këto mediokërr si një aktor i dështuar, një general i vetgraduar i 97–tës, i degraduar deri në zvetnim si Arben Imami, që në të vertetë është pjellë komunistësh, nuk mund ta kuptojnë. Sa për Ministrin e Brëndshëm Lulzim Basha, që deri tani ka qënë një kukull vitrine në duar e klanit të Kryqeveritarit, sot është një kukull vampire, fytyra e tij si beniamin, tashmë na shfaqet me duar të përgjakura. U pa e qartë edhe nga pamjet TV se si u përdorën breshërit e automatikeve si një betejë, por në mes demostruesve ishin edhe qindra policë civilë të futur në mes të qytetarëve qëllimisht të ngjallnin panik, ta frikësonin popullin dhe si hiena morën jetë njerëzish.

Poshtë kjo mënyrë mizerabël qeverisje si të ishim në Tunizi, kjo mënyrë hajdutllëku, kjo mënyrë cinizmi ku kryeministri i vendit si një faqezi, nga dritarja e kryeministrisë urdhëron të vritet populli i vet dhe përgjakjen e sheh me një cinizëm i paprecedent në historinë e Shqipërisë, veç vetvetës në ’97.

Dhe kanë guximin të dalin në media dhe të falenderojë nxehtësisht policinë që tre njerëz i ktheu në tre kufoma. Dhe te dalin te skremitin dhëmbet si çakej, e, bashkëshkodrania ime e pudrosur si Ledi Makbeth në këtë ditë morti, për të cilën dikur kam shkruar mjerisht bukur, të thotë, o Zot, policët që sot vranë tre qytetar janë heroj.

Ku na çon ky lloj heroizmi?! Po populli moj zonjë e çmerituar çfarë është? Populli në rrugë çfarë është?! Mjer këta njerëz që e quajnë veten bijtë e shqiponjës, dhe qeverisën nga injoranca dhe harbutllëku.

Dy herë e përgjake këtë popull, o insanë. A nuk është kjo pak si tepër. Ndale vrapin prej të çmëndur se po kalon në çmënduri një popull të tërë.
Mbajeni mënd këtë ditë të përgjakur dhe shënojeni në kalendarin e kujtesës:
21 janar 2011. Vampirët e përgjakën popullin. Gjithmonë guxoni ta urreni dhunën !

© Traboini 2011