Nga Mero Baze, 1 Tetor 2013
Opozita humbi pa filluar një betejë sipërfaqësore dhe të pandershme lidhur me statusin e nëpunësit civil, falë pafuqisë së liderit të saj të emëruar për të ndalur liderin real të PD-së në kauzat false që ngre për t’u ndjerë që është ende gjallë. Po ka diçka që e bëri të mërzitshme retorikën publike të Berishës edhe para zgjedhjeve, ishte ngritja e kauzave false dhe mbajtja gjallë e tyre përmes zhurmuesve që nuk japin argumente, por thonë vetëm parulla. Berisha shkatërroi përfundimisht imazhin e qeverisë së tij, pasi atëherë kur ai kishte kauza reale, me të cilat ai duhej të përballej, shpikte kauza false. I biri i tij lobonte dhe udhëhiqte biznesin e Gërdecit, ai shpikte si kauzë luftën ndaj kryeprokurores që e hetonte.
Ai vetë vrau katër qytetarë të pafajshëm dhe shpikte si kazus “puçin” e shtetit që nuk ekzistonte. E bija e tij kapej duke bërë oferta 3 milion dollarë për një firmë të babait, ai shpikte kauzën e shtëpisë së xhaxhait të Lindës, ndërtuar më 2004-ën në tokë të babait të tij. Në Shqipëri gjithë biznesi dhe financat u grumbulluan në 5 klientë të Familjes së tij, ai vazhdonte shpikte akuza për leje ndërtimi të Edi Ramës që kish 5 vjet që nuk jepte më leje. LSI i iku nga koalicioni tre muaj para zgjedhjeve dhe ai shkarkoi 20 mijë vetë brenda dy javësh dhe i zëvendësoi me të rinj, dhe tani kujtohet që ka status për nëpunës civilë. Problemi i tij i deritanishëm ka qenë se këtë kauzë nuk ia besojnë as të vetët, të cilët e dinë mirë si kanë shkuar në ato vende pune dhe si do ikin.
Pikërisht duke e ndjerë se kauza e tij false nuk ka besueshmëri, Berisha kish një javë që e kish ngritur stekën në Bruksel dhe po fliste dhe po flet akoma për refuzim të statusit për shkak të këtyre ndryshimeve në ligj. Si për t’i vënë kapak dhe këtij sforcimi të ri të Berishës, Brukseli sqaroi qartë se ndryshimi është teknik dhe nuk cenon ligjin. Dhe kjo jo për të mbrojtur aq shumë shumicën e re në Shqipëri, por për të ndalur bezdinë që u shkakton ky njeri që kërkon të duket ende se ka diçka në dorë në këtë vend.
Nëse ka një arsye përse qeveria e tanishme do ta ketë më lehtë në raportet me Brukselin dhe Perëndimin në tërësi, ai është Sali Berisha. Sado gafa të bëjë Edi Rama, sado të pamësuar të jenë ministrat e tij, sa herë që në emër të Perëndimit këtu do të tentojë të flasë Sali Berisha, peshorja do anojë nga qeveria. Kjo nuk është ndonjë gjë shumë e mirë për vendin, pasi qeveria mund të favorizohet më shumë seç e meriton, por derisa opozita ta lërë fatin e saj në dorë të Sali Berishës, fatkeqësisht do të ndodhë kështu.
Edhe në rastin konkret, Brukseli mund të mos kish folur. Mund të heshtte dhe të linte plot nënkuptime në heshtjen e tij. Mund të bënte sikur nuk donte të shprehej apo të ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Kishte plot mënyra diplomatike për të mos e ndëshkuar kështu opozitën dhe për të mos e bërë kaq të pashpresë kauzën e tyre. Por Sali Berisha ua bën të pamundur heshtjen. Fakti që ai kërkon t’i tregojë edhe Brukselit se ç’mendon Brukseli, duket se ua heq trurin gjithë palëve dhe i detyron të flasin dhe ta nxjerrin thjesht një idiot.
Kjo ndodh pasi opozita nuk ka asnjë besueshmëri në betejën e saj për statusin e nëpunësit civil. Vetëm gjashtë muajt e fundit nga janari deri tani, në Komisionin e Shërbimit Civil ka 215 ankesa nga nëpunës civilë të shkarkuar nga Berisha brenda partisë së tij. Ka mbi 2 mijë ankesa brenda këtij mandati që kanë po ashtu të bëjnë me shkarkime të paligjshme. Si mund ta besojnë të vetët Berishën se vendi i tyre ka qenë i garantuar me ligj, kur shkarkoheshin nga puna thjesht se nuk i pëlqenin Zenit apo Gitës, apo thjesht u vriste veshin ndonjë mbiemër. Për të shmangur dështimet në kauza të pabesueshme, duhet fuqi të pranosh të vërtetën dhe të ndërtosh një opozitë mbi fakte dhe realitete që ngjallin besim. Opozita ka dy probleme. E para, që i shpik faktet, dhe e dyta, që i vendos shpikjet në gojë të Berishës. Kjo e bën atë tërësisht të pabesueshme pasi në vend të ballafaqojë ide të reja me qeverisjen e re, ballafaqon një dështak të vjetër me një qeveri të re dhe garën e fiton qeveria.
Kjo është arsyeja që Edi Rama po merr më shumë seç meriton mbështetje ndërkombëtare, më shumë seç meriton mbështetje nga liderët evropianë dhe amerikanë, dhe më shumë seç meriton mbështetje strukturore nga Bashkimi Evropian. Sali Berisha duket se me vendimin e tij për të mos pranuar humbjen dhe poshtërimin që i kanë bërë shqiptarët, po ia lehtëson Edi Ramës vëmendjen ndaj gafave dhe gabimeve të tij të para si nga publiku vendas dhe ai ndërkombëtar. Bile duket sikur edhe Endri Puka nuk është vartës i Koços kur e thotë Berisha.
Orientimi tek beteja false dhe nxjerrja në krye të betejës e Sali Berishës, po persekuton realisht mendimin opozitar dhe nuk po e lë atë të qetësohet dhe të rinisë një garë të re, me ide të reja dhe shpresë të re kundër qeverisë. Duket se Berisha vazhdon me zakonin e vjetër që çdo gjë të vetën do ta përdhunojë deri sa ta bëjë të padobishme për të tjerët. Siç po ndodh me PD-në.