Përfitimet me fatkeqësinë e Shkodrës

0
43

Ervin Bushati /Sekretar Ekonomik i PS17.03.2013

– Shkodra përjeton këto ditë një situatë apokaliptike, sa të dhimbshme aq dhe ireale…Shkodra është sot në gjunjë, nën rrethimin më të rëndë në historinëe e saj prej 2300 vitesh si qytet. Atë që nuk e bënë dot natyra, koha, Mehmed Pushtuesi në 1478, si dhe armiqtë e shumtë në shekuj, më në fund e bëri uji –sot, në moshën e “Shqipërisë Dixhitale Berishiane”. Ndoshta dhe dashamirësit më të mirë të qeverisë nuk vendosin dot: përmbytjet i shkakton qeveria me abuzimin dhe korrupsionin e saj me energjinë elektrike, apo në rastin më të mirë, janë neglizhentë dhe të pazotë të qeverisin këtë djep të kulturës që ka vuajtur më shumë sesa i takon?!

Drama njerëzore në zonën e Shkodrës, shkaktuar nga përmbytjet masive, na shtyn ne si qytetarë të këtij vendi t’i falemi Perëndisë për sa më pak dëme dhe një periudhë sa më të shkurtër të kësaj situate-sa absurde aq dhe të parashikueshme. Ndërsa është njerëzore për familjarët dhe bizneset e dëmtuara të ngrenë sytë nga Perëndia në dëshpërim, nuk është normale që një shtet të ngrejë duart nga qielli kur puna dhe detyra e tij është të siguroje banorët dhe zonën nga rreziqet, krimet; por edhe natyra! Zotit ne i falemi të na ruajë, por nuk mund të falim shtetin tonë që pretendon se na ka dalë për zot.

A ka qeveria gisht në këto përmbytje masive dhe në këtë dramë njerëzore të pamatë? Apo qeveria nuk ka gjë në dorë fare, dhe ne jemi në rënie të lirë drejt skamjes sonë të përbashkët? Sido që të përgjigjet arsyeja juaj e brendshme ndaj këtyre pyetjeve, diçka është e qartë si dielli mbas shiut në të dy mundësitë: qeveria nuk bën dot detyrën e saj, ndërsa dështon përsëri me turp para shiut të Nëntorit. Qeveria po e kthen në mesjetë gjendjen e pronave dhe të tokave në veriun e Shqipërisë dhe më gjerë.

Fusha të tëra janë sot pre e ujërave dhe një kënetë e pamatë shtrihet e pacenuar aty ku deri dje ishin tokat më të begata të Shqipërisë nga Shkumbini e lart. Kënetat dhe moçalet po përparojnë me një hap të sigurt për vit, në mungesë të përgjegjësisë qeverisëse në infrastrukturë, legjislacion, fonde dhe parandalim, siç i takon një shteti në vitin 2010.

Por më e rëndë në këtë fenomen absurd është shkelmimi i arsyes dhe kthimi në irracionalitetin mesjetar. Në shekullin e 21-të jetojmë vetëm ne si qytetarë, sepse obskurantizmi i shtetit bie era mesjetë. A është normale që një qeveri, si latant të qahet nga shiu në vjeshtë; nga bora në dimër; nga era në pranverë dhe nga vapa në verë?! A është normale që qeveria mos të kontrollojë më asgjë dhe të jetë kaq impotente – kjo vetëm mbas ndarjes së KESH me CEZ, me një kapitullim sa tragjik aq dhe komik?! Një mendje racionale sheh përtej avujve të Drinit dhe kupton që asgjë në Shqipëri nuk ndodh rastësisht dhe pa asnjë përfitim financiar: dikush po bën lekë me ujin e Shkodrës, njësoj si me zjarrin e Gërdecit.

Transparenca

Qeveria fsheh dëmin real të përmbytjeve masive në Shkodër për ekonominë shqiptare. Shteti na paraqet vetëm një fraksion të faturës financiare, ashtu si fsheh koston e vërtetë ekonomike të kësaj tragjedie me përmasa kombëtare. Dëmi i shkaktuar i kalon ato të paraqitura në faturën financiare, ofruar nga qeveria pas një inspektimi sipërfaqësor: thjesht si ara, shtëpi dhe orendi të dëmtuara apo dhe disa krerë bagëti. Qeveria nuk ka pse pret përmbytjen e radhës për të bërë publik standardin minimal që duhet të miratojë për dëmshpërblimet për banorët në Shkodër.

Ndonëse, qeveria akoma nuk ka dhënë transparencë për mënyrën e vlerësimit të dëmeve në Shkodër (edhe pas paketës së propozuar nga PS që në Dhjetor të 2010!), koha nuk pret për njerëzit e lënë në baltë nga shteti ne veri të vendit. Dëmshpërblimet duhet të fillojnë tani, para ndonjë situate tjetër “emergjence të paralajmëruar”. Sa më shumë kalon koha, aq më e vështirë bëhet rivendosja e normalitetit në jetën e këtyre banorëve; aq më e vështirë bëhet rivendosja e besimit të qytetarëve në gjithë vendin.

Parametra standard vlerësimi minimal (vlerësimi në terren të nisë nga kjo bazë):

• Shtëpi të dëmtuara – 10.000 euro
• Biznes – 20.000 euro
• Bujqësi – 5.000 euro/ha

Qeveria nuk duhet të kundërshtojë këto shifra që janë humane dhe pranë realitetit të hidhur që vuajnë banorët e Shkodrës dhe më gjerë. Me këtë rast vendoset një standard jetese minimal më njerëzor në të ardhmen, gjithashtu vendoset një peshë reale mbi këtë katastrofë që të mos përsëritet më. Po kështu banorët e zonës dhe gjithë shqiptarët ndërgjegjësohen të kërkojnë të drejtat dhe detyrimet që shteti i ka taksapaguesve dhe njerëzve të thjeshtë në këtë vend.