Përfundimisht, i sëmurë!

0
41

Nga Mero Baze, 30 Korrik 2012

Askush nuk e fsheh dot që ka diçka prej psikopati në “rekordin” vjetor të notit të Sali Berishës, por një vëzhgim më i hollësishëm i kësaj sindrome nxjerr në pah thelbin e profilit politik të tij si njeri që pranon të bëjë garë vetëm me veten dhe të ketë dëshmitarë vetëm Familjen. I kompleksuar nga humbja e çdo gare reale në jetë, Sali Berisha ka devijuar qysh prej vitit 1994, kur pësoi një disfatë publike politike, nga një njeri që konkurron në politikë me kundërshtarë, në një njeri që garon me vetveten. Thelbi i shkatërrimit të zgjedhjeve të vitit 1996 ishte pikërisht heqja nga gara e gjithë kundërshtarëve politikë. Kreun e opozitës, Fatos Nano, e kishte arrestuar dhe e mbante në burg, ndërsa gjithë kryesinë dhe drejtuesit kryesorë të opozitës i eliminoi nga gara me ligj. E njëjta sindromë e çoi në vitin 1997 vendin drejt luftës civile dhe e çoi atë në opozitë.

Mandatin e dytë të qeverisjes së tij u përball me dështime të forta si në luftën kundër korrupsionit, në kapjen e shtetit dhe në kontrollin mbi gjithë pushtetet e tjera në vend, duke e kthyer atë në një njeri që dikton dhe nuk konkurron.

Ai mbyll sytë para dështimeve ekonomike dhe ëndërron se jemi vendi i dytë pas Gjermanisë, mbyll sytë para kapjes së shtetit nga Familja e tij dhe ëndërron një kundërshtar pa imunitet për ta mbajtur nën terror, dhe së fundmi kur mendon se gjithë pushtetet janë në dorë të tij, e kap makthi nga ideja se populli mund t’ia japë pushtetin opozitës dhe shpall paraprakisht fitoret e ardhshme.

Sindromi i garës me vetveten dhe rekordet e përvitshme, përveç degradimit psikik të tij, tregojnë se ai tashmë nuk ka besim jo më të hyjë në garë, por as ta shikojnë në garë. Fjala vjen, edhe pse të gjithë e dimë që Sali Berisha nuk di as not fizikisht, ai nuk lejon që “rekordi” i tij personal të filmohet dhe të ndiqet nga media, edhe pse është një gjë shumë qesharake. Arsyeja reale është se ajo garë nuk zhvillohet, por më keq se kaq është se ajo garë certifikohet nga Familja, nga mbesat, djali, vajza, gruaja, atyre që u duhet i “fortë” dhe i pavdekshëm i pari i shtëpisë.

Pra, nëse ka një tregues të rëndimit psikik të kryeministrit që rrezaton subkoshiencën e tij për raportin me të vërtetën, është kjo ngjarje qesharake, e cila do të jetë një nga anekdotat më jetëgjata në politikën shqiptare pas vdekjes së tij. I frikësuar nga fundi i jetës politike dhe fizike, i frikësuar nga një garë e vërtetë me kundërshtarin, i frikësuar nga arbitrit dhe media e lirë, i frikësuar nga liria e shoqërisë shqiptare për të zgjedhur, ai e ka ngushtuar hapësirën tek Liria e tij, vajza, djali, mbesat dhe lajmi qesharak për rekordet e tij në not, apo ngjitje në Dajt e Murin Kinez. Në mendjen e tij të sëmurë dhe të rrëgjuar nga pesha e krimeve dhe maktheve, ai mendon se ne e duam të vdekur dhe ai do të na tregojë se në rrugë nuk e vrasim dot se ka antiplumb dhe nga shëndeti i tij i keq të mos shpresojmë kot se ai rri dy orë në ujë. I fiksuar nga ideja se dikush kërkon ta mundë, pasi ka marrë nën sqetull gjithë pushtetet në Shqipëri, është i frikësuar nga ideja se ne kemi ende shpresë të ikë nga pushteti për shkak të shëndetit të tij dhe nxiton të bëjë atë që bën.

Shumë njerëz afër tij në Partinë Demokratike janë seriozisht në siklet me këto gjeste dhe pyesin të çuditur, “mirë ky që ka rrjedhur, por fëmijët si nuk e ndalojnë”. Është një pyetje naive e gjithë atyre që mendojnë se regjimi sundohet nga arsyeja dhe logjika normale. Është keqkuptimi i gjithë atyre që mendojnë se Berisha është i mirë, por i rrjedhur dhe Familja e shëndoshë, por hajdute. Në fakt janë njësoj. Një Familje e sëmurë psiqikisht, politikisht, moralisht dhe kombëtarisht që sundon një vend me fuqinë e pareve të vjedhura, të lidhjeve me mafien rajonale, dhe atë vendase, që në përpjekje për të ruajtur pushtetin e tyre janë gati të na shesin dhe psikopatinë për vlerë. Është fati i të jetuarit nën sundimin e një Familje të sëmurë.